Një aplikacion antitrafikim

anazapta

Trafikimi i qenieve njerëzor mbetet një problem në vendin tonë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2013, mbi trafikimin e personave, Shqipërinë e pozicionon në Tier 2 Watch List (Një listë e individëve, grupeve, apo sendeve që kërkojnë mbikëqyrje të ngushtë, në mënyrë tipike për arsye ligjore ose politike) si një nga shtetet që nuk përmbushin plotësisht standardet, por që po bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur ato. Një konferencë e disa ditëve më parë njoftoi se shqiptarët tashmë kanë një mënyrë për të raportuar thjesht dhe shpejt rastet e trafikimit të qenieve njerëzore apo rastet e dyshuara të trafikimit, kjo falë aplikacionit për telefonat smart “Raporto! Shpëto!”, falas, që paraqiti në 16 qershor qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.  Me mbështetjen e veçantë të Ministrisë së Brendshme po ashtu mbështetur edhe nga USAID ky aplikacion mendohet të jetë instrument i thjeshtë, i shkarkueshëm nga Interneti si çdo aplikacion tjetër, pranë Google Play Store dhe për më tepër falas.

Për të mësuar më shumë rreth kësaj forme të re, që ka ardhur për herë të parë në Shqipëri, e për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që duan të kuptojmë më shumë rreth trafikimit dhe mënyrës se si bëhet ky lajmërim ne kemi folur me Ridiona Stana, Menaxheren e Projektit për Mbrojtjen e fëmijëve në “World Vision”. Një fakt tjetër që mësuam nga kjo bisedë është se ka ndryshuar edhe forma e trafikimit. “Zakonisht njerëzit e lidhin trafikun për qëllime prostitucioni ose atë të organeve,  por sot ai ka zhvilluar forma të tjera. Trafikantët janë bërë shumë krijues; ata i trafikojnë dhe i shfrytëzojnë njerëzit për punë, për qëllime pornografike online etj. Aplikacioni luan një rol të rëndësishëm për të edukuar dhe informuar publikun, e sidomos të rinjtë mbi format e ndryshme të trafikimit, elementët e tij dhe mekanizmat për të referuar atë”- shprehet specialistja.

 

Ridiona, kemi në dorë një aplikacion që ndihmon personat e rrezikuar nga trafikimi, erdhi si nevojë e domosdoshme?

Ridiona Stana, Menaxheren e Projektit për Mbrojtjen e fëmijëve në “World Vision
Ridiona Stana, Menaxheren e Projektit për
Mbrojtjen e fëmijëve në “World Vision

Ky aplikacion u krijua nga LogToMobile, fituesi i konkursit të NetHope  pwr “Stop Human Trafficking App”dhe u mbështet nga United States Agency for International Development(USAID). Më pas, ai u përshtat nga zhvilluesit dhe ekspertët shqiptarë për t’u përdorur në Shqipëri, pas me shumë se një viti pune të madhe, shoqëruar nga shumë bisedime mes Ministrisë së Brendshme (Njësisë Anti Trafik), World Vision dhe Vodafone Foundation. Çështja e trafikimit të qenieve njerëzore është diçka shumë e ndjeshme dhe duheshin marrë parasysh shumë gjëra. Por tani kemi gati dhe tërësisht në përdorim  një aplikacion telefonik, për herë të parë në Shqipëri.

 

A është testuar dhe vërtetuar sa i efektshëm mund të jetë ai?

Përpara se aplikacioni t’i bëhej i ditur publikut në 16 Qershor, gjatë një konference kombëtare, kemi patur një periudhe 2-mujore testimi, me një kampion prej 137 personash. 36 prej tyre kishin rolin e përdoruesve pilotë (profesionistë nga strukturat shtetërore për çështjen e trafikimit, profesionistë nga shoqëria civile si dhe studentë nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale). 101 pjesëmarrës të tjerë zhvilluan diskutime dhe trajnime, në nivel kombëtar e lokal. Këshillat dhe idetë e hedhura prej tyre mbi përdorimin e aplikacionit ishin shumë të rëndësishme. Shumica e panë aplikacionin si një mjet mjaft të lehtë për t’u përdorur, një mjet i shpejtë dhe i sigurt për të raportuar rastet e trafikimit apo ato të dyshuara për trafikim, si një mjet shumë i mirë informues dhe edukativ (sepse brenda aplikacionit gjendet shumë informacion). Ky lloj aplikacioni, me qëllim adresimin e trafikimit të njerëzve, po përdoret për herë të parë në rajonin tonë. Besojmë që ai do t’i ndihmojë si qytetarët e thjeshtë për informim dhe raportim, ashtu edhe profesionisteve të cilët mund ta përdorin si një mjet të punës së përditshme.

 

A jemi në një vend me problematikë të lartë në këtë fushë që mund të na hyjë në punë një aplikacion i tillë?

Duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e personave, Shqipëria ishte pozicionuar në Tier 2 Watch List, si një nga shtetet që nuk përmbushin plotësisht standardet, por që po bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur ato. Dhe pikërisht puna për këtë Aplikacion dhe Linjën Kombëtare të telefonisë për rastet e trafikimit janë tregues të përpjekjeve për të dalë nga Lista e Vëzhgimit. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit (faqe 5) citon se gjatë vitit 2013, 55 viktima trafikimi janë identifikuar dhe  referuar nga strukturat shtetërore. Këto janë 55 viktima të identifikuara, por çështjet e trafikimit janë shpesh ndër më të fshehtat dhe më të vështirat për t’u identifikuar dhe raportuar dhe dhjetëra e dhjetëra raste kalojnë pa u vënë re, pa u raportuar. Mendoj që është një dukuri të cilën nuk duhet ta nënvlerësojmë, përkundrazi duhet ta ndërgjegjësojmë publikun. Zakonisht njerëzit e lidhin trafikun për qëllime prostitucioni ose atë të organeve, por sot ai ka zhvilluar forma të tjera. Trafikantët janë bërë shumë krijues; ata i trafikojnë dhe i shfrytëzojnë njerëzit për punë,  për qëllime pornografike online etj. Aplikacioni luan një rol të rëndësishëm për të edukuar dhe informuar publikun, e sidomos të rinjtë mbi format e ndryshme të trafikimit, elementët e tij dhe mekanizmat për të referuar atë.

 

A kemi në shifra të shfrytëzimit të fëmijëve për punë?

Shfrytëzimin e fëmijëve brenda kufijve mund ta vëzhgojë çdokush. Zakonisht është një i rritur (tutori) që shfrytëzon një numër të caktuar fëmijësh nëpër rrugët e qytetit për të lypur, shitur, larë xhamat e makinave etj. Ndërsa jashtë kufijve, nisur nga një studim i “Terre des Homme” gjatë vitit 2012-2013, numërohen rreth 120 raste fëmijësh shqiptarë të shfrytëzuar për punë në shtetin e Kosovës.

 

Si funksionon, nëse mund t’ia shpjegojmë më thjesht lexuesve tanë?

Së pari, ai duhet shkarkuar nga Google Play Store, si çdo aplikacion tjetër. Kjo bëhet shumë thjesht dhe shpejt, mjafton të kërkoni në Google Play Store aplikacionin me emër “Raporto! Shpëto!”. Pasi ta keni në celularin tuaj, dy janë mënyrat sesi mund ta përdorni për të raportuar rastet: së pari duke dërguar një mesazh të shkurtër. Pra, klikoni mbi ikonën e tij dhe hapen me radhë hapat. Nis me Raporto trafikimin! Shkruani diçka shumë të shkurtër psh: fëmijë i vetmuar, ora 2 e natës, rrezik për trafik. Pastaj ju kërkohet të shkruani adresën ku e shihni fëmijën. Para se ta nisni, aplikacioni ju jep dy mundësi: nëse doni, mund të mbeteni anonim. Kjo është një nga pikat e tij më të forta: të dhënat e dërguesit ngelen anonime nga vetë sistemi. Nëse dëshironi që të kontaktohen nga institucionet në mënyrë që t’ju merren edhe më shumë hollësi mbi atë që keni parë, mund të vendosni aty numrin tuaj të celularit. Ky është një vendim që u takon vetëm përdoruesve. Njerëz të tjerë mund ta kenë më të lehtë të telefonojnë menjëherë dhe të flasin sesa të dërgojnë mesazhe. Aplikacioni e ka të përfshirë edhe këtë mundësi. Sapo e hapni ikonën e tij, ju del automatikisht butoni përmes së cilit lidheni me telefon me sallën operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pa qenë nevoja të shtypni ndonjë numër, pasi ai është i përfshirë automatikisht. Për ata që duan të telefonojnë nga një telefon tjetër, qoftë fiks apo që nuk është smartphone, apo që nuk e kanë shkarkuar aplikacionin në celularin e vet, mjafton të telefonojnë 116 006 dhe mund ta raportojnë menjëherë rastin kur mendojnë se shohin një person në rrezik trafikimi.

 

Si ta dallosh që një njeri ndodhet në rrezik trafikimi?

Kjo është një pyetje me shumë vend. Kur e hapni aplikacionin, do të shihni se ai ka shumë informacion se ç‘është trafikimi dhe si t’i dallosh personat që janë trafikuar apo që janë të rrezikuar. Jepen hollësi konkrete. Për shembull, një fëmijë që shihet vazhdimisht në lagjen tuaj i pashoqëruar nga të rritur dhe mund të ketë shenja të dukshme dhune apo duket i frikësuar, ka shumë gjasa të jetë në një situatë të tillë të dhimbshme. Ose nëse në një shtëpi afër jush, shihet që banojnë, hyjnë e dalin shumë njerëz, të cilët nuk futen në marrëdhënie me askënd tjetër në zonë, rrinë të veçuar dhe zakonisht duken të varfër, kjo duhet t’ju krijojë sërish dyshime. Shpesh, njerëzit e trafikuar apo nën kërcënimin e trafikut, kur i pyet për diçka, të japin përgjigje që duken si të mësuara përmendësh. Sërish duhet t’ju ngjallen dyshime. Unë i ftoj të gjithë të shkarkojnë aplikacionin dhe të lexojnë informacionet me të cilat është i mbushur. Do të gjeni shumë të dhëna që t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë situatën dhe që do t’ju nxisin të shihni më me kujdes përreth. Ky është një aplikacion që ka për qëllim të na ndërgjegjësojë si qytetarë, të na bëjë palë kundër trafikut. Njëkohësisht, brenda aplikacionit gjendet edhe lista e shërbimeve sociale dhe qendrave që mund të japin ndihmë menjëherë, sipas çdo rrethi të Shqipërisë. Pas telefonatës apo mesazhit të dërguar, tek personi i trafikuar apo i rrezikuar nga trafiku do të mbërrijnë me shpejtësi një polic dhe një punonjës i Shërbimit Social, të cilët do ta marrin atë në mbrojtje.

 

Si u prit nga policia kjo ide juaj dhe ky bashkëpunim?

Ky projekt është ndarë me Njësinë Antitrafik, Policinë dhe struktura të tjera që para një viti, kur ishte ende thjesht një projekt ide, dhe është pritur shume pozitivisht nga të gjithë. Drejtoria e Policisë e ka parë si një mjet që lehtëson raportimin dhe plotëson punën e policisë për identifikimin dhe raportimin e viktimave të trafikimit në Shqipëri.

 

***

Format kryesore të trafikimit të qenieve njerëzore përfshijnë:

Punë e detyruar

Studimet e fundit tregojnë se pjesa më e madhe e trafikimit të qenieve njerëzore në botë merr formën e punës së detyruar. Organizata Botërore e Punës (ILO) vlerëson se nëntë veta detyrohen të punojnë për çdo viktimë të trafikimit që i nënshtrohet prostitucionit të detyruar. Puna e detyruar, e njohur edhe si robëri e pavullnetshme, mund të rezultojë kur punëdhënësit e paskrupullt i shfrytëzojnë punëtorët që janë bërë të cenueshëm nga shkalla e lartë e papunësisë, varfëria, krimi, diskriminimi, korrupsioni, konflikti politik, ose pranimi kulturor i kësaj praktike. Imigrantët janë posaçërisht të cenueshëm, por edhe individët mund të jenë të detyruar të punojnë në vendet e tyre. Viktimat femra të punës së detyruar ose të punës skllavëruese, sidomos gratë dhe vajzat në robëri shtëpiake, shpesh shfrytëzohen edhe seksualisht.

 

Trafikimi seksual

Trafikimi seksual përbën një pjesë të vogël, por megjithatë të rëndësishme, të trafikimit të përgjithshëm të qenieve njerëzore. Kur një i rritur shtrëngohet, detyrohet apo mashtrohet të merret me prostitucion – ose mbahet në prostitucion përmes shtrëngimit – ai person është viktimë e trafikimit. Të gjithë personat e përfshirë në rekrutimin, transportimin, strehimin, pranimin ose marrjen e personit për këtë qëllim kanë kryer vepër penale të trafikimit. Trafikimi seksual mund të ndodhë edhe brenda skllavërisë për shkak të borxhit, pasi gratë dhe vajzat detyrohen të vazhdojnë të merren me prostitucion përmes përdorimit të “borxhit” të paligjshëm që është paraqitur gjatë transportimit, punësimit të tyre, apo madje edhe “shitjes” së tyre të vrazhdë – të cilin shfrytëzuesit këmbëngulin se ato duhet ta paguajnë para se të mund të jenë të lira. Është me rëndësi të kuptohet që pëlqimi fillestar i personit për të marrë pjesë në prostitucion nuk është ligjërisht vendimtar: nëse janë mbajtur më pas në shërbim përmes manipulimit psikologjik apo dhunës fizike, ata janë viktima të trafikimit dhe duhet t’i marrin përfitimet e përshkruara në Protokollin e Palermos dhe në ligjet vendore në fuqi.

 

Robëria e pavullnetshme shtëpiake

Një formë unike e punës së detyruar është robëria e pavullnetshme e punëtorëve shtëpiakë, vendi i punës së të cilëve është joformal, që lidhet me banesat e tyre jozyrtare, dhe që nuk ndahen shpesh me punëtorë të tjerë. Një mjedis i tillë, që shpesh i izolon punëtorët shtëpiakë, është i favorshëm për shfrytëzim jokonsensual pasi autoritetet nuk mund ta inspektojnë pronën private ashtu siç mund t’i inspektojnë vendet zyrtare të punës. Hetuesit dhe ofruesit e shërbimeve raportojnë për shumë raste të sëmundjeve të patrajtuara dhe, fatkeqësisht, për abuzime të shumta seksuale, që në disa raste mund të jenë simptoma të një situate të robërisë së pavullnetshme.

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *