SHENIM: Horror sehirxhinjsh….me ndihmën e medias!

redaktor

Në një portal informativ, ofrohet një video mjaft e veçantë; e veçantë për mënyrën si ofrohet, si motivohet shikueshmëria e saj. Komenti që shoqëron pamjet, të ngjan se mes fjalëve pikon dëshpërim, keqardhje, apel për shpëtim; por më pas, kur sheh pamjet, konstaton jo vetëm një mospërputhje të hatashme mes komentit gazetaresk dhe pamjeve në video, por një horror të vërtetë prej mungesës së çdo sensi dhe njerzillëku për të abuzuar e talluar paq me njerëzit; si  me ata në video e si me ata që e shohin atë dhe lexojnë komentin e saj ‘pa lidhje’.

Më saktë, dikush nga brenda makinës, ka xhiruar me celular ca njerëz të cilët bijnë brenda një grope të hapur në rrugë, në një situatë përmbytjeje nga shiu. Xhiruesi i skenave, qartazi e ka në dorë që të mund të evitojë drama të mundshme jetësh njerëzore, por preferon të bëjë sehirxhiun para humanit, duke zgjedhur të sigurojë pamje të pazakonta, me idenë se me to mund të fitojë një dorë të mirë parash. Ai është pozicionuar pak metra larg “kurthit natyral” dhe xhiron në terrin e natës viktimat e njëpasnjëshme të gropës, shiut dhe errësirës, pavarsisht nëse janë burra, gra, fëmijë a pleq. Autori nuk njihet cili është, por portali që e ka publikuar, po.

Atij nuk ka shanse t’i kërkohet llogari për gjestin e zgjedhur të sehirxhiut dhe dokumentuesit vizual të asaj “gallate”, por portalit që e shet si diçka normale, po. Nuk përbën problem përse e ka publikuar videon, por se përse ka zgjedhur ta komentojë në atë mënyrë që, diçka të ulët, deri dhe të turpshme, ta shesë për normalitet.

E.H

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *