Holandezët dhe intrigat e Esat Pashës

anazapta

Pranvera e vitit 1914 u mbyll me acar. Edhe në Vlorë kishte lënë ngrica të mëdha. KNK drejtonte administratën shtetërore. Kryetar i radhës i KNK ishte përfaqësuesi i Italisë, Alessandro Leoni. Ai ndiqte edhe përgatitjet, që bëheshin në Durrës për pritjen e Princ Vidit. Ndërtesa qeveritare, “Konaku”, siç quhej dikur, po restaurohej me shpejtësi. Aty do të ishte Pallati Mbretëror. Kishin ardhur mobiljet, si dhe reasturatorët nga Viena. Durrësi po merrte formën e një kryeqytetit, me rregullimet, që i bëheshin rrugës nga porti, tek Pallati Mbretëror. Por aty kishin filluar edhe intrigat e para… Njërën prej tyre na e zbulon Gazeta “Përlindja e Shqipënisë”, me titullin: “Një letër e çuditëshme e Esad Pashës”. Në kronikën e botuar, flitet për mjekun e Princ Vidit, që kishte inspektuar punimet e Pallatit Mbretëror në Durrës. Me sa duket, ai ka rënë në rrjetën e Esat Pashë Toptanit, ndoshta me “trajtimin e veçantë”, që i ka bërë pashai. “Doktor Bergahuseni ka deklaruar në Trieshte se ka një letër të Esad Pashës, dërguar Princ Vilhelm Vidit.” Doktori i ka deklaruar redaktorit të Gazetës “Piccolo” se punimet e pallatit ishin shumë të mira dhe se populli po e priste me gëzim ardhjen e Princ Vidit. Ai pastaj tregon përmbajtjen e letrës së Esat Pashë Toptanit: “Nuk kam qenë kurrë një herë në marrëdhënie me Izet Pashën kundër L. së T. Wilhelm zu Weid e po diftoj se këtë kurrë s’kam për t’banum e për t’i dhanun kurrë dorën izetjanëve për një vepër të tillë. Në kohën kur Shqipënia ishte nën Turqi, isha gjeneral besnik i Sulltanit, por pasi Shqipënia u ba autonome, nuk njoha tjatër përveç t’Atdheut tim. Si atdhetar Shqypëtar i nxehtë kam për të bamun gjith ç’lypet për të mpështetun kandidaturën e Princit të ri.” Pas këtij përshkrimi të Gazetës “Përlindja e Shqipënisë”, vjen “Betimi solemn” i Esat Pashë Toptanit: “Gjer sa të ketë jetë a gjer sa ay të heqë dorë nga froni, kurrë-një njeri tjatër s’ka për t’u bamun Regj. i Shqipënisë; e në qoftë se Lartësia e Tij heq dorë ose vdes, vetëm unë kam për të qenë që do t’i zë vendin. Kam dëftyer me vepër se ky asht mendimi im duke dhanum gjithë propagandistët nga vendi i qeverisë sime dhe kam për të bamun gjith ç’lypet për të lartësuar t’ardhunit e Lartësisë së Tij në vendin t’im”. Dhe letra është firmosur me emrin Esat Pasha.

Me një korrektësi shembullore, Gazeta “Përlindja e Shqipënisë” na thotë se kjo letër deklarohet nga ky doktor, mjeku personal i Princ Vidit dhe nuk ka burim tjetër. Por, afërsisht 2 – 3 muaj më pas, po ky doktor, është gjetur duke darkuar me pashain toptanas, më 19 maj 1914, kur u arrestua Esat Pashë Toptani nga Koloneli Sluys. Esat Pashë Toptani nuk merrej vetëm me intriga të tilla, por synonte më tej. Ai nuk e shkriu strukturën e tij ushtarake. Jo vetëm në Durrës e Kavajë, por edhe në Shijak e në Tiranë ai kishte grupe me nga 100 – 200 ushtarë, që herë shfaqeshin si milicë e xhandarë dhe herë si banda të armatosura, sidomos në zonën e Elbasanit. Forcën e tij ushtarake Esat Pashë Toptani e furnizonte me armë e municione vazhdimisht, duke synuar që ta kishte më të armatosur se nënrepartet e xhandarmërisë, që po krijonin në Vlorë dhe në Durrës oficerët holandezë. Kjo forcë ushtarake do të përdorej për ruajtjen e tij personale si dhe të pronave të tij të shumta. Njëkohësisht, ajo do të ishte bërthama e ushtrisë rebele në mesin e majit të vitit 1914.

Studiues të ndryshëm kanë analizuar muajt e fundit të Qeverisë së Vlorës. Përveç përplasjeve brenda në Vlorë, një prapaskenë e madhe luhej nga Esat Pashë Toptani. Në Gazetën “Shekulli” të datës 1 tetor 2012, Mark Bunga e Ilir Sinanaj, shkruajnë për përpjekjet e Esat Pashë Toptanit kundër Qeverisë së Vlorës, duke bashkëpunuar me qarqet zyrtare greke: “Po ndalemi në kontaktet e shtatorit të vitit 1913, kohë kur Pashai ishte në prag të shpalljes së Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme dhe kishte nevojë për mbështetjen e Greqisë dhe të Serbisë. Qeverisë greke iu kërkua mbështetje në të holla dhe ndihmë ushtarake për rrëzimin e qeverisë së Vlorës. Trupat greke që, në këtë kohë mbanin të pushtuar Jugun, duhej të bashkëpunonin me trupat esadiste, në momentin kur këto të sulmonin Vlorën. Në këmbim Esadi premtonte të merrej vesh me grekët për të përcaktuar kufijtë jugorë sipas vullnetit të tyre. Kontaktet mes Kryetarit të Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme dhe qeverisë greke, u rivendosën në dhjetor 1913. Në dokumentacionin arkivor francez bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje mes tyre, diku midis javës së dytë dhe të tretë, të dhjetorit 1913. Ekziston mundësia që të mos ketë marrëveshje të shkruar, sepse siç shprehej vetë kryeministri grek i kohës “me Esad Pashën ishte e mundur të merreshe vesh edhe pa angazhime zyrtare, në mënyrë private, me anën e të hollave”. Marrëveshja ishte e konceptuar në dy pjesë: në të parën bëhej fjalë për bashkëpunimin për rrëzimin e qeverisë së Vlorës; në të dytën prekej bashkëpunimi për zbrazjen e territoreve të Jugut nga ushtria greke, marrjen e tyre në dorëzim nga Pleqësia e Shqipërisë së Mesme dhe përgjegjësitë e saj për t’i njohur popullatës ortodokse në Shqipërinë e Jugut disa “privilegje të posaçme”, që nënkuptonin autonominë. Shpërbërja e autoritetit të Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme në prag të mbërritjes së princ Vidit në Shqipëri i ndërpreu përkohësisht projektet me qeverinë greke. Ato do të rifillonin sërish pak më vonë, tashmë me Esat Toptanin si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës të Principatës Shqiptare”.

Në Vlorë vazhdonte zhurma e madhe e atij, që edhe në botimet historike, është quajtur “Komploti i Beqir Grebenesë”. Gjenerali De Veer kryesonte Gjyqin Ushtarak, që u krijua për këtë qëllim. Në kujtimet e tij Eqerem Bej Vlora, si dhe Sejfi Vllamasi, përmendin se u bënë akuza nga ata, që ishin vetë të akuzuar, sikur Ismil Qemali i kishte mbështetur komplotistët. Asgjë e tillë nuk u vërtetua. Kryeministri i parë i shtetit të parë shqiptar kishte pranuar se do të jepte dorëheqje, nëse në Shqipëri vinte një princ turk, por nëse i ktheheshin Shqipërisë Kosova dhe Camëria, që i ishin marrë padrejtësisht nga Konferenca e Londrës e vitit 1913… Por kjo ishte kapërcyer…

Dhe në atë pranverë të vitit 1914, Koloneli Tomson ishte përqendruar në përgatitjen e  nënreparteve të xhandarmërisë për mbrojtjen e krahinave të pushtuara dhe të sulmuara në Shqipërinë e Jugut. Kjo ishte kryesore edhe për shtetin e ri shqiptar… Po krijoheshin reparte të xhandarmërisë, pasi në vendimet e Konferenës së Londrës theksohej se Shqipëria, si një vend asnjanës, nën garancinë e Fuqive të Mëdha, nuk do të kishte ushtri, por vetëm xhandarmëri.

Koloneli Tomson, në platformën e hartuar, nga ai vetë, për krijimin e xhandarmërisë, kishte theksuar se kjo do të ishte një xhandarmëri ushtarake, si në Holandë. Ajo nuk do të përfshinte në vetvete as policinë, as doganat, tatimet, por as edhe veprimet e taksambledhësit dhe të truprojave të nderit. Për të qenë një force ushtarake, me disiplinë dhe kompakte në veprimet luftarake, kjo xhandarmëri do të stërvitej për të kryer veprime në mbrojtje dhe në mësymje. Në këtë mënyrë sigurohej mbrojtja e kufijve dhe e krahinave të sulmuara vazhdimisht nga forcat ushtarake të vendeve fqinje. Si një komandant në lëvizje, koloneli Tomson inspektoi efektivat dhe qëndronte gjatë me kuadrot e tyre komanduese. Me prakticizmin e tij ai u dha porosi të gjithë oficerëve që të hiqnin dorë nga ndëshkimet fizike ndaj efektivave, pasi këto nuk sillnin rezultate, por vetëm protesta e rebelime. Ai i vlerësonte shumë aftësitë e oficerëve shqiptarë dhe kishte shumë miq ndër ta. Tepër e veçantë ishte miqësia e tij me oficerin e njohur të xhandarmërisë, Toger Meleq Frashërin, të cilin e respektonte shumë dhe e vlerësonte si ndër oficerët më të aftë të shtetit të ri shqiptar. Njëkohësisht, një vlerësim të madh Koloneli Tomson kishte për Kapiten Kamber Sejdinin nga Elbasani. Ky oficer me kapacitete të larta morale dhe intelektuale u angazhua edhe nga KNK në gjyqin ushtarak, të drejtuar nga Gjenerali De Veer.

Me Toger Meleq Frashërin, Koloneli Tomson bashkëpunoi për të përcaktuar objektivat kryesore të Xhandarmërisë së parë Shqiptare. Ata i dhanë përparësi masave për të vendosur rregull dhe siguri në Vlorë dhe krahinat për rreth. Kjo ishte e nevojshme, sepse aty ishte Qeveria dhe KNK, Trupi Diplomatik dhe porti, por edhe sepse në shumë drejtime ishin shpërndarë banda, që financoheshin edhe nga agjenturat e huaja dhe qarqet shoviniste. Ata përcaktuan si qëllimin kryesor, garancinë e sigurisë dhe të rendit në vend, për të arritur vendosjen e autoritetit shtetëror kudo, edhe në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Këtë Tomsoni e theksonte që në Thirrjen e botuar në 4 janar 1914, në Gazetën “Përlindja e Shqipënisë”, në numrin e dytë të vitit 1914: “Kemi shpresë se të gjithë ushtarët, që do të jenë nën urdhërat tona, si dhe ata që do të veprojnë bashkë me ne, kanë në zemër dëshirën që të veprojnë sipas rregullave për dashurinë e njerëzisë dhe për të mirën dhe nderin e Shqipërisë”.          

Firma e Komandantit Tomson në këtë Thirrje, por edhe në të tjera, tregojnë se ai ishte bërë një autoritet tepër i njohur në Shqipëri. Siç do ta përmendte më vonë, Faik Konica: “Koloneli Tomson me një gjest sublim, hodhi në det bombën, që u zbulua në anije dhe ndërhyri me një gjakftohtësi të mrekullueshme, duke i çuar fajtorët para gjyqit ushtara”. Po si vazhdoi historia e Misionit Ushtarak Holandez?…

 

Koloneli Tomson

Oficeri më me autoritet në Misionin Ushtarak Holandez ishte Koloneli Lodevijk W. J. K. Tomson. Sipas biografëve dhe historianëve, Tomsoni në ato vite, ishte një nga oficerët holandezë më të spikatur në Mbretërinë e Holandës, si nga arsimimi e nga përvoja ushtarake, ashtu edhe nga intelekti dhe nga angazhimet konkrete ushtarake dhe politike. Si deputet, Tomsoni bëri përshtypje me fjalimet e tij për organizimin ushtarak në Holandën e fillimshekullit. Opozita e parashikonte Tomsonin si Ministër të ardhshëm të Luftës, me treguesit më popullorë, të mundshëm në atë kohë. Edhe si natyrë njerzore, Koloneli Tomson ishte shumë i afrueshëm dhe i hapur. Ai ishte i ftuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe në pritjet dhe darkat e shumta, që shtronin konsujt e ndryshëm në Vlorë dhe në Durrës. Gazeta “Përlindja e Shqipënisë” përshkruan një të tillë, ku Koloneli Tomson ishte bashkë me Ismail Qemalin në një drekë në Konsullatën Austro – Hungareze.

Koloneli Tomson ishte oficeri më i shquar i Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri, në vitet 1913 – 1914. Ai ishte 44 vjeç kur erdhi në Vlorë. Siç shkruan Dr. C. M. Shulten, President i Shoqatës Ndërkombëtare të Historianëve Ushtarakë, Lodewijk Willem John Karel Tomson, lindi më 11 qershor 1869, në Voorschoten, Hagë. I ati, Bernard Heideenreich Tomson, ishte mjek i marinës ushtarake dhe ka shërbyer në Shtabin e Flotës Mbretërore Holandeze. E ëma ishte Wilhemlina Pompe van Meerdervoort, nga një familje fisnike. Ajo i dha mësimet e para private, duke e edukuar atë me dashurinë për librat dhe kulturën ushtarake. Gjyshi i tij, ka qenë oficer këmbësorie, me gradën major, pjesëmarrës në betejën e famshme të Vaterlosë. Tomsoni i vogël, e filloi shkollën në Bergen – op – zoon në Hagë dhe, më vonë, në Roterdam. Ai ishte një nxënës i zgjuar, me sy të bukur dhe të ndritshëm. Pasi mbaroi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera, duke vazhduar edhe traditën familjare, Tomsoni u regjistrua në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Breda më 1883. Nga ajo kohë ruhet edhe sot një fotografi e tij me uniformën e studentit ushtarak. Tomsoni arriti ndër rezultatet më të larta në provimet e pranimit. Më 25 korrik 1888, ai e përfundon Akademinë Mbretërore Ushtarake me rezultate të shkëlqyera, duke e lënë emrin e tij të gdhendur në Librin e Artë të shkollës, edhe sot i afishuar në një faqe muri në Senatin e Akademisë. Emërimin e tij të parë ushtarak, i  graduar si nëntoger këmbësorie më 1888, Tomsoni e pati në garnizonin Nijmegen, në Regjimentin e 5-të të Këmbësorisë. Tomsoni kishte një talent të veçantë si hartograf, talent të cilin e shfrytëzoi edhe Instituti i Topografisë Ushtarake në Hagë.

Në vitin 1892, Tomsoni gradohet toger dhe fiton dekoratën e lartë  “Kryqi i Nderit”. Që në moshë të re, ai botoi në revista ushtarake. Më 28 tetor 1893 caktohet me shërbim në Rezervat Koloniale, në Ushtrinë e Indisë Holandeze, në Batavia, sot Xhakarta në Indonezi.Tomsoni e vazhdoi karierën e tij ushtarake, duke dhënë provimet e kualifikimit për Shkollën e Lartë të Luftës, ku studionin oficerët e shtabit. Me një Dekret të Mbretëreshës së Holandës, më 22 dhjetor 1899, Tomsoni caktohet si Atashe Ushtarak në Afrikën e Jugut. Pas kthimit,Kapiteni Tomson u emërua në Shtabin Madhor, në Zyrën e Historisë Ushtarake. Këtu ai hartoi studime të mirëfillta shkencore ushtarake dhe realizoi ëndërrën e tij për të përgjithësuar përvojën ushtarake në analiza të thella dhe me konkluzione teorike dhe praktike. Në Bibliotekën e Akademisë Mbretërore Ushtarake në Breda, edhe sot studiohen librat e Tomsonit, të cilat janë shumë të vlefshme, si për anën shkencore, ashtu dhe forcën e tyre përgjithësuese. Në to shpalosen edhe ide të guximshme për kohën. Oficeri pasionant, shkruante se kishte ardhur koha që të ndyshohej organizimi ushtarak në Mbretërinë e Holandës.Ai vendosi të hynte në Parlament në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve më 1905, për përfaqësimin e Leuwardenit, duke zënë një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. Katër vjet më pas, ai fitoi përsëri. Tomsoni mori shpesh nisma për të paraqitur idealet e tij demokratike në ushtri. Gjatë krizës qeveritare të vitit 1911, Tomsoni ishte ndër ata që u quajtën Ministër Lufte, pozicion ky që në fakt i takoi H. Colijn. Më 1912 Colijni e dërgoi Tomsonin, me kërkesën e tij, si vëzhgues ushtarak në Ballkan…

Por koha e thirri Tomsonin përjetësisht në Shqipëri.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *