Në prag të sfidës vendimtare me Uruguajin, trajneri i Italisë Cezare Prandelli nuk dëshiron të flitet për llogari. Të kaltërve u nevojitet edhe një barazim për të kaluar në fazën e 1/8, megjithatë 56-vjeçari siguron se formacioni i tij synon vetëm fitoren. “Është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime dhe nuk mund ta krahasoj me asnjë tjetër, sepse një nga të dyja do të shkojë në shtëpi. Në momentin e shortit të gjithë do të firmosnim për ta luajtur kualifikimin në sfidën e fundit. Për të arritur objektivin pozitiv duhet të kemi mentalitetin fitues. As që e mendoj barazimin dhe nuk dëshiroj që skuadra ime të pësojë gol”, tha trajneri.
Dobësia që shfaqi Italia në fazën sulmuese ndaj Kosta Rikës, ka qenë një temë e mprehtë diskutimi gjatë ditëve të fundit. Prandelli i pyetur për formacionin që do të hedhë në fushë, la të kuptohet që do të ketë ndryshime.
“Nuk kam thënë kurrë që Baloteli dhe Imobile nuk mund të luajnë së bashku. Nëse do të hedhim në fushë dy sulmues, duhet të modifikojmë diçka. Kam disa mendime në kokë, por nuk dëshiroj t’ua bëj të ditur formacionin kundërshtarëve”, theksoi tekniku.
A do të jetë e aftë mbrojtja italianë për të ndalur dyshen Kavani–Suarez? Trajneri italian nuk i kursen vlerësimet për dyshen sulmuese të Uruguajit, por beson shumë te mbrojtja e kaltër. “Është një dyshe sulmi nga më të fortat në botë. Kavani dhe Suarez janë dy sulmues modern që e zotërojnë zonën si pakkush. Duhet të jemi të zotë për t’u lejuar sa më pak mundësi shënimi”, përfundoi Prandelli.
