Përpara fillimit të Botërorit pati zëra se disa ndeshje të kompeticionit mund të manipuloheshin. Pasi ka kaluar më shumë se gjysma e turneut një hije trukimesh bie mbi kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik në botë. Sipas asaj që shkruan gjermania “Der Spiegel”, Wilson Raj Perumal, i cili konsiderohet nga të gjithë si “kumbari i basteve” ka raportuar se takimi mes Kamerunit dhe Kroacisë ka qenë i trukuar.
“Der Spiegel” e bazon hetimin e saj në një mesazh të publikuar nga vetë Raj Perumal përpara fillimit të lojës se takimi do të mbyllej 0-4 për Kroacinë pasi në radhët e skuadrës afrikane luajnë shtatë futbollistë që ai i konsideronte si i “rrezikshëm” Gjithashtu ai kishte shkruar se një futbollist do të ndëshkohej me të kuq në këtë ndeshje dhe kartoni i marr nga Song për faull ndaj Mandzukic ishte disi i dyshimtë. Revista e përjavshme gjermane raporton se FIFA është informuar në lidhje me këtë ndeshje por shefi i sigurisë së qeverisë së futbollit ndërkombëtar, Ralf Mutschke theksoi se nuk ka sinjalizim për një trukim të kësaj sfide. Wilson Raj Perumal u arrestua disa vjet më parë në Finlandë për trukimin e ndeshjeve të këtij kampionati, që u cilësua si skandali më i madh i trukimeve i zbuluar ndonjëherë në Europë. Ai së fundmi është liruar dhe jeton në Hungari.
