Pas më shumë se tre vjetësh nga ndërprerja është vënë në punë gjatë ditës së djeshme shërbimi i kirurgjisë në spitalin e kavajas. Tashmë banorëve të këtij qyteti nuk u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë kujdesin sa i takon shërbimeve të kirurgjisë. Ky shërbim nuk ishte vënë në punë për shkak të mungesave në mjete ndihmëse dhe kushteve të mirëmbajtjes qysh prej përfundimit të këtij spitali në shtator 2010, pavarësisht se për ndërtimin dhe pajisjen me aparatura dhe teknologji të cilit u investuan nga Banka Islamike e Zhvillimit, Fondi i OPEC-ut dhe qeveria shqiptare mbi 1 miliard lekë. Në inaugurimin e vënies në punë të shërbimit të kirurgjisë në këtë spital të kujdesit shëndetësor terciar, morën pjesë ministri Ilir Beqaj, deputetët Parid Cara e Ylli Ziçishti, si dhe drejtues, mjekë e punonjës të shëndetit të këtij qyteti. “Po bëjmë përpjekjet maksimale që të rikthejmë personelin mjekësor, pra kirurgët, reanimatorët, dhe t’i garantojmë edhe këtij spitali ashtu siç po bëjmë me të gjithë spitalet e Shqipërisë, furnizimin normal me barna, materiale mjekësore e pajisje që duhen në sallën e kirurgjisë”, ka deklaruar ministri Beqaj.
