Sektori i ndërtimit është njëri prej sektorëve të ekonomisë që po vuan më shumë në tregun shqiptar. Kjo për shkak të ngopjes së tregut apo mungesës së vizionit në këtë sektor, por viti i fundit kur është bërë censusi nga INSTAT rezulton që 22 për qind e apartamenteve janë të pabanuara, kur në 2001 ky raport ishte 11.3 për qind e tregut. Shpërndarja e banesave të pabanuara në vitin 2011 vazhdon të pasqyrojë situatën e vitit 2001, me raporte më të larta banesash të pabanuara në Jugun e Shqipërisë (Vlorë dhe Gjirokastër). Një vështrim i shpejtë i qarqeve me raporte të ndërtesave të pabanuara më të larta se mesatarja e vendit prej 21,7% provon supozimet e bëra më parë se stoku i banesave të pabanuara rritet si rezultat i braktisjeve të shtëpive për shkak të migrimit, apo ndërtimit të shtëpive për banim sezonal në afërsi të bregdetit. Si rrjedhojë në vitin 2011, banesat e pabanuara arrijnë mbi një të tretën në Vlorë dhe Gjirokastër dhe rreth një të katërtën në Berat, Dibër dhe Lezhë. Arsyeja përse Fieri, Korça dhe Durrësi paraqesin raporte të ngjashme me ato të mesatares së vendit, ndërsa të tjera si Tirana dhe Elbasani paraqesin raporte edhe më të ulëta nga këto qarqe mund të jetë fakti që këto qarqe tërheqin migrantë të brendshëm dhe kanë popullsi më të mëdha. Më konkretisht, në rastin e Tiranës dhe Durrësit, kërkesa për strehim është më e madhe dhe përputhet me ofertën e disponueshme. Si rrjedhojë, këtu shpaloset një proces tjetër, duke qenë se disa nga këto zona po ndryshojnë profilin ekonomik të tyre: pavarësisht se mund të ketë humbje të popullsisë për shkak të emigrimit në vende të tjera, ato vazhdojnë ta rrisin popullsitë e tyre për shkak të prurjeve të njerëzve nga zona më pak të zhvilluara. Tirana mbetet pritësja më e madhe e migrimit të brendshëm, dhe si rrjedhojë, bumi i ndërtimeve ka ndodhur në qytet dhe në periferi të tij. Qarku e Vlorës ka veçorinë që të ketë si një nivel më të lartë banesash të pabanuara ashtu edhe një nivel më të lartë banesash të banuara, krahasuar me mesataren e vendit. Banesat e pabanuara mund të jenë rrjedhojë e migrimit dhe e banesave sezonale dhe qendrave turistike, ndërsa nivelet e larta të banesave të banuara mund të jenë rrjedhojë e faktit se është një qytet me potencial në rritje për mundësi më të mëdha për punë dhe kushte jetese, duke tërhequr banorë nga zonat përreth. Përqëndrimi i banesave të banuara në zonën e zgjeruar të Tiranës përfaqëson më shumë se një të katërtën e shpërndarjes së përgjithshme të banesave të banuara në vend, i ndjekur nga Durrësi, Fieri, Elbasani, Vlora dhe Korça. Shpërndarja e shtëpive për qëllime dytësore apo sezonale konfirmon faktin se ato janë të përqëndruara në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, përkatësisht 16,5%, 14,6% dhe 12,6%. Durrësi ka dy herë më shumë shtëpi se sa mesatarja e vendit prej 8,3%.
