Kastrimi i grupit të deputetëve

anazapta

(Skema për ta rrethuar Lulin vetëm me dafina)

Redaksional

Partia Demokratike është përfshirë nga një proces disa javor i zgjedhjes së strukturave dhe nën strukturave të saj në rrethe. Vëmendja mediatike është përqendruar më së shumti në raportimet e kundërshtive të palëve mbi rezultatet e zgjedhjeve të kryetarëve të degëve në rrethe. Janë kryesisht pretendime për parregullsi në proces. Dje vëmendja ishte përqendruar në Gjirokastër, ku Shemsho Lamaj, kandidati i dalë në vendin e dytë, akuzonte për manipulim, madje dhe për numër prej 38 fletësh “tepër” votimi të gjetura në kuti. Ai humbi me vetëm 6 vota diferencë ndaj kandidatit fitues Bejko. E njëjta histori ka ndodhur dhe në Korçë, në Pogradec, tensione dhe përplasje ka dhe në Tiranë, Durrës, e sidomos në Shkodër ku procesi ende nuk është përmbyllur. Por ndërsa raportimet mediatike mbi këtë proces janë fokusuar tek ‘vicklat’ që hedhin kandidatët e pakënaqur, në hije dhe jashtë analize lihen dy elementë që në fakt e bëjnë këtë garë tërësisht një shfaqje të kontrolluar, me rezultat të paracaktuar.

Elementi i parë, është piramida e përmbysur. Në korrikun e vitit 2013, një vit më parë, PD-ja bëri zgjedhjen e kryetarit të saj të ri, mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Fitoi ky i dyti. Olldashi atakoi procesin, sidomos listat dhe pak muaj pas humbjes së garës, humbi dhe jetën, në një ngjarje që etiketohet si aksident dhe që është ende objekt hetimi nga prokuroria.

Por duhej të ndodhte ndryshe, pasi si fillim duhej të kryheshin procedurat e zgjedhjeve nëpër degë dhe pasi të rinovoheshin dhe rifreskoheshin degët, atëherë mund të bëhej dhe gara për kryetarin e partisë. Për garën e kryetarit të partisë u zgjodh një praktikë ‘ekstra-proceduriale’, u zgjodh votimi një anëtar një votë. Me këtë procedurë u bë Lulzim Basha kryetar partie, ndonëse procedura ishte anti-statutore.
Elementi i dytë tejet problematik shfaqet në zgjedhjet e tanishme, të degëve. Pasi Basha kapi kreun e Partisë, ose më saktë, pasi Basha u instalua në prehrin e kreut  të pandryshuar të partisë, ai firmosi një rregullore. Rregullorja parashikonte që në çdo degë të PD-së do të dërgohej një delegat i kryetarit dhe një koordinator i posaçëm që do të organizonte zgjedhjet në çdo degë. Do të merreshin këta koordinatorë me të gjitha detajet. Kush i caktonte këta persona? Sërish Lulzim Basha.

Ndaj dhe në PD-të e rretheve kanë nisur ‘vicklat’ pasi shumëkush në këtë parti, e di mirë se në fakt koordinatorët përfaqësojnë thjesht vullnetin e kryetarit për spastrim përfundimtar. Të gjithë koordinatorët janë pjesë e një ekipi shoqesh dhe shokësh apo të besuarish të Bashës (kupto Berishës), që në vitin 2013, nuk e bënë dysh fjalën e doktorit për të mbështetur Lulzim Bashën për kreun e PD-së, e tani janë caktuar si dispeçer në rrethe për të çuar porosinë deri në fund. Grupi i Genc Pollos, i përbërë nga Kreshnik Çollaku, En(n)o Bozdo, apo Fahri Balliu, Petraq Milo, etj etj, janë një dorë të deleguarish-specialë që kanë gjithë besimin e Bashës.

Në dukje, po jepet ideja sikur kryetarët e zgjedhur kanë një farë larmie në rrethe të ndryshme, por e vërteta është se kryetarët që po zgjidhen janë të gjithë persona që jo vetëm kanë mbështetur Bashën gjatë fushatës së tij për kryetar partie në korrikun e vitit të kaluar, por njihen dhe si kundërshtarë të ashpër të një grupi deputetësh në PD që Basha i ka halë në sy.

Qarkorja e Bashës për organizimin e zgjedhjeve  nëpërmjet koordinatorëve të deleguar prej tij, ndër të tjera, nxori kundrapedal dhe grupin parlamentar të PD-së, duke neutralizuar tërësisht sidomos grupin që Basha e ka më shumë merak: Topalli-Bode-Ruli-Patozi. Imagjinoni pak, ish kryetarja e Parlamentit, dy ish-ministra të rëndësishëm të PD-së, ish-kreu i grupit parlamentar, jo vetëm që nuk kanë pasur fare të bëjnë me këtë proces, por janë lënë në mënyrë arbitrare jashtë loje, duke u dhënë një mesazh të qartë: Kastrimi i tyre sapo ka nisur.

Çdo element tjetër i këtyre zgjedhjeve është thjesht një formalitet, janë detaje pa peshë, koordinatorët kanë gjithçka nën kontroll ndërsa listat janë të qëndisura nga të njëjtët persona që qëndisën listat e zgjedhjeve kur Basha u shpall kryetar vitin e kaluar.

Është faza e dytë e një ofensive të nisur që prej korrikut të vitit të kaluar kur Basha u shpall me çdo kusht kryetar. Tashmë, grupi i deputetëve puçist  janë ‘de facto’ dhe ‘de jure’ të neutralizuar dhe nuk përfaqësojnë më asgjë tjetër përveçse veten e tyre. Me punët dhe mbarëvajtjen e PD-së në Korçë nuk do të ketë më punë Ridvan Bode, e po kështu me Shkodrën Topalli, me Gjirokastrën Ruli etj.
Kryetarëve të rinj të zgjedhur në rrethe është e kotë edhe t’ua dish emrat, të gjithë quhen Lule. Janë të gjithë lule dafine që i janë shtruar Bashës për të qëndruar i qetë në postin ku e emëruan një vit më parë. Ata që e emëruan dhe i hapën rrugën drejt kryetarit, ata po ja shtrojnë dhe me lule dafine dhe strukturat e partisë në rrethe. Kur e mendon, nuk ka ndodhur ndonjë hata e madhe. Është përsëritur ajo që gjithnjë ka ndodhur në PD, u bë çdo gjë që kjo parti të mbetet e Berishajve.

Grupi “puçist” i deputetëve u kastrua, dafinat nëpër rrethe u shtruan, Luli vazhdon buzëqesh, prokuroria vijon hetimet për aksidentin e Olldashit. Mungon vetëm qershia mbi tortë, e cila do jetë në përfundim të procesit: Lideri historik Berisha, do dalë në konferencë para medieve, do përshëndesë procesin e shkëlqyyyr demokratik të zgjedhjeve, do falënderojë Lulin për organizimin brilant të këtyre zgjedhjeve dhe pas konferencës do  dërgojë Lulin në Bashki dhe vetë do shkojë një xhiro nga Presidenti, për tu interesuar si shkojnë punët me KLD-në dhe hetimet delikate të prokurorisë.

grupi i vjeter PD

***

Kokalari: Jap dorëheqjen nga PD, por nuk kam pretendime….

Intervistoi: Habjon Hasani

Mbrëmjen e djeshme, Alije Kokalari dukej e qetë. Ndonëse paradite kishte denoncuar publikisht presione dhe shantazhe që i ishin bërë, në mbrëmje, dukej disi më e ftohtë. Në një intervistë për DITA, ajo ka treguar arsyet e dorëheqjes së papritur nga posti i kryetares së Forumit të Gruas në PD-në e Gjirokastrës. Tërësisht personale thotë për arsyet, ndërsa shton se probleme ka pasur gjatë garës, por…menjëherë shton se çdo proces ka problemet e veta. Ajo ka mohuar zërat se me zgjedhjen e Bejkos si kryetar i PD-së në Gjirokastër, është neutralizuar grupi i Genc Rulit në këtë qytet, por shton se kandidati Shemsho Lamaj, pas pretendimeve për manipulim, ka të gjithë të drejtën që të kërkojë vlerësimin e procesit…

 

Zonja Kokalari, ka raportime mediatike se ju jeni dorëhequr nga posti si kryetare e Forumit të Gruas në Gjirokastër. Mund të na njihni me arsyet e këtij veprimi?

Arsyet janë tërësisht private dhe personale.

 

Dakord por ju jeni shprehur se keni pasur presion dhe shantazhe, apo jo?

Çdo proces ka të mirat dhe problemet e veta. Nuk ka procese pa probleme. Por unë dua të theksoj se arsyet e largimit tim janë thellësisht personale, lidhen me planet e mia.

 

Keni plane në horizont domethënë, janë projekte të reja?

Patjetër, projekte shumë të mira për të ardhmen.

 

Këto projekte tuajat nuk është se lidhen me ndonjë parti tjetër që nuk është PD-ja apo jo?

Jo jo nuk ka fare vend për të aluduar diçka të tillë. Mua Partia Demokratike më ka mbështetur më ka promovuar në vite dhe nuk ka asnjë diskutim që do të jem përkrahëse e kësaj partie.

 

Po pse dhatë dorëheqjen nga kjo parti që ju ka promovuar dhe që e mbështesni atëherë?

Ju mund të pyesni dhe të interesoheni. Unë e kam deklaruar kohë më përpara se pas këtij procesi zgjedhor do të jepja dorëheqjen nga posti që mbaja. Kështu veprova duke dhënë dorëheqjen dje.

 

Por ju thoni se procesi ka pasur probleme apo jo?

Po çdo proces ka problemet e veta. Është normale që në një proces të ketë dhe mangësi apo gjëra që nuk shkojnë. Jo çdo gjë shkon mirë. Kjo ndodh në çdo proces.

 

Në optikën tuaj ky proces ishte i suksesshëm në totalin e vetë në Gjirokastër? Shkuan gjërat siç duhej?  

Këtë mund ta them në një kohë të dytë pasi të vlerësohet çdo gjë që ka ndodhur nga strukturat përkatëse. Por nuk kam arsye që të them se ka shkuar keq deri në këtë moment.

 

Mund të më rendisni disa gjëra që sipas jush nuk kanë shkuar siç duhej?

Siç e thashë dhe më lart probleme ka në çdo proces dhe nuk është momenti që unë tani të bëj publike ato gjëra që sipas meje nuk kanë shkuar siç duhej.

 

Zonja Kokalari, dua t’ju bëj një pyetje shumë konkrete. A është goditur në Gjirokastër e gjithë linja e deputetit Ruli?

Unë nuk jam pjesë e asnjë linje apo klani as me zotin Ruli e as me kërrkënd tjetër. Jam me Partinë Demokratike.

 

Nuk bëra përcaktimin tuaj personal si pjesë e ndonjë linje. Por ju jeni aktive dhe njihni mirë zhvillimet në PD-në e Gjirokastrës. Në opinionin tuaj, nga ajo që keni parë, e konstatoni diçka të tillë?

Jo, nuk mendoj se ka ndodhur diçka e tillë. Sidomos kur shoh që kryesia e partisë në Gjirokastër thuajse nuk ka ndryshuar fare, janë të njëjtit njerëz. Ndaj dhe nuk kuptoj se ka ndodhur diçka e tillë.

 

Dakord, por ka ndryshuar kryetari i partisë atje apo jo?

Po është krejt normale të ndërrohet kryetari, askush nuk është i përjetshëm.

 

Në fakt kandidati i për kryetar Shemsho Lamaj, ka bërë akuza për manipulim…

Ai ka pretendimet e veta për këtë problematikë dhe besoj se do bëjë ankimimet e veta…

 

Problematikë? Manipulimi i votave në një proces zgjedhor është ngjarje thelbësore. Nuk duket si pretendim dhe aq i thjeshtë apo jo?

Për çdo pretendim do të bëhen verifikimet dhe do të merret një vendim pasi të jenë vlerësuar të gjitha pretendimet. Gjithsecili ka të drejtën e vet të shpalosë pretendimet.

 

E ku do i shpalosë kandidati Lamaj këto pretendime sipas jush?

Në komisionin e posaçëm që do shqyrtojë rregullsinë e garës, në komisionin që ka organizuar këtë proces. Në struktura.

 

Po ky komision organizator është për vete nën akuzë në momentin që pretendohet për manipulime. Si mundet i akuzuari të vlerësojë ankesat?

Në rast se do ketë pretendime ndaj komisionit atëherë nga qendra mund të caktohet një tjetër komision për t’i shqyrtuar ankesat. E rëndësishme është që çdo pretendim të shqyrtohet dhe të mos anashkalohet dhe të ketë një vlerësim korrekt për procesin që është kryer në Gjirokastër.

 

Si e vlerësoni faktin që deputetët u mbajtën jashtë organizimit të procesit të zgjedhjeve. Për shembull zoti Ruli, nuk është parë fare në Gjirokastër këto kohë, apo jo?

Zoti Ruli dhe gjithë deputetët e PD-së nuk kanë qenë pjesë e procesit. Ata kanë pasur të drejtën si çdo kush që të votonte për kandidatin e preferuar, por asnjë deputet në asnjë rreth të Shqipërisë nuk ka qenë pjesë e procesit.

 

Juve ju duket normale kjo gjë, që deputetët të jenë jashtë-loje?

Është vendosur kriter për të gjitha degët. Ka pasur një person të deleguar nga kryesia që do udhëhiqte procesin, në Gjirokastër ishte zoti Petraq Milo. Ka pasur dhe një koordinatore të të gjithë procesit dhe për Gjirokastrën ka qenë zonja Arta Musaraj.

 

Kush i ka vendosur këta persona?

Kryesia e Partisë Demokratike në Tiranë.

 

Mbi ç’bazë janë përzgjedhur këta koordinatorë?

Përpara se të niste procesi, u hartua një rregullore për mënyrën se si do të funksiononte procesi. U vendos që të operohej me koordinatorë të deleguar nga kryesia e PD-së në Tiranë.  Kështu ka funksionuar në të gjithë Shqipërinë.

 

Kjo rregullore e jashtëzakonshme që ju referoni, është konform statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë?

Kjo rregullore është një plan për procesin dhe është miratuar nga kryesia e Partisë Demokratike dhe është zbatuar në rang kombëtar, në të gjithë vendin.

 

Është statusore apo anti-statutore kjo rregullore e posaçme për këto zgjedhje sipas jush?

Mendoj se gjithçka është kryer konform statutit të Partisë Demokratike.

Në foto: Alije Kokalari, ish-kryetare e Forumit të Gruas së PD, Genc Ruli deputet i PD, Altin Çomo ish-Kryetar i PD në Gjirokastër
Në foto: Alije Kokalari, ish-kryetare e Forumit të Gruas së PD, Genc Ruli deputet i PD, Altin Çomo ish-Kryetar i PD në Gjirokastër

 
Kandidati Lamaj  denoncon procesin: Në kutitë e votimit u gjetën 38 vota tepër

Zgjedhja e Roland Bejkos në krye të PD së Gjirokastrës me vetem 6 vota difrencë nga kandidati i tij më i fortë, Shemsho Lamaj, mund të ketë qenë një proces i manipuluar, teksa ka thelluar hendekun mes grupeve të ndryshme brenda kësaj force politike në qytetin e gurtë. Akuza është bërë nga Shemsho Lamaj, një nga kandidatët për kreun e Partisë Demokratike në këtë qytet. Ai pohon se gara mes tij dhe Bejkos për shkak të diferencës prej vetëm 6 votash, në të vërtetë është në balotazh pavarësisht manipulimeve, të cilat i argumenton më poshtë. “Kam kërkuar zyrtarisht nga kryetari i PD, bërjen e balotazhit ose rikthimin e Kuvendit Zgjedhor të PD. Në fund nuk u dha procesverbal në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, nuk u rakordua numri i votuesve sipas listës së delegatëve dhe mandateve të dorëzuara nga delegatët. Dhe nëse i rakordojmë përfundimisht listën me fletët e votimit të gjetura në kuti për anëtarët e kryesisë, dalin që në kutinë për kryetarin kanë qenë 38 fletë votimi më shumë” theksoi Lamaj. Ai ndër të tjera pohon se nuk e njeh legjitimimitetin e kreut aktual të Partisë Demokratike, dega Gjirokastër.
“Minimalisht, nëse konkretizohet, zyrtarizohet ky Kuvend, atëherë kryetari i partisë nuk ka një mandat të zgjedhur nga vota, por ka një emërim. Dhe natyrisht nuk do ta ketë tagrin e një kryetari të zgjedhur me votë direkt nga delegatët e degës Gjirokastër”– tha Lamaj.

 

Dyshimet për manipulime, dorëhiqen drejtuesit e FRPD dhe LGSH

“Një ditë pas zgjedhjes së kreut të PD-së në Gjirokastër përplasjet në këtë degë kanë vijuar, megjithëse Basha paralajmëroi se kushdo që do të tentojë përçarjen e PD-së do të ketë tolerancën dhe mirëkuptimin zero. Burimet nga PD konfirmojnë dorëheqjet e Alie Kokalarit nga posti i kryetares së degës së LGSH, njëkohësisht edhe sekretare e PD në Gjirokastër, dhe Buljana Karagjozi, kryetarja e FRPD. Dorëheqjet janë komentuar si shenjë proteste ndaj një procesi që pretendohet se ka qenë i manipuluar. Kryetarja e Forumit të Gruas të PD, Alie Kokalari, tha se jep dorëheqjen si pasojë e presioneve që ka marrë dje gjatë zgjedhjeve për kreun e ri të PD në Gjirokastër. “Kam pasur presione nga delegatë dhe anëtare kryesie. Kam pasur ofendime që janë të padurueshme. Ishin ofendime në adresën time dhe familjes sime. Falenderoj anëtarët që më kishin votuar”, tha dje paradite Kokalari. Në garën për kreun e PD Gjirokastër garonin 4 kandidatë, ndërs Bejko fitoi me 8 vota diferencë ndaj kandidatit Shemsho Lamaj.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *