Halimi dhe Topalli kërkojnë ngritjen e komisionit për serverin e Tatimeve

anazapta

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën e radhës, në të cilën është e pranishme edhe opozita. Seanca ka nisur me debate mes deputetëve të PD-së, Eduard Halimi e Jozefina Topalli, me nënkryetarin e Kuvendit, Vangjel Dule, për shkak të mospërfshirjes në rendin e ditë të Komisionit Hetimor për Serverin e Tatimeve.

Deputeti demokrat, Halimi, akuzoi kryeministrin Rama se ka bllokuar futjen në rendin e ditës të ngritjes së një komisionit të tillë.

“Prej katër javësh e kërkojmë dhe as sot nuk është futur në rendin e ditës, ngritja e komisionit hetimor për serverin e Tatimeve. Kjo është bërë me urdhër të Kryeministrit sepse ai kërkon ta fshehë atë që ka ndodhur me serverin. Kemi pritur që Kuvendi dhe mazhoranca të reagojnë dhe të qeverisin me drejtësi duke zbatuar ligjet. Nuk ka mjet tjetër për të kontrolluar punën e qeverisë veç komisioneve dhe interpelancave”, tha Halimi.

Ndërsa Topalli, në mbështetje të Halimit, tha se është detyrim i maxhorancës futja në rendin e ditës ngritja e komisionit hetimor për të kontrolluar qeverinë.

“Sot s’mund të pajtoheni me qëndrimet e kryetarit të parlamentit apo të mazhorancës. Opozita s’ka mjet tjetër për kontrollin e qeverisë përveç komisioneve hetimore dhe interpelancave. Ju kërkoj të fusni në rend të ditës këtë çështje që është ratifikuar së fundi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. S’e kam me ty, e kam me dy kryetarët”, u shpreh Topalli.

Nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, vuri në dukje se opozita duhet të respektojë procedurat parlamentare.

“I takon Konferencës së Kryetarëve të procedojë më tej në lidhje me çështjen. Kjo do të ndiqet, por jo duke dalë nga procedurat”, tha Dule.

 

Share This Article
9 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *