E hëna e 16 Qershorit është një ditë për t’u mbajtur mend për kombin gjerman. Nisi në mëngjes me lajmin më të bukur që të gjithë prisnin prej muajsh, Michael Schumacher hapi sytë, ndërsa mbrëmja u vulos me festë golash. Në Botërorin e Brazilit, kombëtarja e Joachim Low mavijosi me 4 të shtëna golash Portugalinë e Ronaldos dhe nuk mund të kishte një dedikim më të bukur se ky për legjendën e Formula 1, i cili prej gati 6 muajsh dergjej në koma në shtratin e spitalit Grenoble, pas aksidentit në alpet franceze. Më e keqja i përket të shkuarës, lajmet që vijnë për gjendjen e Schumit janë optimiste, megjithatë rikuperimi i plotë, edhe pse nën zë nga mjekët, duket i pamundur.
Në gjendjen e komas, pavarësisht ushtrimeve të vazhdueshme për ta mbajtur në formë, 7 herë kampioni ka humbur në total gati 20 kilogramë nga pesha trupore. Gjithsesi më shumë se çdo gjë vlen fakti që ai nuk ndodhet më në rrezik për jetën dhe tashmë në momente të caktuara, është në gjendje të marrë frymë vetë, pa ndihmën e aparaturave. Kështu raporton ekskluzivisht e përditshmja Bild, ndërkohë që jep detaje të tjera rreth tij. Schumi ka nisur të reagojë ndaj zërave që ka përreth, por është zëri i bashkëshortes Corina që ka një efekt më të fuqishëm se kushdo tjetër. Ndërkohë, në një intervistë për “Der Spiegel”, mjeku Martin Grond tha se do të ishte papërgjegjshmëri, që në këto momente të jepet një parashikim se sa shanse ka Schumi për rikuperim të plotë. Ai tha se nga stafi mjekësor i ish pilotit gjerman kanë dalë shumë pak të dhëna në lidhje me gjendjen e trurit.

Lajmi me i bukur dhe me i gezueshem qe kam marre sot. I lutem zotit ta ndihmoje .Faleminderit.