Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ishte dje në Komisionin e Ekonomisë, ku është diskutuar sërish për Kodin e Ri Doganor, i cili parashikohet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm dhe që sjell një sërë risish. Tema e diskutimit të djeshëm kanë qenë çmimet e referencës në dogana. Cani ka deklaruar se ato nuk mund të hiqen plotësisht, pasi edhe vetë bizneset më korrekte janë kundër një mase të tillë. Megjithatë, sqaroi Cani, përdorimi i tyre do të ulet ndjeshëm me kodin e ri doganor. “Do të harxhojmë 5 metoda, që fillojnë me atë që është fatura dhe në fund me çmimin e referencës. Duke qenë kështu, pesha në praktikë do të jetë në ulje, madje edhe drastike, por në kohën e vet”. Cani shtoi se do të vijë në mënyrë graduale baza e vlerësimit në çmimet e referencës në doganat shqiptare. Sipas Ministrit Cani, në shumë vende të BE aplikohen çmimet e referencave kështu që edhe në Kodin e ri Doganor nuk do të hiqën menjëherë, por gradualisht. Sipas ligjit, referencat zbatohen vetëm atëherë kur ka dyshime ose paqartësi dokumentacioni lidhur me çmimet e blerjes së mallit jashtë vendit. Edhe pse për aplikimin e çmimeve të referencës në të shumtën e rasteve është përfolur se janë një formë për të realizuar planin e të ardhurave nga doganat, nga Ministria e Financave deklarohet se, efekti në një vit në buxhet është vetëm 5-6 miliardë lekë.
