Pas vitesh zvarritje, procesi ndaj Dritan Dajtit duket se po i afrohet fundit. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur sot pretencën, me anë të së cilës kërkon dënimin me burg të përjetshëm dhe 1 milionë lekë gjobë për Dajtin.
Seanca e sotme ishte e 275-a në radhë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009 qëlloi për vdekje katër oficerët, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Saimir Duçkollari. Katër efektivët e mësipërm ishin pjesë e skuadrës që tentoi të arrestonte Dajtin, i cili në atë kohë ishte një prej personave më të kërkuar.
