Rama: Vizita e Papës, ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që BE për statusin

anazapta

Kryeministri Rama e ka cilësuar një ogur të mirë në në vigjilje të marrjes së vendimit për statusin kandidat në BE lajmin për vizitën e Papa Françeskut në 21 shtator të këtij viti. Duke folur nga Durrësi, Rama tha se vizita e papës është një vizitë që I bëhet çdo shqiptari pa asnjë dallim feje.

“Gjatë bisedës me Papa Franceskun në Selinë e Shenjtë, ne folëm edhe për vuajtjet e patregueshme të klerit katolik në Shqipërinë komuniste dhe për rrugëtimin gjithnjë të vështirë nga thellësia e shekujve e deri në ditët tona të krishterimit, në Shqipëri. S’ka dyshim se ato vuajtje unikale dhe të lavdishme, jo thjesht për klerin katolik shqiptar, por për mbarë historinë botërore të krishtërimit e bëjnë këtë tokë posaçërisht të dashur për Atin e Shenjtë. Por, po ashtu, është posaçërisht e vyer për qasjen e tij kaq vëllazërore ndaj besimeve të tjera, kjo tokë ku harmonia e bashkëjetesës mes të krishterëve dhe myslimanëve, meriton të ruhet si drita e syve dhe të promovohet si një rreze shprese dhe kurajoje për mbarë botën e rrezikuar nga konfliktet fetare.

Prandaj dhe zbritja e afërt në tokën tonë e këtij njeriu qiellor, është një vizitë që i bëhet çdo shqiptari pa dallim feje. Por, po ashtu përmes Tiranës dhe Shqipërisë dhe çdo banori të rajonit tonë, pa dallim etnie, njësoj si çdo qytetari të Europës, pa dallim ideje, në emër të dashurisë mes njerëzve, të paqes mes popujve, solidaritetit mes vendeve të kontinentit tonë. Unë besoj se edhe lajmërimi sinkron sot nga Durrësi këtu, dhe nga Sheshi i Shën Pjetrit në Romë i kësaj vizite, që përbën një privilegj të rrallë për Shqipërinë dhe shqiptarët, është në vetvete një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që BE duhet të marrë për statusin e vendit tonë“, u shpreh kryeministri Rama.

Rama tha se ka nisur puna për përgatitjen e vizitës së papës, e cila është e para vizitë zyrtare e kreut të ri të kishës katolike në Europë. “Papa Francesku i është përgjigjur pozitivisht, dhe tanimë dhe zyrtarisht, ftesës sime për të vizituar Shqipërinë, së shpejti. Vizita do të bëhet në 21 shtator, ndërkohë që mes Qeverisë sonë dhe Selisë së Shenjtë, ka nisur puna për përgatitjen e saj mbi bazën e kësaj date. Por, unë dua të ndaj me ju kënaqësinë e jashtëzakonshme për faktin se kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Papës së ri në Europë.

Siç kuptohet, prej vetë kontekstit kohor dhe historik, ky rrugëtim i Atit të Shenjtë për Tiranë, mbart një mesazh të disafishtë shprese dhe inkurajimi. Shpresë dhe inkurajim për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë, por të mbarë, të rilindjes dhe të ribashkimit me Europën; Shpresë dhe inkurajim për rajonin që të shkojë më tej në rrugën e sapoçelur të paqes, pas më shumë se 100 vjet luftëra dhe konflikte vëllavrasëse; Shpresë dhe inkurajim dhe për vetë Europën, BE, që të shohë më larg në rrugën e vetë drejt të ardhmes, duke parë me kurajë, pasojat gjithnjë e më të dukshme të dritëshkurtësisë së një zhvillimi ekonomik dhe social, polarizues, mes më të kamurve dhe më të varfërve të kontinentit tonë ”, tha Rama.

Kjo do të jetë vizita e dytë e një personaliteti të rëndësishëm të Vatikanit, pas vizitës së Papa Gjon Palit të Dytë në vitin 1993 në Shqipëri.

Vizita e Papa Franceskut u konfirmua edhe prej tij personalisht sot, gjatë meshës tradicionale të së dielës në sheshin “Shën Pjetër”.

”Me kënaqësi ju njoftoj se, duke pranuar ftesën e Ipeshkvijve dhe të Autoriteteve shtetërore të Shqipërisë, dëshiroj të shkoj në Tiranë, të diel, më 21 shtatorin e ardhshëm.  Me këtë shtegtim të shkurtër dua të përforcoj në fe Kishën e Shqipërisë dhe t’i dëshmoj inkurajimin tim një vendi, që vuajti gjatë, si pasojë e ideologjive të së kaluarës”, ka theksuar Ati i Shenjtë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *