Dëgjuam Tahirin e Didin, ç’thonë Veliaj dhe Ahmetaj?

redaktor

Ndërhyrja grushthekurt e shtetit në Lazarat, e ka pështjelluar më shumë të ardhmen e afërt e të largët të këtij fshati nammadh. Deri më tani, deklaratat qeveritarëve të rinj, posaçërisht kryeministrit Rama, na vizatuan jo një Lazarat ku shteti ndërhyn më trupa e autoblinda, por që josh me oferta alternative, për ta detyruar fshatarin, në rolin e trafikantit a punëtorit të thjeshtë qoftë, që të heq dorë vetë prej djallo-bimës. Dhe që kjo që po ndodh shton dilemën se ç`ka pas atyre 800 trupave me “kërbaç”, pra ç`lloj “kulaçi” plot aromë e shije?! Thënë më shkoqur: si do të kompensohen ato të ardhura që tek e fundit, mbajnë gjallë sa e sa ekonomi familjare në Gjirokastër e rrethina, vetëm duke qarkulluar?! Cila do jetë e ajo e nesërme që do e vetëdijësojë fshatin se ishin keq kur ishin mirë?! Ndaj, sa ç’është e nevojshme që të dëgjojmë se ç`thotë ministri Tahiri apo kryepolici Didi, po aq e rëndësishme është që të dëgjojmë se ç`thonë ministrat Ahmetaj e Veliaj

Të këqinjtë e Lazaratit

Pakkush e njeh një realitet në Lazarat, atë që thotë shumëçka mbi mënyrën dominante të të menduarit në atë fshat, psikologjisë sunduese, që assesi nuk pranon që aty po ndodh një gjë e keqe me kultivimin e hashashit, të fituarit e të jetuarit me të. Aksioni i fundit në Lazaratit, daton afro 6 vite më parë. Pra, gjatë qeverisjes së PD-së. Në lajme u transmetuan pamje me policë e forca speciale që, siç thuhej në edicione lajmesh, kishin hyrë nëpër parcela, shkulnin e më pas digjnin rrënjë kanabisi. Por nga një banor i atyshëm, besimtar mysliman, më ofrohet një kasetë filmike me xhirime të sa e sa parcelave që nuk ishin prekur, që do të thoshtë pra se aksioni ishte thjesht një truk mediatik. Pamjet denoncuese të gënjeshtrës qeveritare u transmetuan asokohe në TV. Të vetmit që i janë shmangur ritit të kulitivimit të hashashit në Lazarat, që duhet thënë se ka një forcë tërheqëse të jashtëzakonshme, janë besimtarët e rregullt të atij fshati. Ata trajtohen si “dele e zezë”, pikërisht nga fakti se nuk pranojnë të përfshihen në zellin e madh për atë lloj pune, e që mbi të gjithë, e klasifikojnë si haram të ushqyerit e të jetuarit me kultivim e trafikim lëndësh narkotike. Kjo i ka çuar dhe në jo pak përplasje brenda familjeve të tyre. Sakaq, fati e ka dashur që mos jenë më të mjerët e fshatit nga pikëpamja ekonomike. Një pjesë prej tyre janë vërtet parelinj, por jo nga droga.

Legjendat urbane në jugun e thellë

“Nëse nuk do ishte Lazarati, Gjirokastra do ishte e gjitha Dropull, e aty do flitej vetëm greqisht” – është kjo një ndër tezat që ushqen “krenarinë e lazaratasve” mbi rolin dhe pozitën e tyre në rrafshin kombëtar. Do ishte e papranueshme – dhe ashtu është – që teza të tilla të potencohen si serioze në këtë situatë. Por së këndejmi buron ajo legjenda urbane që thotë se droga Lazaratit nuk është veçse një zgjidhje e ardhur nga kushedi se ç`qarqe, të cilat plus fitimit marramendës, kanë për qëllim të ruajnë balancat e fuqisë ekonomike në zonë mes minoritetit dhe pjesës shqiptare. Përndryshe, realitete të ngjashme kultivimi e trafikimi, qoftë dhe të vockla fare, do ishin shfaqur dhe tek fqinjët e minoritetit.

Beteja, në një front apo disa?!

Beteja për të marrë Lazaratin, deri më tani ka pamjen e një shteti të mobilizuar fuqishëm, siç thuhet, të armatosur gjer në dhëmbë, për ta bërë zap fshatin legjendë të kanabisit. Por askush nuk e pranon dhe të gjithë e pohojnë nën zë, se Lazarati, ai i më i keqi, është gjetiu, të paktën në Tiranë. Dhe pyetja shtrohet: Po në fronte të tjera pra, a po ndërhyet?! Nëse deri më tani po shohim “Rambo” që mbajnë të rrethuar fshatin dhe që po përpiqen të mbërthejnë rebelët, a po ka përpjekje dhe gjetiu pra, për të mbërthyer pikat B, C e Ç të trafikut, meqë në pikën A po bëhet nami?! Nëse pas Gate-legjendës, nuk do shohim të dorëzuar a të prangosur dhe “barinj të kollarisur” të kësaj pune, vështirë të besohet se nw ditët, javët e muajt në vijim, do kemi tituj të tillë: Lazarati, fundi i një epoke!

Lazarati, sherrin e ka në paqe!

Kjo që po ndodh në Lazarat ç’prej dy ditësh, sigurisht që nuk do vijojë gjatë. Reagimet me armë, krismat e të shtënat; shteti që skërmit e tregon dhëmbët nga ana tjetër, do kenë kreshendon e tyre e më pas do vijnë në pikën e shuarjes. Ka ndodhur dhe më parë kështu, ndonëse jo në këto përmasa, jo me këtë vendosmëri, jo me këto përbetime për t’i shkuar deri në fund. Lazarati ka dy probleme, që reflektojnë sfidat kryesore të kësaj qeverie: kontrollin mbi territorin dhe ushtrimin e një zejeje të paligjshme. Po ndërsa kontrolli mund të vihet, e prania e shtetit në trajtë polici në këtë fshat të jetë mëse e zakonshme, me zejen a do ndodhë që të ushtrohet më?! Pra, në mëngjeset plot fllade, nën rrezet e lëbyrta të diellit që feksin mbi fshat, a do ketë më banorë të ngeshëm për të kapur shatin e hedhur farën e mbjelljes?! Pra, nuk është halli se ç’po ofron kjo “luftë”, porse çdo ofrojë paqja nesër. Kjo, provokon më tepër kërshëri se çdo e dhënë tjetër që vjen nga fronti i nxehtë.

Share This Article
11 Comments
  • Ke dashur te besh te mençurin me kete analize, o Ermir Hoxha. Madje duket sikur je pak i trishtuar per lazot. Ti je aq i zgjuar per te kuptuar se lazarati perbente nje simbol teper te rrezikshem te antishtetit dhe antiligjit ne Shqiperi. Ne rast se do te lejohej qe kjo pjese e Shqiperise t’i shpetonte kontrollit te shtetit, keto zona “free” do te shumoheshin si kerpudhat. Dhe Shqiperia do te kthehej ne Kolumbi. Ku ligjin do ta bente krimi dhe trafikantet e te gjiha llojeve. Fale Edi Rames ky skenar vdiq. Shteti do kete kontroll te plote ne çdo skaj te vendit. Persa i takon hashashit ai do te vazhdoje te mbillet ne Lazarat dhe kudo tjere ne Shqiperi. por fshehurazi dhe pa i bere karshillek autoritetit te ligjit. Personalisht nuk me shqetesonte aq shume hashashi sa me shqetesonte ai mentaliteti i ketyre “malokeve te jugut” – se ne nuk pyesim per shtet. Nderhyrja ne Lazarat ka edhe nje efekt tjeter psikologjik. Kjo tregon se nuk ka me ” te forte” dhe “te paprekshem”. Nuk ka me trima nga Mamurrasi dhe Lazarati me te cilet Kafsha mburrej se mund ta rimerrte pushtetin per 1 ore. Dhe kur njerezit binden per forcen e shtetit, ditet e krimineleve shkurtohen. Duke perfshire ketu edhe ata me kollare te Kuvendit qe kane vrare, kane grabitur, kane shkaterruar nje shtet te tere. Ky eshte simboli: Shteti po rikthehet. Gjeni vrime te futeni ju qe keni shire si ne mall te babait gjate ketyre 23 vjeteve. A e kuptove o Ermir?!

    • Z. Ermir !

      Nuk e di nese ke shkruar ndonje here neper gazeta dhe si je pritur nga lexuesit. Me kete shkrim te sotem,per mendimin tim,sado pritje te mira te kesh pasur me perpara,e ke dhjere fare.
      A mundet qe nje gazetar,i cili presupozohet te sjelli lajmin ashtu sic ndodh,te shfaqi shenja kapitullimi te shtetit ndaj krimit?
      Cfare do te shkruaje sikur shteti nuk do te nderhynte kurre ne vatra te tilla te inkriminuara?
      Ty si gazetar nuk te lejohet kurre te shkruash me “sikur…”

    • S’ke c’ti shtosh, apo heqesh, kendveshtrimit tend. Fatkeqesisht kemi jetuar kaq gjate me absurdin, sa do doje pak kohe qe shoqeria (perfshire “boshtin” gazetaresk) te shohe me qarte e te mesohet me sistem vlerash te qendrueshem.
      Cuditerish, jane dy opinione sot, tek kjo gazete, me kete fryme te cuditshme… uroj qe te jete rastesi.

    • Ideja e ketij shkrimi eshte :
      Shume mire qe u bllokua Lazarati, por cfare do te ndodhe me tej ?
      Me kujtohet se kur Edi Rama shkateroi ndertimet pa leje buze Lanes ne Tirane, pati zera qe e kundershtuan, por shumica e miratuan kete veprim edhe duke e motivuar me fjalet : Duhej nje i krisur si Rama qe ta bente kete pune.
      Por cndodhi me vone me Tiranen ?
      U “pastrua” Lana, e u ndot gjithe Tirana.
      U prishen ca ndertime barakash e bile edhe ndonje ndertese me beton buze Lanes, e u ngriten me qindra pallate shumekateshe “me leje ndertimi” e pa leje, ne menyren me kaotike pa asnje plan urbanistik.
      U ngushtuan edhe rugicat me keto pallate. U zune te gjitha tokat qe mund te shfrytezoheshin si hapsira te gjelbera per publikun.
      A mund te dale nje “burre nene” qe ta riparoje kete katastrofe urbanistike ndonjehere ne kryeqytet ?
      Ja me nje “aksion me goditje te perqendruar” sic beheshin ne kohen e Dulles, ju mblodhen rrypat Lazaratit.
      Por a thua me kaq mori fund kultivimi e trafiku i mariuhanes ne Shqiperi ?
      Me disa vezhgime qe jane bere, pranohet se ne Shqiperi jane disa dhjetra mijra fshatare qe sigurojne jeten me kultivimin e hashashit.
      Pjesen e e luanit ne fitimet e ketij kultivimi, nuk e marin “kriminelet” e Lazaratit apo te fashtrave te tjera te shperndara ne gjithe Shqiperine, por grupe te sofistifikuara bandash kriminale qe meren me porosine e ketij malli, qe njekohesisht organizojne edhe “tregetimin” e tij jashte Shqiperise.
      Nese nuk “shpartallohen” keto banda, eksponente te te cileve eshte perfolur se jane bere edhe deputete edhe oficere policie, do te mbyllet perkohesisht Lazarati e do te filloje “Progonati”.
      Duket se Hoxha e ka fjalen ketu me shume per qeverine e kaluar, por nese ne menyre selektive do te goditen vetem “armiqte politike”, duke mbuluar njerezit e inkriminuar te forces politike qe ka pushtetin, situata problematike e droges ne Shqiperi do te perkeqesohet edhe me shume

  • Dakord Katarakti,shtetin e kerkojme te gjithe te jete garant I zbatimit te ligjit,kjo po behet, por artikullit shkruesi,hedh idene per neser,pra cdo te behet per punsimin atje dhe gjithandej,si do dalin te ardhurat per fshatin,c’politika duhen ndjekur qe fermeri shqiptar te dale ne treg,dhe kur them kete nuk e kam fjalen per ca fermere rreth qytetit Tirane,Elbasan lushnje e gjetke,por kur them te dali ne treg kam parasysh jo vetem tregune brendshem por edhe me tej,nevoje jetike per 50 perqind te popullsise e cila banon ne fshat.Te gjithe e dijme se me dy dollar ne dite per fryme nuk jetohet,ky eshte problem.

  • More Ermir{sic ke emrin ashtu deheroj ta kesh edhe zemren} ti ngrite nje varg problemesh per sot dhe per neser per Lazaratin dhe e motivon ne nje fare menyre si domosdoshmeri kultivimin e kanabisit nga ana e tyre si e vetmja menyre per te mbijetuar
    Po te bej nje pyetje:Po banoret e te gjithe viseve te tjera shqiptare te cilet kane nje mije e nje probleme edhe me te medha se ne Lazarat si ja bejne valle? A thua se e vetmja menyre per te mbijetuar ne kete vend eshte vetem droga?

  • Po çfarë palo shkrimi është ky? A ka redaktor aty te Dita? Ky autori duket kaqol fare. O zoti Xh. Shehu, kush ia shikon shkrimet këtij diletantit? Se ti i di mirë këto punë, je gazetar i vjetër. Hiqjani, more, se turpëruat gazetën! Ta thotë një mik i vjetër i zanatit, meqë ty të njoh aty.

  • Me mendje te kthjellet e vertete realist.

    Ketij vendi i duhet me shume gazetare ( e persona te cdo fushe) qe jane ne giendje te shohin pas aparences, e tambureve te zhurmshme.

    5*

  • Z.Ermir,Min.Tahiri e Dr.Didi e than fjalen e tyre,ndersa mendimin e Ahmetaj & Veliaj e dhat ju ne nje far menyre.Shumica po te kundershtojne edhe,une gjithashtu.Shqiptaret duhet ti kthehen punes se ndershme,me djers e jo pislleqe.Tokat tona jane kthyer ne moçale,ne gjemishte,ferrishte dhe djemuria po qendron çdo ore e dite ne kafene,se eshte vrar puna.Ne qe po ju shkruajme kemi linur,rritur e banuar shume kohe ne fshat,ku punonim token me qe dhe jetonim me djersen e ballit.Qeveria duhet te shikoi me perparesi fermeret dhe te fus njerzit ne pune,pasi me drogemen dhe prostituta nuk ndertohet vendi.Me kete lloi pune pasurohen vetem disa kapobanda qe frymzohe nga disa shtetar vjedhes,vrases e te korruptuar qe nuk ja duan te miren ktij vendi.EU dhe Bota po i drejton syt nga LAZARATI-Kolumbia Shqiptare.E pse?,Ç’duhet te bejme ne?Ku po shkojme keshtu?

  • Erjoni i ka hapur zurat e punes kudo. Do ta hapij edhe ne Lazarat. Le te vene te regjistrohen dhe te gjejne pune. Mos kerkoni t’u paguaj ministri me rroge nga shteti.

  • Mendim ekonomik,jo grindje virtuale…!Aksjoni i policise le te vazhdoje me kapot e shitjes e te konsumimit te droges ne Tirane e kudo neper shkolla….!ndersa zgjidhja e problemeve sociale ne Lazarat vjen nepermjet investimit te atyre vlerave qe kane akumuluar nga droga le ti kthehen prodhimit te ushqimeve blegtorale,nepermjet krijimit te fermave blegtorale e ti kthehen normalitetit ne kete vend te bekuar,pasi banesat e reja i kane ndertuar le te ndertojne banesa per bagetite e le te nisin se puna do te ece mjaft mire!Urime e pune te mbare!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *