Trafik narkotikësh nga Laçi në drejtim të Italisë me autobus turistësh. Zulohen 2 pako drogë në autobusin e linjës Tiranë-Milano, në pikën e kufirit në Muriqan. Policia prangosi edhe dy menaxherët e agjencisë turistike, që mohuan të kishin dijeni për këtë trafik, duke dëshmuar se kishin marrë bagazhe të ndryshme për transport. Policia e Shkodrës njoftoi se u krye arrestimi në flagrancë i Andrea Çakuli, 25 vjeç, banues në Tiranë, si dhe Viktor Ndoka, 38 vjeç, banues në Laç, të dy menaxherë të një Agjencie Turistike. Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në pikën e Muriqanit, në autobusin e linjës Tiranë-Milano, me targa ET075EG, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte një sasi prej 3 kilogram e 425 gram lëndë narkotike mariujanë. Nga kryerja e veprimeve rezultoi se Viktor Ndoka ia kishte dhënë këto pako Andrea Çakuli, në qytetin e Laçit, për t’i dërguar në Itali. Pikërisht qyteti i Laçit dyshohet se është origjina e këtij trafiku dhe po hetohet për personat e tjerë e përfshirë në rrjet dhe destinacionin final të saj. Pas veprimeve hetimore, autobusi është lejuar të udhëtojë për në Itali së bashku me udhëtarët.
Itali
Policia italiane ka arrestuar një shqiptar dhe ka sekuestruar 58 kg marijaunë. Sipas mediave, shqiptari sapo kishte mbërritur në Itali me anë të një trageti që vinte nga Greqia dhe ndodhej në makinë bashkë me dy vajzat e tij minorene, 14 dhe 16 vjeçe. Droga ishte e ndarë në 63 pako dhe ishte mbuluar me pluhur kafeje për të shmangur nuhatjen e qenve. Gjatë inspektimit të makinës, shtetasi shqiptar që ishte në drejtim të makinës i identifikuar me inicialet B. P., 42 vjeç, ka deklaruar se kishte mbërritur në Itali për të kaluar disa ditë pushime me vajzat e tij. Por pavarësisht kësaj, “portreti familjar” i 42-vjeçarit shqiptar nuk i ka bindur financierët, të cilët kanë urdhëruar verifikimin me anë të qenve nuhatës, që zbuluan edhe ngarkesën e marijuanës. Sipas autoriteteve italiane, nëse droga do të kishte dalë në treg, do të sillte rreth 600 mijë euro fitime. Shqiptari është vënë në pranga me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa vajzat i janë besuar disa familjarëve të afërm që jetonin në Itali, në pritje për t’u kthyer në Shqipëri tek e ëma.
