Në një aksion të përbashkët, policia britanike e ajo franceze kanë shkatërruar një grup kriminal që merrej me trafikimin e emigrantëve shqiptarë nga portet franceze drejt Britanisë. “The Daily Mail” dhe media të tjera shkruanin se emigrantët shqiptarë paguanin 8 mijë stërlina për të kaluar ngushticën e La Manshit, mes Francës dhe Anglisë. Ky rrjet trafikantësh drejtohej nga një kosovar i pasur në qytetin francez të St Malo-s. Nga hetimet e deritanishme janë kryer 14 udhëtime nga ky grup, që përdor peshkarexhat franceze për të sjellë drejt Britanisë emigrantët shqiptarë. Në këtë operacion, deri më tani janë arrestuar 12 persona, të cilët mendohet se kanë trafikuar të paktën 200 shqiptarë, teksa aksioni ende nuk ka përfunduar. Kjo metodë e trafikimit, përmes anijeve turistike dhe peshkarexhave, është përzgjedhur për të shmangur kontrollet në pikat e kalimit kufitar nëpër porte, si dhe atyre kontrolleve që u nënshtrohen maunet dhe kamionët e mallrave që vijnë në Britani. Operacioni nisi pas arrestimit, vitin e kaluar, të dy kapitenëve të anijeve, të cilët kishin marrë me qira jahte luksoze.
Pranga 12 peshkatarëve franko-anglezë, trafikuan ilegalisht 200 shqiptarë me anije
