Vargje të nënshkruara
Ismail Xhaferri
Qindra maturantë të ngelur
Në provimet e qershorit
Nxorën të palarat sheshit
I hoqën petët lakrorit.
Qindra maturantë të ngelur
Që shkollës i dhanë dritëhije
Janë produkti i mësuesve
Me “diplomë demokracie”.
Qindra maturantë të ngelur
Që shumë larg u shkoi jehona
Janë produkti i mësuesve
Që s’kanë marrë, por blerë diploma.
Qindra maturantë të ngelur
Nuk e mban asnjë kandar
Na tregojnë se në shkolla
S’është bërë shkencë, por pazar.
Qindra maturantë të ngelur
Anembanë Shqipërisë
Janë produkt kur për diploma
Përdoret teser’e partisë.
Qindra maturantë të ngelur
E vërteta punët trash
S’ka si ndodh kur për mësues
Zgjidhen vetëm mitingash.
Qindra maturantë të ngelur
Na tregojnë për punë të pista
Sepse kush ishte mësues
E fshiu Sala me lista.
Qindra maturantë të ngelur
Futën shkollën në siklet
Nuk janë ngelës vetëm nxënësit
Por dhe mësuesit vet.
Qindra maturantë të ngelur
Fenomen që po ndodh shpesh
S’janë veçse vepra e radhës
Që na la Sala peshqesh.
