SHES MEND…

anazapta

Për të gjithë të interesuarit disponoj një palë mend të cilat kam vendosur ti shes. Jo, jo nuk bëhet fjalë për arsye emigracioni. Janë prodhim shqiptar i para viteve `90. Të them të vërtetën nuk i kam blerë por mi kanë dhuruar, ndërsa për mirëmbajtjen e tyre jam kujdesur personalisht. Ju siguroj që produkti që po nxjerrë në shitje është në gjendje shumë të mirë. Ju garantoj që nuk janë keqpërdorur në asnjë rast, pasi kanë punuar me ngarkesë të plotë vetëm gjatë 17 viteve shkollë.

Më tej siç mund ta kuptoni, filluan të bëheshin të bezdisshme. Nuk më hynin më aq shumë në punë sa më parë. Pasi ishte e kotë të mendoja, rruga ishte e shtruar dhe vendimet merreshin nga të tjerë. Kryesisht vendimmarrës pa mend që më bënin të ndihesha në faj për peshën e tyre. E pashë që nuk kishte më vlerë të harxhoja energji, pasi sa herë tentoja, mendtë e mia më shtynin të shihja përtej të dukshmes, dhe më fshinin shpesh herë optimizmin. Sado që në shumë raste më detyronin të mbyllja sytë, veshët apo dhe gojën, nisnin të zhurmonin dhe zërin e brendshëm.
…ndaj i nxorra jashtë përdorimit. Sa herë rikthehem, filloj të shohë botën ndryshe, dhe të mos ndihem mjaftueshmërisht e lumtur. Kështu që çdo rikthim përfundonte shpejt në ndarje.
Arsyet pse kam vendosur të shes mend, është se po më rëndojnë shumë, dhe nuk ia vlen ti lë jashtë loje deri sa t`u afrojë afati i skadencës, pasi mund të ketë njerëz që iu nevoiten më shumë se mua. Ndaj nëse ka të interesuar që mendojnë se mund t`u hyjnë në punë dhe t`i përdorin më mirë se unë, le të kontaktojnë.
Nuk është e lehtë të marrësh këtë vendim, por kur sheh për rreth, që ata me kokë më të lehtë fluturojnë më lartë, vendimi bëhet obligim. Në këtë vend ku jetojmë, të ecësh me këmbë në tokë është e lodhshme, ndaj ata që dinë ç`është lumturia, janë ata që fluturojnë.
Një nga vështirësitë e këtij vendimi është dhe frika për t`i humbur përgjithmonë. Pasi ashtu të fshehura diku, në çdo situatë të vështirë mund t`u rikthehesh për konsultim, ndërsa më vonë nuk do të ketë më zgjidhje. Por ajo që lëkund këtë frikë, është shpresa se në vazhdim nuk do të dalloj më situata pa rrugëzgjidhje, pasi nuk do të ketë më rrugë, rrugë, por vetëm hapsirë pa fund.
Ëndërroj se pa to, mund të fluturoj e qetë kudo, pa zinxhira arsyeje apo litarë ndërgjegjeje. Do të mund të shikoj, dëgjoj dhe them vetëm çfarë më pëlqen… s`ka më “sepse kështu duhet”. Pasi nuk do të ketë më kush të më qortojë… do të jem njësoj si shumë të tjerë…
Në të njëjtën kohë do të shpëtoj njëherë e mirë nga kujtesa. Ju paralajmëroj se blerja e mendve të mia shoqërohet dhe me kujtesën, valixhe e cila është tejet e rëndë, mos më thoni që nuk ju thashë. I kam palosur në të të gjitha fytyrat që më kanë rrethuar, të gjitha sjelljet e tyre, shpesh herë dhe të dyfishta. Kjo pesha e madhe e kujtesës është një arsye e mirë për ta hequr qafe, pasi kohët e fundit ka filluar të më shqetësoj…
Si çdo vendim tregu, as kjo ofertë për shitje nuk vjen rastësisht. Të jem e sinqertë, mendoj se kjo periudhë është koha e duhur për të shitur mend. Pasi duke i shitur me dëshirë diçka përfiton, ose në të kundërt, me aq sa po shohim, mendtë po nuk t`i morrën do të ikin vetë…
P.S: I lutem blerësit të ketë kujdes në përdorim, t`i përmbahet instruksioneve. Kategorikisht blerësi nuk duhet t`i nxjerrë më në shitje, pasi mund të tundohem t`i kem sërish…

Email nga adresa
[email protected]

Share This Article
10 Comments
  • Mesa duket produktin e “mendjes” e ke made in komunizmi, ose me sakte sic eshte percaktuar ky produkt, “truri i shpelare”.
    Nuk ka pasur fare nevoje te punoje ky tru ne te kaluaren kur autorja e ketyre rrjeshtave e paskaj kultivuar e sot i duket i panevojshem.
    Mendonte partia per te e per gjithe shqiptaret.
    E ke kot qe i ben reklame ketij truri se kete produkt e kemi me shumice akoma edhe sot pas 25 vjetesh qekur njerezve ju la e lire te mendonin me trurin e tyre.
    Mbase , mbase ne ndonje institut studimor te psikollogjise sociale, mund ta shesesh produktin tend pasi atje kane nevoje te zbulojne cilat jane shkaqet e shpelarjes se trurit.

    • O djalo mos i ngaterro gjerat ! Zonja nuk po flet per kategorine tende qe hyn tek Homo Erektus , qe normalisht nuk kane nevoje per trute e zonjes ! Po flet per tru Homosapiens Sapiensi !

      Prandaj ti e ke te pamundur te kuptosh zonjen ! Prandaj ankohet ajo , sepse ti je shumica , qe ke idene se mendon me trurin tend , por qe po te te kontrollosh , truri ne koken tende zor se ekziston ! Te kuptohemi , nuk po flas per trurin e majmunit , qe mos te te hyj ne hak dhe te te le pa tru fare !

    • E mor Petrit te rujt zoti se spake marre vesh asgje nga shkrimi.

      Tung e kujdes dhite se po shkojne ne xhade… leje internetin se seshte per ty!

    • Ketu ia fute kot daku ! Andej nga parlamenti , sa te vije era tru , do te ikin te gjithe me vrap , se heren tjeter nuk zgjidhen me ! Ha…ha…ha…

  • Mos ironizoni? Ka një koncept shumë te bukur brenda kjo esse e shkurtër. Ka konceptin e mosvleresimit te mendjes ne këtë Shqiperine tonë te mjere. Ketu fitojne ata pa mend,pa ndergjegje,pa ndjenja,pa kujtese,cobanet e dhive…etj. Truri ka shume pak vlerë,nuk cmohet,cmohet njeriu pa tru etj.etj? Nderime autorit(es)! I rekomandoj t’ja shese saliut,jozit,gjin gjonit,zhelalit dhe strazimirit!? Por ka dhe te tjere pd-ja qe e kanë kokën me “hiç brënda”?

  • Moj zonje e nderuar , mos u lodh kot ! Eshte mall qe iu duhet vetem Homosapiens Sapiensit ! Tani kane mbetur me kokra , se ambienti eshte mbushur me hiena ! A ke ndonji cope mish me shit , sepse dhe falas t’i japesh trute dhe mendte , nuk t’i merr kush ! Edhe po t’i marre , forma e kokes se hienes , nuk i mban trute e njeriut !

    Prandaj kot lodhesh ! E di qe te jane bere barre , sepse peshen me te rende nuk e kane tek masa e tyre , por tek prodhimi i tyre , por e ke kot ! Fatalisht fatkeqesisht kot !

    Qe te hyje truri ne treg , duhet qe tregu te jete shqiptar ! Ketu nuk ka treg shqiptar ! Ketu tregu eshte ose serb ose grek , imediatisht ….. per mos tu zgjatur me tej ! Prandaj ne shtetin dhe tokat e shqiptareve , e kane ndaluar tregtimin e mendjes dhe te trurit ! Kaq e thjeshte eshte !

    Por ti ruaje , sepse eshte e vetmja gje qe dallon njeriun nga kafsha ! Me vjen mire qe te degjova se kisha mendimin se specia Homosapiens Sapiens ishte zhdukur ! Por paska akoma ne qarkullim ! Pershendetje miqesore !

  • Shkrim i mrekullueshem surrealist,tabllo besnike e krizes se
    pafund e pa zgjidhje e shoqerise shqiptare.
    Pergezime te sinqerta autorit(res) per origjinalitetin.
    Nju sugjerim;po qe se vazhdon te shkruash keshtu,mos e shit.

  • Nuk ka bleres te denje per nje shkrim si ky. Te gershetosh fatkeqesine e vendit ku jetojme me sarkazmen dhe ironine dhe duke e mbajtur koken lart gjithmone, pavaresisht injorances qe na rrethon, eshte diçka qe meriton respekt dhe perulje per autoren e ketij teksti. Nese shkrime te tilla do te kishte me shpesh, atehere edhe jeta jone, me te mirat dhe veshtiresite e saj, do te ishte me e bukur. Bravo vajzes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *