Të gjithë kanë mbetur të shokuar e gojëhapur nga eliminimi i papritur i Rafael Nadal në Wimbledon dhe me të drejtë madje.
Të gjithë kanë mbetur të shokuar e gojëhapur nga eliminimi i papritur i Rafael Nadal në Wimbledon dhe me të drejtë madje. Askush nuk e kishte marrë mundimin thjesht ta mendonte se 19-vjeçari australian Nick Kyrgios do të shkaktonte një surprizë kaq të madhe, duke i treguar derën raketës numër një të botës. Megjithatë vetë spanjolli u shfaq shumë i qetë në shpjegimin e kësaj disfate, sikur të ishte diçka krejt e zakonshme.
“U përpoqa dhe humba. Eshtë mënyra më e thjeshtë për ta shpjeguar. Nuk është një dramë. Suksese për kundërshtarin në vazhdim, ndërsa për mua do të ketë plazh. Po, do të shkoj të pushoj në plazh në Mallorca”.
Në vijim Nadal vazhdoi të fliste për 19-vjeçarin çudibërës, numrin 144 të klasifikimit ATP para se të niste turneu i Wimbledon.
“Shpesh në botën e sportit ka ndikim të madh mënyra se si mendon. Kur në mendje ke gjëra pozitive, atëherë mund të luash mjaft mirë. Për një lojtar si ai, gjithçka është e re, nuk ka çfarë të humbasë”.
Para se të largohej për të nisur pushimet në Mallorca, tenisti spanjoll i uroi fat australianit që e eliminoi.
“Bota mund të shikojë vetëm gjërat pozitive në gjithçka që bën. Të shohim nëse ai do të jetë në gjendje të përmirësohet dhe nëse do të luajë në nivel të lartë për një kohë të konsiderueshme. Gjithsesi unë i uroj më të mirat”.
