Mbi rënien e fanar-mbajtësit

redaktor

Prijësi i karvanit, fanar mbajtësi ecte në krye. Pas tij vinte vargu i të tjerëve. Burra, gra, pleq, të rinj, fëmijë, të mençur e të marrë, kush vetëm me rrobat e trupit, kush vetëm me një thes rraqesh mbi shpinë, çapiteshin ngadalë, me sytë e mendjen të mbërthyer vetëm atje ku do të shtrinin këmbën e vetëm atje ku do të ngulnin thonjtë.
Nga koka ku fanar mbajtësi ndriçonte shtegun “e pashkelur kurrë më parë nga askush” e deri tek bishti që thyente e copëtonte çdo gjë që mbetej nga pas si një gjarpër gjigant, zvarritej karvani duke shtrënguar dhe liruar hallkat e shtetit e të pushtetit, si unaza muskulore, njëra pas tjetrës… Ofshama, rënkime, ngashërime dhe herë pas here klitha rrënqethëse nga ata që shtyheshin ose rrëzoheshin në humnerën e llahtarshme që përpinte gjithçka, edhe kujtimin, jo vetëm nga një hap apo një ngulje thonjsh jashtë gjurmëve që linte nga pas fanar mbajtësi, por edhe nga mërmërimat e belbëzimet se pse, patjetër, vetëm natën duhet ta kapërcenin atë shteg të ngushtë ku, nga njëra anë varej humnera që përpinte gjithçka, edhe veten, edhe nga ana tjetër faqja e pjerrët e shkëmbore e malit ku rrëshqisnin edhe retë?! Befas… karvani ngriu. Një klithmë mbi klithmat gërreu për një çast terrin e natës dhe pastaj, dalëngadalë, u tret ne humbëtirën e humnerës.
Kishte rënë… fanar mbajtësi!
Terri dhe hutimi pushtoi gjithçka. Të ngulur atje ku u gjenden të gjithë i përfshiu vaji. Të qarat, ngashërimat, hofshamat, nga fillimi në fund e nga fundi në fillim filluan të përkundin karvanin drejt… përgjumjes… Kur rrezet e diellit zbardhën faqen e pjerrët të malit dhe grykën e humnerës, karvani flinte!
Kështu deri në mbrëmje. Kur terri përsëri veshi shpatin e malit dhe zhveshi humnerën, karvani u shkund, shtrydhi gjymtyrët, hodhi mbi shpinë thesin e rraqeve dhe përsëri u bë gati për udhë duke ngulur vështrimin si i çakërritur drejt kreut të tij.
Ashtu si vite më parë, brenda harkut të përrallës, legjendës apo historisë, nga kreu i karvanit u shkëput një prijës i ri… Ai s’bëri gjë tjetër veçse flaku në humnerë fanarin e fanar mbajtësit dhe befas, rrëmbeu… pishtarin. E ndezi, e ngriti lartë dhe ndriçoi kreun dhe rrethqarkun e tij i ngazëllyer si… pishtar mbajtës.
Ai e dinte shumë mirë se “errësira është gjallesa e tij”, ndaj ashtu si dikur: Shtegu i mallkuar duhet të kalohet natën dhe vetëm natën, tashmë jo në dritën e fanarit, por nën flakën e pishtarit. Drita ishte vdekje për të. Karvani përsëri u zvarrit… Dhe erdhi një çast që klithma rrënqethëse e çau sërish errësirën: Dritën prijëse dhe prijësin e përpiu errësira, por karvani u përpoq dhe po përpiqet të mos përkundet në vajin e përgjithshëm që sjell nanurisjen e gjumit që të bën të mos e kuptosh se shtegun e mallkuar mund ta kapërcesh edhe ditën në dritën e diellit. Drita e diellit s’ka nevojë për fanar e as për pishtar, rrjedhimisht as për “fanar-mbajtës” dhe as për “pishtar-mbajtës”. Drita ka nevojë për udhë-rrëfyes… Udhë-rrëfyesi dhe fanar e pishtar-mbajtësi janë aq larg nga njëri-tjetri, sa s’ka ag dhe muzg që i përkon. Karvani është bekuar për karvan. Nuk është mallkuar për turmë.

Share This Article
3 Comments
  • Prandaj jemi ne kete gjendje sepse prej qindra vitesh nuk kemi udheheqes te mire, si populli ashtu udheheqesi…..

  • Fanar e pishtarmbajtesat tanë janë ata që kanë hedhur gurin ne shpellat e humnerës dhe kanë futur karvanin per ta nxjerë!? Çdreq karvani është ky o esseisti brilant Astrit Çerma? Ka shumë të marrë ky karvan? Nga ata që “drita” i trëmb!? Nderime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *