Tre ditë pas eliminimit nga Holanda në çerekfinale, kostarikanët u rikthyen në shtëpi dhe u pritën si triumfatorë, si heronj që kishin fituar Botërorin dhe në fakt në këndvështrimin e tyre ata kanë fituar. Mes një rivaliteti jashtëzakonisht të fortë, me skuadra historike si Anglia, Italia e Uruguai në Grupin D, kombëtarja e Kosta Rikës jo vetëm që arriti të kalojë testin e parë, por impresionoi më pas në 1/8-ta, duke eliminuar Greqinë kampione të Europianit 2004.
Lojtarët dhe stafi teknik i vendit të vogël me 4.5 milionë banorë në Amerikën Qendrore u pritën me entuziazëm që në aeroport, ndërsa festa vazhdoi çmendurisht pa pushim, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Në çerekfinale, kostarikanët shpresonin se do të shkruanin historinë në Botëror, por rruga e tyre u ndërpre nga lotaria e penalltive. Sidoqoftë, asgjë nuk mund ta ndalte euforinë e qindra mijëra tifozëve për të festuar në San Jose, njëlloj sikur kombëtarja të ishte kthyer me Kupën në duar.
