Një grua e huaj vjen në Shqipëri dhe ndërton një histori suksesi. Në 20 vite punë e përpjekje në këtë vend ajo thotë me plotë gojën që ia doli, por nuk ndalet këtu, ka shumë më tepër për të bërë. Po flasim për Znj. Kristina Buzi Ferruzzi, Drejtoreshë Menaxhuese e Coca Cola-s. Sot, e kemi ftuar në Dita, për të folur jo më shumë për biznesin, por për mënyrën se si ka arritur të bëhet një grua e pushtetshme dhe e pasur. Përveç këtyre, ajo është edhe një familjare shumë e mirë, është e martuar dhe gëzon statusin e nënës. Ka lindur në Itali, por e ndjen veten qytetare të botës. Vetëm 2 muaj më parë “Coca-Cola Bottling Shqipëria” festoi 20-vjetorin e punës së saj në vendin tonë.
Më poshtë një rrëfim i zonjës Kristina Buzi Ferruzzi.
Zonja Kristina, 20 vite në Shqipëri, ka qenë e vështirë?
E vështirë nuk do ishte fjala e duhur, por unë do të thoja e mahnitur. Gjërat e vështira që kanë dashur impenjim të madh, janë zgjidhur gjithmonë me mjaft mirëkuptim dhe me bashkëpunimin e të gjithëve.
Përpara se të vinit në Shqipëri në vitin 1994, çfarë kishit dëgjuar për këtë vend?
Shumë pak! Në Europën e vitit 1991 nuk dihej asgjë për Shqipërinë, vetëm emri i Enver Hoxhës dhe anijet me klandestinë që zbarkonin. Vetëm ministri italian i Tregtisë së Jashtme, zoti Beniamino Andreatta, kishte bërë një kërkim dhe një dokumentim demografik të përafërt.
Çfarë mbani mend për herë të parë, kontaktin e parë me njerëzit me klientët?
Udhëtimi i parë, pavarësisht nga kushtet e pistës ku u ul avioni, ishte një surprizë e bukur. Një vend shumë i gjelbër, me male madhështore, agrumet dhe ullishte në bregdet ishin një mrekulli. Njerëzit ishin mikpritës, miqësor dhe thuajse të gjithë flisnin italisht, dhe veçanërisht, të etur për të mësuar dhe zbuluar gjithçka. Të etur për të rikuperuar kohën e humbur, lirinë e munguar!
Si ka qenë të filloje një biznes në Shqipëri e më pas ta zhvilloje atë deri në këto përmasa që është sot?
Në të gjithë vendet e botës, nisja e një aktiviteti përballet me vështirësi, por eksperienca jonë e gjatë në këtë fushë na ka bërë që t’i kalojmë këto vështirësi. Padyshim që një treg i virgjër është më kollaj për t’u pushtuar se një treg me konkurrencë të fortë. Dhe mbi të gjitha kompania jonë është rritur në të njëjtën trajtë me vendin.
Fakti i të qenit grua, ju ka ndihmuar apo penguar?
Sinqerisht, nuk e kam vënë re. Nuk di ç’të them. Nuk kam menduar për zona lokale. As këtu, as në Itali. Ndoshta nuk e kam kuptuar, po besoj se kjo më ka shkathtësuar.
A jeni ndjerë ndonjë herë e paragjykuar?
Jo, kurrë! Të gjithë i takoj me nderim dhe kam raporte të mira me të gjithë. Ndoshta për shkak të markës që unë përfaqësoj e cila ndihmon për të superuar të gjithë paragjykimet.
Ju keni ngritur dhe zhvilluar biznesin e Coca-cola-s, në periudha plotë me ngjarje. Shpërthimi i vitit 1997 për shembull, si arritët të mbijetonit?
Me forcë, qetësi, arsyetim dhe madje dhe me një ndjenjë humori. Ndonjëherë, në momentet tragjike duhej të ç’tensionoheshe, të shikoje situatën me shkëputje, se çfarë i ndodhte të tjerëve, e më pas… të shikoje pjesën komike. Ka qenë shumë e rëndësishme!
Thuhet që biznesmenët qëndrojnë shumë afër edhe me qeveritë për lehtësira që përfitojnë nga kjo e fundit. Ju sa afër keni qëndruar me qeveritë shqiptare në këto dy dekada?
Ne kemi një marrëdhënie shumë të qartë me të gjithë politikanët, sepse puna jonë nuk kërkon ndonjë lloj marrëdhënie të veçantë. Në fillim në Shqipëri nuk ka pasur ligje dhe ka qenë e nevojshme të bisedoje, për të nxjerr autorizime për ndërtimet, për puset, për tregtinë, etj. Por dua të them se ne kemi gjetur gjithmonë një bashkëpunim korrekt.
Keni miqësi me politikanë shqiptarë? Çfarë raportesh keni me ta?
Pas 20 viteve do të ishte e pamundur të mos njihesh me disa politikanë. Shumë janë miq prej dy dekadash, persona që është kënaqësi të kesh një raport miqësie, shkëmbim mendimesh, veçanërisht të përpiqesh të krijosh së bashku një zhvillim të ekuilibruar të vendit.
Ju jeni një shembull i një gruaje të suksesshme, çfarë ke kaluar për t’ja dalë mbanë?
Unë nuk kisha zgjidhje, mu desh të impenjohesha me biznesin tonë pas vdekjes së burrit tim të parë, Sergio Buzi, babai i tim biri, Lukës. Unë i kisha detyrat e përcaktuara qartë, por ishte shumë më ndryshe tashmë që duhet të isha në krye të punëve. Me shumë vendosmëri, arrita të kaloja çdo vështirësi.
Çfarë keni sakrifikuar nga jeta juaj për të qenë kjo që jeni sot?
Absolutisht asgjë. Unë nuk ka sakrifikuar asgjë, unë ia kam dal gjithmonë të bëj detyrën time, duke ndjekur tim bir, duke u zbavitur e duke gjetur kohën për t’u marrë me sport, me kulturën, me udhëtime. E gjitha është vetëm çështje e një mirëorganizimi.
Nga kush përbëhet familja juaj?
Familja ime është një familje e zgjeruar: nga im bir Luka, bashkëshorti im i dytë, Arturo Ferruzzi, tre fëmijët e tij që na kanë dhënë tri nipër. Shumë qen, që janë pasioni im, miqtë e mi, që janë gjithmonë me mua kudo.
A mund ti bëj të gjitha një grua të këtë një familje të shëndetshme dhe një karrierë shumë të mirë?
Një grua duhet të ketë një familje të mirë për të bërë karrierë. Familja të jep forcë, të karikon për të zgjidhur problemet, të mbështetë që ti të ndjehesh një luaneshë në shkretëtirë, që duhet të mbrosh të vegjlit dhe t’u sjellësh ushqim luanëve të tu, kjo është një grua e vërtetë në karrierë.
Cila është origjina e familjes suaj, ka qenë e përfshirë në biznes më parë?
E gjithë familja janë marrë me prodhime si nga ana e babait edhe nga ana e nënës. Të gjithë kanë ndërtuar dhe më pas rindërtuar pas luftës. Në Itali ne kemi një shprehje që thuhet “Gjaku i mirë nuk të zhgënjen”.
Ku jetoni sot që flasim?
Për fat ku unë punoj kam dhe shtëpinë time. Një javë në muaj jetoj në Shqipëri, dy javë në muaj në Sicili dhe një javë në Veri. Ku do që shkojnë e kam një shtëpi.
Çfarë ju bën kaq energjike? Keni një sekret që mund ta ndajmë me lexuesit?
Energjia më vjen nga rezultati që kam marrë me punën time. Arritja e çdo objektivi ditë pas dite, më karikon vazhdimisht. E kur ndaloj për diçka lodhja më akumulohet. Për një kohë të shkurtër pasi unë gjithmonë lëviz me shpejtësi dhe gjithmonë gjej motive që më mbush.
Ka plot vajza të reja që duan të nisnin rrugën e biznesit, por kanë droje, çfarë do t’i këshillonit një personi që do të bëhet dikush?
Është shumë e vështirë të japësh këshilla, kohët kanë ndryshuar, e vetmja këshillë që më vjen për të dhënë është që të mbeten të vërteta, e të ndjekin atë iu kanë dhënë prindërit, dhe të ndjekin ëndrrat e tyre. Nëse beson me vërtetë, vijnë dhe arritjet sepse ti je angazhuar seriozisht.
Bëni ju një jetë luksoze?
Bëj një jetë shumë të thjeshtë, një jetë me punë, por kurrë nuk i privohem asgjëje. Jam me fat.
Ju jeni edhe një banore e Tiranës, si ju duket ky qytet dhe si ka ndryshuar në sytë tuaj?
Po, ka ndryshuar shumë. Është një qytet i bukur europian. Elegant, modern, i këndshëm dhe me jetë. Ndonjëherë më kap nostalgjia për ato shtëpitë me qerpiçë të bardhë, me dritaret prej druri që duken si qëndisje, me mur të lart në kopsht, me ndonjë mandarinë të mbjellë. Kjo është zemra e Tiranës, kur kam arritur unë, ka qenë e mrekullueshme.
Keni bërë miq në Shqipëri, miq të mirë?
Kam shumë miq në të gjithë Shqipërinë. Është kënaqësi sa herë i takoj.
Cili është qyteti që iu ka bërë më shumë përshtypje?
Janë shumë: Berati më ka magjepsur, ndoshta më shumë se disa qytete të tjera më të rëndësishëm. Më pas natyrisht, Butrinti dhe Gjirokastra.
Thuhet se Shqipëria është vend i ekstremeve, e keni konstatuar edhe ju këtë?
Reagimi i shqiptarëve për të kapur kohën. Kanë kapërcyer shumë rajone të Italisë, dhe të Europës. Edhe mikpritja, nuk mund harrohet ajo që ndodhi me kosovarët gjatë luftës. Asnjë shtet nuk mund të kapërcente atë emergjencë nëse s’do të kishte mikpritur çdo familje qytetare të Kosovës.
A ka ndodhur ndonjë herë kur keni qenë e nervozuar dhe të thoni, mjaft duhet ikur nga ky vend?
Kurrë. Nuk më ka shkuar fare në mend.
Ju jeni një grua e pasur. Ka persona qe mendojnë se pasuria është gjithçka, të tjerë nuk e ndajnë këtë mendim. Për ju pasuria është gjithçka?
Për mua puna është gjithçka! Puna është pasuria e vërtetë. Paratë duhet të shërbejnë për të rritur biznesin tënd, për të investuar rregullisht për të vijuar rritjen.
Nëse do të ishit në krye të punëve të bashkisë së Tiranës, çfarë do të ishte gjëja e parë që do të ndryshonit?
Nuk mendoj se ka gjë për të ndryshuar, por duhet gjithmonë përmirësuar. Është bërë shumë, por kurrë s’duhet ndalur së përmirësuari.
Por po të ishit kryeministre, cili është veprimi i parë që do të bënit?
Unë nuk jam politikane dhe nuk e di tamam se kush duhet parë me përparësi. Ndoshta, shëndetësia, sepse është problemi kryesor në të gjithë vendet e botës, edhe në ato më të përparuarat. Ndoshta zhvillimi i aktiviteteve industriale të cilat janë zhdukur në mënyrë që të sigurohej pavarësia e përgjithshme e vendit dhe të hapeshin vende pune për të gjithë. Nuk është e thjesht ti përgjigjesh kësaj pyetje.
***
Kam parë pjesët më të bukura të botës, tani nuk dua më të udhëtoj më
Zonja Kristina, ju mërziteni ndonjëherë? Cilat janë gjërat që ju bëjnë nervoze?
Më nervozojnë njerëzit e trishtuar, të privuar nga humori. Në jetë është e nevojshme të qeshësh. Nëse në një mbrëmje shoqërohesh nga njerëz të mërzitshëm, atëherë është më mirë të shkosh të shikosh një film të bukur.
Cila është forca juaj?
Vullneti, këmbëngulja, kalimi gëzueshëm i ditës.
Pika juaj e dobët?
Ndjenja. Ndonjëherë ndjenjat të rrëmbejnë. Besimi i tepërt te një miqësi që nuk ekziston, shumë respekt për një njeri që nuk e meriton atë… janë shumë zhgënjyese.
Në cilat raste qan një grua si ju?
Unë qaj kur një familjar imi ikën nga kjo jetë. Kur një mik vdes. Ose kur më ngordh një qen, një mik besnik i cili ikën…
Cila është ambicia juaj më e afërt?
Sinqerisht nuk mund ta them. Ndoshta duke pasur qetësi, dhe të argëtohem me punën time.
Vitet pak nga pak kalojnë, keni një keqardhje për diçka që ndoshta nuk keni arritur ta realizoni?
Jam shumë me fat sepse kam arritur të realizoj të gjitha projektet, edhe ato më ambiciozet. Ato që nuk janë realizuar kam kuptuar pas një kohe se kanë qenë gabim dhe të panevojshëm. Koha është gjykatësi më i mirë.
Ju udhëtoni? Cilat janë vendet që preferoni më tepër?
Kam parë pjesët më të bukura të botës, dhe tani nuk dua më të udhëtoj. Jam mirë në shtëpinë time. Mundësisht në Siçili ose në male.
Si ka qenë fëmijëria, adoleshenca juaj?
Të dyja mjaft bukur. Jam rritur për gjashtë vite në Paris, për shkak të punës së tim eti. Ka qenë një periudhë shumë e bukur, dhe në këtë qytet kam parë bukurinë e vërtet, historinë, kulturën. Më pas adoleshenca ime ka qenë në Milano, edhe Milano më ka dhënë shumë. Më pas kam pasur familjen time që më ka dhënë gjithmonë shumë dashuri.
Nëse do të ktheheshit në kohë, çfarë do të bënit ndryshe?
Do të bëja ekzaktësisht çfarë kam bërë, nuk do të ndryshoja asgjë.
Kur festoi martesën e saj në Tiranë
E lindur në Bolonja, Itali, Kristina është një shembull “par excellence” i karizmës, hijeshisë, kompetencës dhe shpirtit për sipërmarrje. Pasi u bë pjesë e biznesit të familjes sipërmarrëse Buzi nga Bologna, Kristina u bë pjesë e kompanisë Sadib Rimini, kompani e cila ishte mbushëse e pijes së njohur Coca-Cola, e grupit Poligrafici Editoriale (botues i Resto del Carlino, La Nazione, Il Giorno), pronave dhe pasurive të patundshme dhe l’Europa PUBBLICITA (konçesionar i Gruppo Universo). Në vitin 1977 kompania bleu Sibeg, mbushës i pijeve të famshme Coca-Cola në Catania, Sicili. Sibeg është tashmë një lider në treg me mbi 50 vjet histori të suksesshme. Pas humbjes së bashkëshortit të saj në një aksident tragjik me makinë, Kristina rikonfirmoi forcën dhe aftësitë e saj në lidership, duke u kthyer në një kohë të shkurtër, si një pikë referimi në skenën e sipërmarrësve të Italisë. Ndërmjet viteve 1982 dhe 2007 ajo ishte aksionere e Bordit të Drejtorëve të L’Espresso dhe qëndroi si zëvendëspresidente gjatë viteve 1991-1999. Në vitin 1994, me një largpamësi dhe guxim të madh, ajo mori përsipër sfidën e paraqitur nga Atlanta për të hapur dhe drejtuar ÇBS, fabrikën e prodhimit të Coca-Cola në Shqipëri. Familja Buzi ishte sipërmarrësi i parë italian për të besuar, së bashku me Coca-Cola Company, në atë çka premtonte Shqipëria. Znj. Buzi Ferruzzi, në atë kohë me nofkën “një Dallëndyshe në Shqipëri”, u zgjodh Presidente e Industrialistëve italianë në vitin 1999 në “Tokën e Shqiponjave.” Në shtator të të njëjtit vit, edhe pse ata mund të kishin zgjedhur çdo qytet tjetër në Itali, Kristina dhe Arturo Ferruzzi qëllimisht zgjodhën për të festuar martesën e tyre në Tiranë. Në rrjedhën e gjatë të aktivitetit të biznesit të saj, Znj. Buzi ka marrë disa çmime, duke perfshirë: Medaljen e Dhomës së Deputetëve të Institutit Pio Manzù në 1982; Medaljen “Drejtuesja femër sipërmarrëse të botës 1998,” rezervuar për biznesmene nga e gjithë bota dhe të organizuar nga American Star Group. Ne qershor 2006 ajo mori çmimin “Golden Apple” nga Fondacioni Marisa Bellisario për kategorinë e sipërmarrësit. Që nga viti 2011 ajo është Zv. Presidente e “Assobibe” dhe anëtare e Bordit të “Confindustria Catania”. Shpirti i saj i jashtëzakonshëm i sipërmarrjes dhe një angazhim i fortë dhe i vazhdueshëm në këto dy zyra kanë ndikuar për të forcuar ndikimin e saj pozitiv në shumë institucione italiane dhe në kuadër të kompetencave të saj, kanë ngritur kontakte të shumta me qeverinë italiane.

Po kostumet Berishës kjo vazhdon tja sjellë akoma?
Hajde Dita, hajde, kujt i bëni “publicitet”