Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka paraqitur sot në Komisionin e Ekonomisë draftin për ligjin e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit. Veliaj tha se ndryshimet ligjore do të bëjnë të mundur dëmshpërblimin e 2750 personave që nuk kanë marrë asnjë këst deri tani.
“Nga ndryshimet ligjore përfitojnë dëmshpërblim 2750 persona, që janë gjallë dhe nuk kanë marrë asnjë këst deri tani, gjithashtu ky pr.ligj i jep përparësi të përndjekurve që janë gjallë dhe kompensimi i tyre, do të bëhet para familjarëve të të përndjekurve”, tha Veliaj
Por opozita i ka konsideruar propozimet e Veliajt një demagogji. Deputeti demokrat, Ritvan Bode, tha se ato sjellim vetëm radhën e ndarjes së parave.
“Ndryshimet e ligjit nga qeveria janë vetëm një demagogji therëse për të përndjekurit. Ndryshimet e ligjit sjellin vetëm radhën e ndarjes së parave për këtë shtresë, asgjë më shumë”, tha Bode.
Në debat u përfshi edhe deputeti socialist, Erion Braçe, i cili tha se qeveria e Bodes e ka lënë bosh arkën e shtetit.
“Ju e latë arkën bosh këtë vit. Vetëm gjatë 2014 janë dhënë 2.5 mld dollarë për këtë kategori”, tha ai.
Ndërsa ministri Veliaj shtoi se fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve është përdorur në fushatë nga PD.
“Ne s’kishim si të jepnin asnjë dëmshpërblim sepse PD harxhoi gjithë fondin për dëmshpërblimin. Ne kemi caktuar 18 milionë dollarë. Eshtë fondi më i madh krahasuar me gjithë vitet e PD. Kalimi i këtij ligji na ndihmon të shlyejmë të gjallët, pastaj kalojmë te të afërmit”, tha Veliaj.
Debatet
Erion Veliaj: “Ne s’kishim si te jepnin asnjë dëmshpërblim sepse PD harxhoi gjithë fondin për dëmshpërblimin. Ne kemi caktuar 18 milionë dollarë. Është fondi më i madh krahasuar me gjithë vitet e PD. Kalimi i këtij ligji na ndihmon të shlyejmë të gjallët, pastaj kalojmë te të afërmit”.
Ridvan Bode: Nuk është e vërtetë që ka pasur kapërcim radhe. Ju po i veçoni personat me dosje me probleme.
Erion Brace: Ka pasur disa kriminelë që kanë vrarë njerëz në bulevard dhe kanë marrë shpërblim dhe janë shpallur të pafajshëm. PD të pyesë ish-ministrin e Financave se çfarë u bë gjatë qeverisjes së PD. Ne po përmbushim premtimet elektorale.
Florion Mima: Po më ankohen disa të përndjekur që Ramiz Alia ka marrë dëmshpërblim 60 milionë lekë dhe ata s’kanë marrë 3 milionë.
Ridvan Bode: Ky ligj është demagogji tallëse. Prej 300 ditësh në pushtet e majta ka paguar vetëm 620 mijë dollarë për të përndjekurit. Në 3 vitet e fundit të qeverisë së PD u hartuan dosjet dhe mbi këto dosje s’ka arsye pse të mos vijojë dëmshpërblimi. Kemi aplikuar një skemë të ndershme: Ai që dorëzonte dosjen i pari shlyhej i pari. Ju po tentoni të mbuloni bllokimin e dëmshpërblimit sepse duhen shumë fonde. Janë shumë pak në krahasim me borxhin që keni marrë. Ju duhet të shlyenit borxhet e vitit të kaluar.
Braçe debate me Boden: Ju s’u keni dhënë as këstin e parë.
Bode: Ka qenë problem dokumentacioni ose ka qenë në emigracion.
Braçe: 2 vjet u bllokua një projektligj në kuvend gjatë qeverisjes tuaj. S’e di e bllokove ti apo Jozefina s’e di.
Bode: Ju bëni demagogji. Keni paguar vetëm 620 mijë dollarë.
Braçe: Shumë e thjesht sepse harxhuat fondet në fushatë.
Gjovalin Kadeli: Ky projektligj vjen me pak vonesë, por është ligji i domosdoshëm pasi nuk mund të bëhet më politikë me të përndjekurit.
Edmond Spaho: Me këto shifra do ju duhen shumë vite për të përfunduar dëmshpërblimin ndaj të përndjekurve. Në fushatë premtuat ndryshe dhe keni ardhur me qëndrim ndryshe.
Erion Veliaj: Deri në fund të mandatit ne do të shlyejmë gjithë ish-të përndjekurit që janë gjallë.
Erion Braçe: E rritët borxhin dyfish dhe i dhatë ish-të përndjekurve 62 milionë dollarë në 8 vjet.
Edmond Spaho: Ju bëni demagogji.
Erion Veliaj: Më shumë nevojë kanë 70-vjeçarët për fondet se sa te fëmijët dhe nipat pasi kanë mundësi të punojnë. Po citoni deklarata nga persona që s’kanë bërë asnjë ditë burg. Fatmir Hoxha do përballet me padi penale për vjedhje pronash.
Jorida Tabaku: Dëmshpërblimi shkon në total në 420 milionë dollarë. Por shifra është shumë larg dhe s’do arrini dot t’i dëmshpërbleni.

Sec ka nje pamje dordoleci ky. Me duket se brenda ketij njeriu punon nje njeri tjeter, i pasinqerte, i pandershem dhe i korruptuar, ndryshe nga c’hiqet si gjysem-sterril, serioz dhe i perkushtuar ndaj punes. NJE PYETJE: Me cfare konkursi ka emeruar ne nje Drejtori te re rendesishme ne Tirane qe varet nga ai dhe ministria e tij, nje drejtor rreth te gjashtedhjetave qe nuk di asnje gjuhe te huaj, i pasuruar vetem duke qene ne pune te shtetit (!!!!) sa here kane qene socialistet ne pushtet. Dhe jo vetem. Kur e hiqnin demokratet nga puna fitonte gjyqet dhe jo pak, por sa c’nuk ka marre asnje ish-i burgosur politik demshperblim per 10 vjet burg!