Procedura e re që do ndiqet për rekrutimin e pedagogëve

anazapta

Marrja e gradës “Doktor i Shkencave” është një ndër kushtet që duhet të përmbushë çdo pedagog që do të jetë lektor në fakultet. Gradë e cila e lejon që të sigurojë edhe një kontratë të përhershme punësimi në programin përkatës. Kjo është një ndër pikat e parashikuara në Raportin e Reformës së  arsimit të Lartë, ku dhe përcaktohet procedura e re që do të ndiqet në punësimin e pedagogëve të rinj. Përzgjedhja e pedagogëve që do japin leksione në auditore do të kushtëzohet nga intervista, si dhe artikuj që konfirmojnë punën e tyre kërkimore shkencore. Në këto kushte rekrutimi i stafit akademik nëpër universitete do të ndjekë një tjetër rrjedhë. Nuk do të ketë më punësim të shumëfishtë në disa fakultetet sikundër ka ndodhur deri më tani. Sipas përcaktimeve të detajuara, në raport thuhet se do të ndalohet punësimi me kohë të plotë në më shumë se një institucion të arsimit të lartë dhe në çfarëdolloj veprimtarie akademike të paautorizuar jashtë institucionit, gjatë kohës  normale të punës. Angazhimi i personelit akademik në  institucione të tjera të arsimit të lartë duhet të mbështetet me marrëveshje ndërinstitucionale dhe të mos lejohet angazhimi me kohë të pjesshme në më shumë se një institucion tjetër njëkohësisht. Kështu çdo strukturë e arsimit të lartë duhet të mbulojë të paktën dy të tretat e ngarkesës akademike me personel  akademik me kohë të plotë, përjashtohen rastet e  programeve të përbashkëta ndërmjet dy fakulteteve apo universiteteve. Pjesëmarrja në projekte, konsulenca, botime dhe shërbime, që realizohet në kuadër  të institucionit, nuk duhet të konsiderohet si dypunësim brenda institucionit, por duhet të njihet e të vlerësohet prej këtij të fundit si mjet për zhvillimin institucional. Në rastin e dhënies së kontributit, ai duhet njohur dhe shpërblyer nga institucioni në bazë të punës së bërë, të kontributit personal dhe të cilësisë së rezultatit të arritur nga anëtari i personelit.

Ja si do bëhet rekrutimi i pedagogëve të rinj

Rekrutimi i personelit të ri bëhet sipas nevojës së departamentit në përputhje me standardet. Këto emërime e kanë pikënisjen te departamenti dhe emërimi bëhet nga një komision “ad hoc”. Si parim, komisioni duhet të përbëhet nga pesë anëtarë: kryetari i Komisionit të Rekrutimit , një profesor i caktuar nga rektori, një profesor jashtë departamentit (i caktuar nga dekani) si dhe tre

anëtarë nga departamenti, mundësisht njëri me titull profesor (caktohen nga asambleja e departamentit). Përzgjedhja e kandidatit që do të punësohet ndjek dy faza, një intervistë dhe një paraqitje të punës kërkimore shkencore pranë departamentit. Ky i fundit i jep komisionit “ad hoc” të rekrutimit gjykimin e tij për paraqitjen e kandidatit. Komisioni sugjeron që shpallja e vendeve të lira në shtyp të jetë detyrim ligjor. Detajet e çdo rekrutimi të ri duhet të shpallen në të paktën një gazetë kombëtare. Procedurat e rekrutimit duhet të jenë transparente dhe të pasqyrohen në statutet e çdo fakulteti.

Çdo pedagog mund të punësohet me kontratë të përhershme vetëm si lektor.

Çdo lektor i punësuar me kontratë të përhershme duhet të ketë fituar gradën “Doktor i Shkencave”përpara punësimit.

Parashikohet të hiqet titulli “Docent” për prurjet e reja.

Promovimi nga “Lektor” në “Profesor i Asociuar” do të bëhet pas një periudhe jo më pak se 5-vjeçare dhe sipas rregullave të brendshme që përcakton vetë çdo fakultet.

Periudha është e njëjtë edhe për promovimin nga titulli “Profesor i Asociuar” në titullin “Profesor”.

Kriteret bazë për çdo shkallë promovimi duhet të mbështeten në cilësinë e : “Punës kërkimore shkencore (të paktën 3 artikuj me faktor impakti për titullin “Prof. As, dhe të paktën 4 për titullin “Profesor”). Do të rishikohet edhe cilësia e mësimdhënies, si dhe kontributit institucional”.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *