Në sallën e Parlamentit munguan deputetët e opozitës maqedonase përveç Roza Topuzovkas e cila nuk i është bindur urdhërave të drejtuesve opozitarë për bojkotimin e punimeve të Parlamentit.
Deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare votuan kundër qeverisë, duke thënë se ajo nuk ka ndryshuar dhe është bërë shkas për bllokimin e proceseve integruese të vendit, si dhe për shkak të pozitës së vështirë të shqiptarëve në Maqedoni, siç u shpreh deputeti Orhan Ibrahimi.
Dy partitë e koalicionit, VMRO dhe BDI kanë 79 deputetë, në parlamentin prej 123 vendesh.
Në radhët e VMRO-së nuk ka shumë ndryshime për sa i përket emrave të kandidatëve për ministra, përveç Zoran Jolevskit, ish-ambasador deri para pak ditësh në Uashington, i cili do ta drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes.
Ndërkohë, tek BDI-ja ka më tepër emra të rinj në qeveri. Adnan Jashari do të jetë ministër i ri i Drejtësisë, Bekim Neziri i Ekonomisë, Lirim Shabani i Vetadministrimit Lokal dhe Nurhan Izairi ministër i Ambientit. Ndërkohë, Abdilhaqim Ademi do të drejtojë Ministrinë e Arsimit; Musa Xhaferi vazhdon të jetë zëvendës-kryeministër, i ngarkuar me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa Fatmir Besimi për Integrimet Evropiane. Visar Fida nga radhët e BDI-së do të jetë ministër pa portofol. / Zeri i Amerikes
