Luis Suarez u dha lamtumirën shokëve të skuadrës në vendgrumbullimin e Uruguait në Brazil. Një lamtumirë mes lotësh për Botërorin dhe shansin e humbur për të çuar deri në fund misionin e Uruguait, por pa e ditur se një tjetër atmosferë do ta priste në Montevideo.
Në aeroportin “Carrasco” të kryeqytetit të Uruguait mijëra tifozë i rezervuan Luis Suarez një pritje të denjë për një hero kombëtar është e qartë se populli i Uruguait është i gjithi me idhullin e tij, tifozët që kërkonin ta prisnin në Montevideo me flamuj ku shfaqej fytyra e Suarez e banderola mbështetëse bllokuan për orë të tëra hyrjen kryesore për në aeroport, ndërsa shprehnin indinjatën e thellë ndaj FIFA-s duke e konsideruar një organizatë mafioze pas skualifikimit të Suarez. Në Twiter mbizotëron gjithashtu “Somos Todos Suares” (Jemi të gjithë Suarez) i lançuar nga tifozë e futbollistë që e konsiderojnë të ekzagjeruar ndëshkimin e FIFA-s për qendërsulmuesin. Mes mijëra personave që prisnin Suarez në aeroportin “Carrasco” ishte dhe presidenti i Uruguait, Jose Mujica që nuk ja doli të përqafonte qendërsulmuesin për shkak të vonesës së avionit privat që transportonte sulmuesin nga Natal. Presidenti i Uruguait shfaqi gjithë irritimin e tij në mikrofonat e De Zurda programit që drejtohet nga Diego Armando Maradona ku u shpreh.
“Jemi të tërbuar pasi FIFA përdor dy standarde. Jam i moshuar dhe kam parë shumë në jetën time, por këtë herë e kaluan kufirin. Në futboll shihen faulle dhe gjeste shumë më të rënda, por ata i lejojnë vetes të na shkelin me këmbë vetëm, pasi jemi një vend i vogël”, tha ai.
Më pas, Mujica e ngarkoi akoma më tepër dozën e akuzave duke shtuar. “Është e qartë se i shkaktojmë bezdi dikujt pasi nxorëm jashtë dy fuqi si Italia dhe Anglia, kushedi sa para ka humbur FIFA , nga ana tjetër dihet që italianët janë ekspertë të provokimeve”. Për ta mbyllur një premtim me tone kërcënuese për pjesën tjetër të turneut.
“Tani do të ketë telashe për të gjithë, pasi ne dimë si të reagojmë. E imagjinoj inatin e djemve të Tabarez dhe nuk do të doja të isha në vendin e atyre që do t’u dalin përballë”, tha ai.
Leave a Comment
