Ushqime të ndryshme mund të çojnë në shfaqjen e reaksioneve të caktuara alergjike në organizëm. Format e shfaqjes së këtyre alergjive mund të jenë nga më të lehtat, e deri tek ato më të rënduarat të cilat mund të shoqërohen me pasoja fatale për jetën. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon se cilat janë shenjat që na ndihmojnë të kuptojmë se vuajmë nga një reaksion alergjik i shkaktuar prej ushqimit që kemi ngrenë. Sipas mjekes shfaqja e simptomave pasi konsumoni një ushqim mund të jetë shenjë e një alergjie ushqimore, ndaj dhe duhet vepruar me largimin e këtyre ushqimeve nga vaktet e përditshme. Për çdo rast duhet konsultuar mjeku alergolog, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet që mund të vijnë si pasojë e mos kontrollit në kohë të reaksionit alergjik ushqimor. Kjo pasi alergjitë ushqimore nuk shërohen. Në këto kushte, shmangia e alergeneve ushqimore, ndjekja e kujdesshme e ecurisë së shëndetit tek mjeku, si dhe menaxhimi i reaksioneve alergjike ndaj ushqimit, janë masat kryesore për të mbajtur larg pasojat e rënda në shëndet.
Kur ndodhin alergjitë ushqimore?
Rreth 90 për qind e të gjitha reaksioneve alergjike sot e përbëjnë alergjitë ushqimore. Alergjitë ushqimore ndodhin kur sistemi imunitar i organizmit të njeriut identifikon gabimisht si të dëmshëm një komponent ushqimor. Komponentët më të zakonshëm ndaj të cilëve kemi alergjitë më të shpeshta ushqimore janë komponentët proteinikë. Sistemi imunitar është gjithmonë në sulm ndaj këtyre proteinave duke dërguar vazhdimisht qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) për të sulmuar, duke shkaktuar kështu reaksion alergjik. Këto reaksione mund të jenë nga të buta e deri në përgjigje të rënda, e me pasoja për jetën. Reaksionet alergjike mund të prezantohen në formën e dermatitit alergjik (alergjizimeve të lëkurës), në formën e çrregullimeve në organet e tretjes, në vështirësinë e aktit të frymëmarrjes e deri në gjendjen e shokut anafilaktik, i cili përbën një urgjencë mjekësore, e cila mund të rrezikojë edhe jetën në qoftë se nuk ndërhyhet menjëherë dhe me efikasitet. Përgjithësisht alergjitë nuk shërohen, prandaj duhen shmangur sa të jetë e mundur ekspozimi ndaj tyre. Rëndësi të madhe ka edhe përdorimi i imunoterapive (desensibilizimi ndaj faktorëve alergjikë ushqimore), i cili bëhet me këshillimin dhe nën ndjekjen e ecurisë nga mjeku specialist. Në rang botëror sot rezultojnë të prekur nga alergjitë ushqimore rreth 4 për qind e të rriturve dhe rreth 6-8 për qind e fëmijëve nën moshën tre vjeç. Vihet re një rritje e përqindjes së alergjive ushqimore në vendet e zhvilluara dhe kjo mendohet edhe si rezultat i rritjes së përdorimit të ushqimeve të konservuara, fast-foodeve, etj.
Cilat janë simptomat më të zakonshme klinike të alergjive ushqimore?
Simptomat e alergjive ushqimore janë të ndryshme nga njëri person tek tjetri. Po ashtu ndryshon nga personi në person edhe sasia ushqimore e nevojshme për të shkaktuar një reagim alergjik. Përgjithësisht reaksionet janë akute, të menjëhershme (nga disa sekonda deri në një orë nga koha e marrjes së ushqimit). Mund të shfaqet kruajtje (pruritus) e buzëve, të gjuhës, fytit, syve, të lëkurës, ndjesia e shpimit me gjilpërë, etj. Kjo mund të pasohet me ënjtje (angioedema) të buzëve, syve, qepallave apo të gjithë fytyrës. Edema përparon dhe mund të kemi vështirësi në gëlltitjen e lëngjeve (edema e ezofagut), sekrecione të lëngshme nga hundët (edema e mukozës nazale), ngjirje zëri (edema e laringut), vështirësi në frymëmarrje, të përziera, të vjella ose dhimbje barku. Rreziqet e alergjive ushqimore thellohen kur kemi shfaqjen e çrregullimeve dhe vështirësisë në frymëmarrje, si edhe kur preket funksioni i qarkullimit të gjakut. Klinikisht kjo manifestohet me puls të dobët dhe nxirje të buzëve, ekstremiteteve (cianozë), zbehje të lëkurës dhe gjendje të fikëti, vilanie.
Po në rastet më të rënda cilat janë simptomat që shfaqen ?
Në rastet e rënda të prekjes së funksionit të frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut (ulje e shprehur e presionit arterial) kemi të bëjmë me atë që e quajmë shok anafilaktik. Kjo përbën urgjencë mjekësorë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Mjaft të predispozuara për shok anafilaktik janë alergjitë ushqimore që shfaqen prej kikirikëve, arrave, produkteve të detit, farat e susamit, të lulëkuqeve, etj. Mjaft e shpeshtë është edhe alergjia nga veza dhe me shpesh nga e bardha e vezës sesa nga e verdha (ku ndodhet dhe përbërësi proteinik i saj). Po ashtu alergjia shfaqet nga qumështi i lopës ose i deles. Një pjesë e vogël e fëmijëve që kanë alergji nga qumështi i lopës mund të kenë një reagim edhe ndaj mishit të saj sepse kanë të përbashkët një sasi të vogël proteinash. Ushqime të tjera që përmbajnë proteina alergjike mund të përmendim grurin, sojën, misrin, erëzat, koncentrate kimike, perime të ndryshme, kivi, bananja, avokado, etj. Reaksionet alergjike mund të shkaktohen edhe nga kontakti nëpërmjet lëkurës me detergjente të ndryshëm, me produkte kozmetike, gjatë transfuzionit të gjakut, nga puthjet, nga veprimtaritë sportive (mbindjeshmëria ndaj sforcove fizike), si edhe nga përdorimi i alkoolit.
Si menaxhohen dhe cilat janë masat parandaluese?
Kur reaksionet alergjike janë të lehta si për shembull kruajtje trupi, teshtima, apo edhe edema të lehta të buzëve, të syve atëherë kemi kohë të paraqitemi edhe te mjeku i familjes për vizitë. Gjithsesi, në kushte shtëpiake mund të përdoren tableta antihistaminike si për shembull incidali, flonidani, duke gëlltitur me ujë vetëm një tabletë për të mos u rënduar gjendja. Pas këshillimit me mjekun e familjes dhe atë specialist vazhdohet terapia e duhur. Por, ka mjaft raste alergjish kur simptomatologjia klinike përparon shpejt dhe nevojitet ndihmë e menjëhershme, të paktën injektimi i një ampule ultrakorten dhe adrenaline në qendrën shëndetësore më të afërt për të shpëtuar jetën. Nëse merret në kohën e duhur, adrenalina mund të parandalojë shfaqjen e shokut anafilaktik. Ajo ul edemën dhe përmirëson shenjat e qarkullimit te gjakut. Ndërsa përsa i përket imunoterapisë, desensibilizimit (që synon humbjen e ndjeshmërisë ndaj proteinave alergjike), jo të gjithë njerëzit që trajtohen përgjigjen pozitivisht. Prandaj çdo pacient trajtohet me individualizëm dhe vetëm nga mjeku specialist alergolog. Siç e theksova edhe më lart, kryesore është shmangia sa më shumë të jetë e mundur e faktorëve alergjike.
Ja cilët janë alergenët më të mëdha ushqimore
Ndonëse njihen më shumë se 160 ushqime që mund të shkaktojnë reaksione alergjike tek personat alergjikë, ligji identifikon tetë ushqimet alergjike më të zakonshme. Këto ushqime llogariten se shkaktojnë 90 për qind të reagimeve alergjike, dhe janë burimet ushqimore nga të cilat ndikojnë shumë përbërës. Këto tetë ushqime, dhe çdo përbërës që përmban proteina që rrjedh nga një ose më shumë prej tyre, janë përcaktuar si “alergenet më të mëdha ushqimore”.
Këto 8 ushqime janë :
Qumështi
Veza
Peshku
Butakët(p.sh. gaforret, karavidhet, karkalecat)
Fruta të thata (për shembull bajame, arra)
Kikirikët
Gruri
Soja
Reaksionet alergjike mund të përfshijnë:
• Urtikarie
• Skuqje të lëkurës
• Ndjesi shpimi apo ndjesi mpirje në gojë
• Ënjtje të fytyrës, gjuhës dhe buzëve
• Të vjella dhe diarre
• Dhimbje të barkut
• Kollitje ose teshtitje
• Marrje mendsh
• Ënjtje e fytit dhe e kordave vokale
• Vështirësi në frymëmarrje
• Humbje të vetëdijes.
Alergjitë e rënda ushqimore mund të bëhen kërcënuese për jetën
Pas konsumit të një alergeniushqimor një person që vuan nga alergjia ushqimore mund të përjetojë një reaksion të rëndë dhe të rrezikshëm për jetën të quajtur anaphylaxis.
Kjo mund të çojë në:
Ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes në mushkëri
Ulje e madhe e presionit të gjakut deri në shok (“shoku anafilaktik”)
Asfiksi nga ënjtja e fytit
Administrimi i menjëhershëm i epinefrinës gjatë simptomave të hershme të shokut anafilaktik mund të ndihmojë në parandalimin e pasojave serioze.

Kam djalin qe me eshte mbushur me pucrra i dalin ne fytyre i zhduken pastaj i dalin ne bark ,i zhduken nga barku i dalin ke kembet se kuptoj nga se i vjen po ska entje te buzve apo te syve.Nga se mund ti vine nga ushqimi apo nga ambjenti?
Ersida edhe mue e njejta gjee pom ndodh se kuptoj persee
Kam ber provat e alergjis,nuk me ka dal asnje alergji nga azgje,dhe nderkoh un vazhdoj te bej reaksion duke pasur skuqe te lekures nga kerthiza e lart ne kraharor dhe nxetesi,mbajtja e frymarjes dhe ndhesi vilanie dhe dhimbje koke.Cduhet te bej?
Pershendetje po shfrytzoj rastin me shenu edhe une sepse nuk e di se a osht alergji kjo qe pom shfaqet ose sdi qka kur po ha ushqim kaniher pom rrok mas 10 min kaniher ma von mdjeg fttyra shum edhe mrrok temperatur qka muj me pas a muni mem ndihmu dikush
Pershendetje,desha me dit alergjia ne qep,dhe nee qdo ushqim qe ka pezierje me qep,a ka sherim prej ketij ushqimi sepse un jam alergji ne qep,nese e konsumoj qepen ateher hundet me rrjedhin dhe syte me lotojn,faliminderit ahume
Ju lutem nese mundeni gruas i jane enjtur buzet dhe ka kruarje te trupit.Sa vazhdon kjo gjendje