Operacioni në Lazarat po shkon drejt fundit. Një sasi e konsiderueshme vaji hashashi dhe armatimi u zbulua gjatë kontrolleve ditën e djeshme, ndërsa u arrestuan edhe 2 persona të tjerë të dyshuar për sulmin me armë ndaj forcave speciale. Të ndaluarit janë Adriatik Gaba dhe Merqes Pollo, ndërsa në kërkim u shpall Martin Pollo. Në total janë sekuestruar 55 tonë drogë, 134 mijë bimë narkotike, rreth 400 armë të lehta dhe të rënda, sasi të mëdha municioni dhe eksplozivi, pajisje të sofistikuara, maska, jelek, uniforma policie dhe dokumente të ndryshme. Janë arrestuar 29 persona gjatë operacionit dhe të paktën 10 të tjerë u shpallën në kërkim.
Aksioni dje
Policia e Shtetit konfirmoi se u kapën 5,8 litra vaj hashashi, duke e çuar në 8,8 litra sasinë në total, kurse 400 kg kanabis sativa u zbulua në dy banesa i fshehur, së bashku me 20 armë të ndryshme automatikë, pushkë, mitraloza dhe 13 armë të djegura. Mes materialeve të sekuestruara edhe 16 mijë fishekë, 2 pajisje presimi, 9 kallëpe tritoli, 2 granata dhe 1900 kapsolla detonatore.
Arrestimet
Policia vuri në pranga Adriatik Gabën, 43 vjeç, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij i janë gjetur 750 gramë boçe dhe lëndë kanabis sativa, teksa në momentin e ndalimit po drejtonte një automjet tip “BMË”, ku u konstatua se nuk kishte dëshmi aftësie. Gaba dyshohet se gjatë zhvillimit të operacionit në Lazarat ka gjuajtur me armë policinë. Dosja ndaj tij i kaloi Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale “vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”, “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “përdorim i mjeteve pa dëshmi aftësie”. Gjithashtu është ndaluar i shpalluri në kërkim Merqes Pollo, 32 vjeç, banues në Lazarat, pasi nga kontrollet e ushtruara në banesën e tij një javë më parë u gjetën 300 bimë narkotike kanabis sativa, 76 kg lëndë narkotike kanabis sativa, 1 pushkë, 1 automatik, 2 revolver me mulli, 1 pistoletë, 130 fishekë të llojeve të ndryshme. Dyshohet se Pollo ka sulmuar edhe policinë me armë gjatë aksionit. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe i vëllai Martin Pollo, 32 vjeç.
Të sekuestruara ditën e djeshme:
5,8 kg vaj hashishi
400 kg kanabis
3 qese hashash i bluar
12 automatikë
5 pushkë
2 mitralozë të lehtë
13 armë të djegura
16012 fishekë
2 pajisje për presim
9 kallëpe tritoli
3 qese me fitil
2 granata
1900 kapsolla
Në pranga
Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar e ndaluar 29 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone etj.. Po ashtu është proceduar penalisht dhe kreu i Komunës Lazarat. Pesë nga të ndaluarit janë në masë sigurie te Krimet e Rënda, të tjerët në Gjykatën e Gjirokastrës.
Tentoi të trafikonte 45 kg nga Kakavija, kapet i kërkuari
Një i kërkuar për tentativë të trafikimit të drogës drejt Greqisë u lokalizua dhe ndalua ditën e djeshme në Gjirokastër. Burime zyrtare thanë se i arrestuari është Dashnor Cenokaçi, 43 vjeç, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor në trafikimin e një sasie lëndë narkotike prej 45 kg, e cila është gjetur më datë 26 maj 2014, nga shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në mjetin tip “Fiat”, me targë AA246IM. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë.
Eksploziv makinës së parkuar, dëme materiale dhe panik
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur ditën e djeshme banorët e lagjes “Varrosh” në Gjirokastër. Shpërthimi ka ndodhur në orën 16:40, shumë pranë postës së qytetit, e cila ndodhet vetëm 100 metra larg kompleksit muzeal “Qafa e Pazarit”. Nga shpërthimi i fuqishëm janë thyer një pjesë e xhamave të një marangozi aty pranë, si dhe disa xhama të godinës së postës dhe një pallati banimi. Por sipas policisë objekt ka qenë një mjet i parkuar në rrugë, që po kështu pësoi dëmtime të lehta materiale në xhama të thyer në krahun e pasagjerit. Policia tha se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar pjesërisht një automjet tip “BMË”, i cili ishte parkuar aty pranë. Vatra e goditjes ka qenë në gurët e kalldrëmit, që ndodhet midis postës së qytetit dhe punishtes së marangozit. Grupi hetimor po verifikon nëse eksplozivi është hedhur në rrugë, apo ka qenë i vendosur poshtë mjetit. Në pyetje është marrë pronari i makinës dhe banorët e lagjes, ndërsa dyshohet për një konflikt.
Shisnin hashash në garazhin e shtëpisë, 2 të arrestuar
Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme realizoi dje operacionin e koduar “ENKELANA 3”, duke vënë në pranga 2 të dyshuar për akuzën e shitjes së drogës dhe mbajtjes së municionit. Burime zyrtare nga policia e Pogradecit thanë se arrestuan të dyshuarit Prokop Pilinçi, 24 vjeç dhe Erlin Mahmutllari, 19 vjeç, banues në këtë qytet. Të dyshuarit janë kapur së bashku duke shpërndarë lëndë narkotike në një garazh në lagjen nr. 1, pronë e Pilinçit. Si prova materiale u sekuestruan 26 doza me lëndë narkotike hashash, me peshë 68,2 gramë, 3 fishekë model 56, 1 automjet “Mercedes Benz”, me targa KR7215A, 1 motor sportiv “Honda”, pa targa. Dosja i kaloi Prokurorisë për “prodhim e shitje narkotikësh”.

Mirenjohje per punen e shkelqyer te Policise se Shtetit ne perballje me strukturen kriminale ne Lazarat.
Kjo Polici me ben te ndihem krenare per Republiken time.
Lora: dhe ai polici qe pinte duhan ne bllok perpara kufomes Santos dhe ai te ben te krenar….aman se me kete krenari kemi perfunduar deri ketu…policet per te kape kriminelet paguhen…jo siq rrine gjithe diten lokaleve me birre ne dore.