Në Lazarat janë degët

redaktor

Letër e nënshkruar

Muhamet Fishku

Po ndjek me emocion të veçantë ngjarjen në Lazarat. Impresionet janë të fuqishme dhe po i ndaj në dy aspekte. Natyrisht këto janë fjalët e një qytetari të thjeshtë të pa ndikuara nga slogani tejet i bezdisshëm politik e pragmatist që nuk na ndahet ditë e natë. Ndjesia e parë që më emocionon e njëkohësisht më bën krenar, janë përgjigjet e sinqerta të banoreve të zakonshëm të Lazaratit në intervistat e tyre. Ata shprehnin distancimin nga grupi kriminal që po terrorizon një fshat me njerëz të mirë e që kërkojnë me ngulm një jetë të ndershme e me djersën e ballit.

Sinqerisht, unë dhe të tjerë që kemi biseduar, sigurisht të ndikuar nga poterja e qeverisë 8 vjeçare, mendonim se në Lazarat nuk banonin njerëz të thjeshtë, por kriminelë të lindur. Gabim i rëndë që na bën fajtorë për indoktrinimin e yshtur nga një politikë e shfrenuar dhe e ndyrë në dorë të një hiene politike si S.Berisha.

E kam thënë edhe më parë që litari mbi varr i doktorit do ta bëjë të vuajë edhe për shumë kohë Shqipërinë. E keqja që ka mbjellë është shumë më e thellë se sa mendohet. Çrrënjosja e saj kërkon mund e djersë që na takon ta përballojmë të gjithë. Aktivizimi serioz i forcave të rendit në bazë të një plani operacional tregon seriozitetin e kësaj qeverie në këtë luftë aspak të lehtë. Mendoj që qeveria paraardhëse duhet të ulë kokën e turpëruar para popullit të vet dhe duhet ta deklarojë veten pjesë integrale të këtij krimi që i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme në udhëtimin shqiptar drejt Europës. Krimineli i vërtetë është në Tiranë. Këtu është rrënja. Në Lazarat janë degët. Një ditë, qoftë sa më e afërt, Shqipëria do të marrë frymë lirisht, se aty banojnë qytetarë të ndershëm si 99 përqind e banorëve të fshatit të blasfemuar kaq padrejtësisht.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *