Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga marrja e vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Ministrja e Integrimit Evropian pohon se vlerësimet pozitive të marra nga vendet anëtare, e mbi të gjitha progres-raporti i Komisionit Evropian, janë një shtysë e fortë për të vijuar rrugën e reformave që qeveria është angazhuar ta çojë deri në fund, për të ecur përpara në axhendën evropiane. “Me marrjen e statusit të vendit kandidat Shqipëria do të kalonte në një fazë të re, ku qeverisë shqiptare i shtohen edhe më shumë përgjegjësitë”, është shprehur ajo në një intervistë të dhënë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”. Në këtë intervistë ajo flet për detaje të lobimit, pritshmëritë për të ardhmen, si dhe përgjegjësitë e detyrimet e gjithë shoqërisë shqiptare në procesin e integrimit.
Pyetje e drejtpërdrejtë si do të votohet me 27 qershor? Çfarë sinjalesh keni?
Në fakt votën kryesore ne e kemi me datë 24 qershor, me mbledhjen e ministrave që përgatisin dhe marin një vendim për çështjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Patjetër që kemi një situatë pak më ndryshe se ajo e dhjetorit, pasi kemi dhe një qeveri tashmë edhe më të konsoliduar dhe me arritje më të shumta. Siç u tha edhe në dhjetor shtyrja e vendimit për statusin u bë pasi vendet anëtare kërkonin të shikonin ecurinë dhe progresin që do të kishte qeveria shqiptarë në 2 shtyllat kryesore, të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tashmë ne kemi një qeveri që ka më shumë se tetë muaj në krye të shtetit shqiptar dhe kemi disa rezultate shumë të mirëpritura nga vendet anëtare ku dhe jemi përgëzuar gjatë kohëve të fundit për 2 shtyllat kryesore që I ka paraqitur dhe progres raporti I cili u publikua me datë 4 qershor. Le të shpresojmë që vendet anëtare këtë radhë do të bazohen në atë që ka konfirmuar edhe njëherë progres raporti për Shqipërinë dhe arritjet që ka pasur qeveria. Le të shpresojmë që do ti jepet fundi kësaj etape të shumëpritur nga shqiptarët.
Në fakt çfarë sinjalesh keni sepse opinion publik është bërë I ditur nga një seri takimesh që ka bërë Kryeministri, ju si Ministre e Integrimit dhe Ministri I jashtëm në vendet që ishin hezituese në dhjetor. Ju ishit në Britaninë e Madhe pak ditë më parë, kë takuat dhe çfarë rezultatesh pati?
Unë kam pasur 3 takime shumë të rëndësishme. I pari ka qenë me Ministrin Lidington që merret me çështjet evropiane dhe politikat e zgjerimit. Më pas me Ministrin e Drejtësisë por edhe Home- Office apo Ministrinë e Çështjeve të Brendshme. Janë takime të rëndësishme sepse janë 3 ministri të cilat kanë një vendimmarrje të drejtpërdrejtë në Mbretërinë e Bashkuar për politikën e zgjerimit. Sinjalet janë pozitive, kemi një situatë më ndryshe sesa në dhjetor por më e rëndësishme nuk janë datat por ajo çfarë progres raporti ka konfirmuar përfundimisht atë që qeveria shqiptare ka arritur. 3 janë takimet që unë kam pasur në Mbretërinë e Bashkuar të cilat kanë qenë tepër pozitiv për arritjet e fundit të qeverisë, për atë që është bërë në vite për procesin e integrimit dhe mbi të gjitha mund të konfirmoj dhe një mbështetje të tyre për reformën në drejtësi që është një nga reformat më të rëndësishme që vendi ka filluar të ndërmarrë dhe do të vazhdojë si proces edhe në vazhdimësi.
Vendimet që marrin kancelaritë e vendeve, janë vendime të diktuara nga politikat e ditës e tyre e brendshme dhe partia Konservatore e cila është në pushtet doli e treta në këto zgjedhje. Ndërsa partia që kërkon nxjerrjen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE doli e partia e parë. Ekziston mundësia se në në një kontekst të tillë ku ekziston lodhja nga zgjerimi mund të kemi sërish një “jo” Britanike?
Është shumë normale që ka një lodhje nga politikat e zgjerimit sidomos edhe për vendet e fundit të cilat janë anëtare të BE që kanë kaluar një proces tepër kompleks por kjo është një çështje që nuk na përket ne kur vjen tek fakti I zbatimit të reformave apo “Road Map”-it apo planit të punës që ne e kemi të përditshëm dhe atë që presin qytetarët nga qeveria. Ajo është një politikë e brendshëm e tyre që kuptohet efekton më pas dhe të gjithë vendet.
Mund të themi se morëm një po në Londër?
Unë nuk do të preferoja të flisja në emër të vendeve anëtare, por vetëm I falenderoj për mirëpritjen dhe gjithë interesin që kanë treguar kundrejt Shqipërisë?
Mund të kemi ndonjë surprizë nga këto vende?
Çdo gjë mund të ndodhë. Asgjë nuk dihet më siguri deri në 24 qershor kur do të merret vendimi nga Ministrat e Jashtëm në Bruksel.
Ju çfarë sinjalesh keni deri në këto momente?
Deri në këto momente ne kemi marrë vetëm pozitivitet dhe lavdërime për progresin e bërë dhe një shtysë për të vazhduar në këtë rrugë që ka nisur qeveria.
Pra deri në këto momente ne mund të themi se e kemi marrë statusin?
Unë do të thoja se shqiptarët e kanë arritur atë çka kanë dashur me Progres-raportin e publikuar në 4 qershor, sepse ai konfirmon punën e qeverisë.
Ju kur negocioni në Bruksel, a keni ndjesi që BE është një klub kristian dhe ka një hezitim për Shqipërinë me një popullsi mbi 50% myslimane?
Asnjëherë nuk jam ndeshur me këtë fakt, madje Shqipëria është vlerësuar për tolerancën fetare. Nuk jemi parë nga vendet anëtare asnjëherë me frymën që ju sipërpërmendët, përkundrazi.
A ka një shqetësim për klimën e brendshme politikë te vendeve si Anglia, përshembull, e cila mund të kushtëzojë vendimin?
Nuk ka kushtëzim pasi Parlamenti Evropian nuk mund të mblidhet përpara marrjes së vendimit për Shqipërinë. Sigurisht që zgjedhjet e Bashkimit evropian mund të kenë një efekt për një fazë më të vonë, por në këto momente unë besoj që efekti I këtyre forcave nuk do të ndjehet, dhe shpresoj që progres-raporti të lexohet qartë nga vendet anëtare.
Deri tani 17 nga 28 vendet anëtarë , kanë firmosur një deklaratë ku japin votën pro për Shqipërinë. Kush janë 11 vendet që nuk e kanë bërë publike?
Janë disa nga vendet, përfshi këtu dhe ato kryesore ku ne kemi kryer dhe vizita, por duhet të kuptojnë edhe diçka, asnjë nga këto vende nuk është e detyruar të nënshkruajë një deklaratë, por kjo nuk do të thotë që vendimi I tyre nuk do të jetë pozitiv në mbledhjen e ministrave të jashtëm. Vendet që e kanë bërë publike votën e tyre janë kryesisht vende fqinje, apo vende të cilat kanë qenë gjithmonë mbështetëse të hapura të procesit të integrimit të Shqipërisë.
Çekia e ka firmosur?
Çekia nuk e ka firmosur për momentin këtë deklaratë.
Por një javë më parë pati një surprizë, media shkroi se për shkak të konfliktit me CEZ, Praga do refuzojë votën pro për statusin?
Në fakt ishte pak tronditëse të dëgjoja për një lajm të tillë, pasi nëse Evropa do të funksionojë mbi bazën e marrëdhënieve të biznesit me vendet, besoj se nuk do të kishim të njëjtën aspiratë si tani. Kemi një proces të cilin ne po mundohemi ta zbatojmë me përpikëri ashtu siç e kërkojnë vendet anëtare, bazuar mbi parimet e BE.
Kur lexuat deklaratat që vinin nga Çekia si reaguat, si u lobua?
Kontaktet kanë qenë të vazhdueshme me qeverinë çeke, por tashmë është e ditur se Çekia nuk ka për të penguar statusin, pasi nuk ka arsye ta pengojë, sepse nuk është e shkruar në asnjë vend që marrëdhëniet e biznesit të ndikojnë në procesin e zgjerimit dhe integrimit në BE.
Gjermania është vendi kryesor, lokomotiva e BE, është një PO e qartë apo ende nuk dihet me siguri?
Unë nuk mund të flas për asnjë “PO”, të qartë deri në momentin që do të merret vendimi nga vendet e Bashkimit Evropian. Di vetëm të them se gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në këtë proces dhe vazhdon të ketë deklarata në mbështetje të statusit të Shqipërisë.
Me cilat vende ka lobuar Znj. Merkel për Shqipërinë?
Di t’ju them me siguri se të gjitha deklaratat e Znj. Merkel kanë qenë shumë pozitive dhe takimet që ne kemi zhvilluar në Gjermani kanë qenë shumë frytdhënëse.
Mund të ndodhë ndonjë surprizë? Si është raporti I forcave me vendet anëtare?
Kuptohet që ka forca ekstremiste, le të shpresojmë që zëri i tyre nuk do të jetë i fuqishëm. Por unë jam e bindur se raporti i Komisionit këtë javë nuk lë shumë hapësira që të gjenden arsye pse Shqipëria të mos marrë statusin.
Çfarë benefitesh ka marrja e statusit për qytetarët shqiptarë?
Kjo është pyetje shumë e rëndësishme pasi është informuese për publikun shqiptar, dhe ajo çka unë do të thoja është se mbi të gjitha marrja e statusit është kalimi I një etape për të vazhduar më pas me atë qe ne quajmë skanim deri në hapjen e negociatave. Pra vendi merr një mesazh që është duke ecur në rrugën e duhur të procesin e integrimit. Nuk do doja ta ngatërroja statusin me përfitime financiare.
Pse nuk ka projekte specifike pas marrjes së statusit nga të cilat mund të përfitojë Shqipëria?
Projektet kanë ekzistuar edhe më parë, asistenca e BE-së do të vazhdojë, do të ndryshojë vetëm fusha e financimit pasi kuptohet që prioritetet ndryshojnë, por pas marrjes së statusit dua ta kuptojnë gjithë shqiptarët se Shqipëria kalon në një fazë të re që rrit përgjegjësinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar me reformat dhe përmbushjen e 5 prioriteteve.
Pra do të ketë një Road -Map të qeverisë shqiptare, do të ketë një kordinim mes ministrive e cila i takon ministrisë suaj. Si do funksionojë, çfarë do të ketë?
Në të njëjtën linjë siç ka funksionuar deri në këto momente. Ministria e e Integrimit ka koordinuar punën mes ministrive të linjës dhe institucioneve të pavarura. Kuptohet që do të kemi një përfshirje shumë herë më të madhe dhe të shoqërisë civile sepse ne kalojmë në një etapë tjetër dhe jo vetëm qeveria por edhe institucionet e pavarura duhet të funksionojnë sit ë tilla por edhe shoqëria civile duhet të luajë një rol tejet të rëndësishëm në gjithë procesin e integrimit. Unë kam rolin e koordinueses, pjesa tjetër është zbatuese e gjithë etapave që do të kalohen. Ne kemi një Road- Map që është miratuar nga qeveria vetëm pak javë më parë dhe ka qenë publike.
Aty janë 5 pika por cila është sfida më e madhe?
Sfida më e madhe që ka vendi është reforma në drejtësi. Kjo reformë duhet jo vetëm të rikthejë besimin tek të gjithë qytetarët shqiptarë për gjyqësorin por reforma në drejtësi është edhe përgjigja më e madhe që ne mund ti japim vendeve anëtare dhe vet shqiptarëve për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ka filluar reforma në drejtësi?
Reforma në drejtësi nuk ka filluar, jemi ende në iniciativat e para. Ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me Komisionin e Venecias që ka dhe një eksperience të madhe edhe me vendet anëtare dhe me vendet fqinje që tashmë e kanë kaluar këtë sfidë për reformën në drejtësi. Kemi dhe oferta të jashtëzakonshme nga të gjithë vendet kryesore sidomos nga Holanda, Britani e Madhe dhe Gjermania për ti dhënë një ndihmë të madhe Shqipërisë për ta kryer këtë reformë me sukses. Reforma nuk ka filluar sepse duhet të kalojë tek grupet e interesit, duhet të diskutohet, duhet të krijohet një draft. Jemi ende në fillimet por që është në një kohëzgjatje sepse nuk mund të kryhet brenda natës.
Disa parime i ka?
Kemi një projekt fitues që është projekti EURALIUS e cila bazohet në shtyllat kryesore që ka Gjermaninë, Holandë dhe Austrinë. Pra janë 3 vende që kanë bashkëpunim me njëra tjetrën dhe që do të jenë pjesë e reformës në drejtësi për të dhënë ekspertizën e tyre. Bashkë me këto vende janë ofruar dhe Britani e Madhe, ku unë kam pasur dhe ofertën konkrete të Ministrit të Drejtësisë I cili ka ngritur tashmë një grup pune që do të komunikojë në mënyrë direkte me Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri për të rakorduar punën. Komisioni i Venecias është aty, kemi Pameca 3, projekti tjetër që do të jetë pjesë e reformës. Do të kemi patjetër dhe do të vazhdojmë të bëjmë thirrje dhe për opozitën që të jetë pjesë, të luaj një rol kryesor, të gjitha institucionet e gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë, shoqëria civile, të gjitha grupet e interes që preken nga kjo reformë
Herë pas here nga Brukseli vijnë shqetësime, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë vendet e Ballkanit që kanë marrë ose jo statusin e vendit kandidat, të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen e lëvizjes së lirë. Për ta thënë në mënyrë më të drejtpërdrejtë, më demokratike pra vijnë sinjale kujdesi me kërkesat e azilkërkuesve sepse mund të rikthejnë sërish sistemin e vizave, a është ky shqetësim real apo është thjesht paralajmërim rutinë?
Ky është një shqetësim real prandaj dhe qeveria ka ndërmarrë disa hapa për ta parandaluar. Ka një bashkëpunim shumë të ngushtë sidomos me vende ku ka komunitete shqiptare tejet të mëdha siç janë Greqia dhe Italia, sepse personat të cilat largohen më shumë drejt vendeve siç jane Gjermania, Holanda, Britania e Madhe janë ata shqiptarë të cilët jetojnë në ato vende. Ka dhe një fenomen tjetër i cili është prezent në Shqipëri që është ai i gjakmarrjes. Fenomen i cili shpeshherë ka dhe spekulim brenda tij. Një punë shumë e madhe është bërë nga policia shqiptare për të kapur ata persona që kanë qenë pjese e këtij aktiviteti që ndërmerrej për të dërguar shqiptarët jashtë dhe më pas për të kërkuar azil në bazë të gjakmarrjes. Kjo gjë po luftohet çdo ditë, nuk është shumë e thjeshtë dhe nuk janë gjëra që ndodhin brenda një dite apo një muaji, por e rëndësishme është që tashmë fenomeni është kuptuar, njihen këto persona përgjegjës dhe çdo ditë jemi në kërkim të zhdukjes së këtij aktiviteti që ndodh në vendet anëtare.
Pra nëse bëjmë një krahasim me semaforin, ne jemi akoma tek portokallia?
Jo, nuk është se jemi në ato nivele risku. Madje në takimet që kryhen me vendet anëtare unë do të thoja që shpeshherë janë më shqetësuese vendet të cilat tashme janë të anëtarësuara në BE siç janë Rumania dhe Bullgaria që në fakt ka qenë një fenomen që është krijuar nëpërmjet tyre dhe ndaj është bërë edhe kaq alarmante për vendet e tjera të Ballkanit apo fqinje. Unë nuk do të thoja që situata është alarmante apo që kemi arritur në atë pikë që mund të hiqen vizat e qarkullimit të lirë në vendet europiane. E rëndësishme është të thellohet bashkëpunimi bilateral midis vendeve.
Përveç reformës në drejtësi që thatë se ishte sfida kryesor përmendët edhe të drejtat e njeriut. Çfarë masash do merren, çfarë ndërhyrjesh do bëhen?
Janë disa pika të cilat tashmë kanë filluar, si reforma e pensioneve e cila është në vazhdimësi për tu kryer dhe është shumë e rëndësishme, kemi barazinë gjinore, vazhdojmë ende të diskutojmë çështjen e kuotave të grave dhe vajzave që sot janë pjesë e e politikës, biznesit apo në shumë fusha të shoqërisë. Kemi të drejtat e fëmijëve që janë shumë të rëndësishme, jetimët , personat me aftësi të kufizuar, pagesat, ndihma ekonomike që u jepet atyre apo politikat favorizuese për punësimin e tyre. Të gjitha këto janë pjesë e prioritetit numër 5 që janë të drejtat e njeriut dhe që është një nga prioritetet që Shqipëria ka patur një progres shumë të rëndësishëm dhe të spikatur.
Të kthehemi tek marrja e statusit. Deri në datën 24 çfarë do bëjë qeveria shqiptare, çfarë kontaktesh, udhëtimesh, axhende keni ju, Ministri i Jashtëm dhe Kryeministri?
Unë personalisht nuk kam udhëtime në vendet anëtare dhe nuk besoj se Kryeministri do të ketë tani shpejt udhëtim të radhës brenda kësaj jave. Them se tani është momenti ku vendet anëtare mbledhin parlamentet e tyre dhe përgatiten në bazën e fakteve të paraqitura nga progres raporti për të kryer mbledhjen e datës 24 qershor. Dhe nuk është momenti që ne të lobojmë shumë apo që të bëjmë edhe presion kundrejt vendeve anëtare. Ajo që është e rëndësishme është që kemi një progres raport shumë pozitiv dhe që ndodhemi në një moment që na jep një shtysë më të madhe për të vazhduar në këtë rrugë.
.
