Bosnja del nga Botërori me një fitore bindëse

anazapta

Një sfidë me poker golash, por me vetëm një fitues. E tillë ishte përballja mes Bosnje Hercegovinës dhe Iranit, ku ballkanasit konkretizuan në gola superioritetin e treguar gjatë 90 minutave. 3-1 dhe ekipi i Safet Susic kthehet kokëlartë nga debutimi në një botëror, ndërsa skuadra e Carlos Queiroz nuk arriti të përfitonte nga dhurata që i bëri Argjentina, duke e mbyllur botërorin Brazil 2014 në vendin e fundit të grupit F me 1 pikë dhe 1 gol. Bosnje Hercegovina e dha sinjalin e parë që në minutën e katërt me një goditje të rrezikshme të Dzekos, ndërsa sulmuesi shtatlartë ishte një hap larg golit në minutën e dhjetë pas një goditje me kokë të devijuar nga Haghighi.

Sërish sulmuesi i Manchester City në minutën e 23-të me një të majtë diagonal që ledhatoi pjesën e brendshme të shtyllës së djathtë pingule të Iranit, duke kaluar në avantazh skuadrën ballkanase. Pak sekonda më vonë, Shojaei kishte në këmbët e tij topin e golit të barazimit por goditja e tij preku shtyllën. Loja u ndez me reagimin e Iranit që shtoi presionin duke krijuar edhe hapësira të mëdha në mbrojtje. Skuadra e Queiroz e kuptoi se nuk kishte asgjë për të humbur dhe mbrojtja nuk është rruga më e mirë nëse kërkonin kualifikimin por sulmet e iranianëve u thyen nga muri boshnjak. Nga ana tjetër, Vrsajevic u shfaq i vetëm në zonën kundërshtare por nuk shërbeu për Ibisevic duke ngrënë një gol pothuajse të sigurt.

Me nisjen e pjesës së dytë sinjalin e parë e dha Pjanic në minutën e 48-të, ndërsa 10 minuta më pas mesfushori i Romës përfitoi nga asisti i Susiç duke shënuar golin e dytë. Ndeshja mori një rrjedhë të pakthyeshme, sepse Irani u zgjua nga ëndrra. Djemtë e Queiroz nuk reshtën së besuari pasi në minutën e 82-të, Reza shënoi golin e parë iranian të këtij botërori, por ëndrra u shua përfundimisht vetëm pak sekonda më vonë me golin e Spahic, që vulosi fatin e takimit. Një ndeshje që dhuroi shumë emocione por asnjë surprizë. Bosnje Hercegovina shijoi suksesin e parë botëror duke fituar eksperiencë në aventurën e parë në një eveniment të tillë, ndërsa Irani nuk arriti të regjistronte asnjë sukses, gjë e cila nuk ndodh që prej 11 takimesh në një Kupë Bote.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *