Bllokimet e negociatave nga fqinjët, eksperienca ballkanike

redaktor

Ndonëse aderimi i një vendi në Bashkimin Evropian, lidhet me kritere precize dhe me përmbushjen e tyre, realiteti funksionues shfaq një tjetër problematikë, bllokimin e negociatave jashtë kuadrit të kritereve të kërkuara. Kryesisht këto bllokime shkaktohen nga fqinjët, të cilët arrijnë të ushtrojnë presione për zgjidhje të problematikave dypalëshe, nëpërmjet sanksionit të votës në një proces votimi me unanimitet. Problematika e kohëve të fundit, që u ekspozua nëpërmjet interpretimit të komunikimit të diplomacisë greke, për një bllokim të mundshëm të procesit drejt aderimit për në BE të Shqipërisë, është pasqyruese e këtij fenomeni.

Përtej komunikimit diplomatik zyrtar se “… integrimi nuk përmban kushtëzime dhe lëshime. Nuk shkohet me kushtëzime drejt BE-së”, i cili sigurisht që mund të jetë gjeneruar edhe për të përcjellë mesazhet dëshiruese diplomatike përballë fqinjit grek, është e rëndësishme për publikun njohja e vështirësive të këtij procesi, nëpërmjet rasteve të tjera analoge.

Rasti Slloveni-Kroaci 

Eksperienca e marrëdhënieve dypalëshe Slloveni-Kroaci është një ilustruese e mirë e mënyrave të ndryshme të bllokimit të procesit të aderimit në BE. Sllovenia arriti të bllokojë Kroacinë përgjatë procesit të negociatave dhe aderimit të mëtejshëm duke ekspozuar si problematikë dy çështje delikate, që nuk lidheshin aspak me kriteret e integrimit, por me problematikat mes dy vendeve: kërkimi i një korridori për dalje në ujërat ndërkombëtarë, ose e konsideruar ndryshe si çështja e “Gjirit të Piranit” dhe çështja e “Ljubljanska Bank”.

Çështja e Gjirit të Piranit 

Historiku i kësaj çështje ekspozohet nëpërmjet një problematike të mbartur që prej shpërbërjes së ish Jugosllavisë, kur të dy vendet fituan pavarësinë në vitin 1991. Me një vijë bregdetare prej 37 km Sllovenia bllokohet nga ujërat e shteteve fqinjë, Italisë dhe Kroacisë. Duke pretenduar për një korridor, që i mundëson daljen në ujërat ndërkombëtarë, Sllovenia bllokoi bisedimet për anëtarësimin kroat, deri në arritjen e një marrëveshje mes palëve. Për Kroacinë problematika ishte gjithashtu delikate, pasi i duhej të hiqte dorë nga një territor detar.

Marrëveshja Raçan-Drnovshek
Marrëveshja Raçan-Drnovshek

Ndonëse në vitin 2001, një marrëveshje e kryer mes dy qeverive “Raçan-Drnovshek” mundësonte krijimin e një korridori për dalje në ujëra ndërkombëtar të Sllovenisë, projekti nuk u ratifikua nga parlamenti kroat, pasi presioni opozitar dhe ai popullor ishte i lartë duke akuzuar qeverinë në fuqi për tradhti të interesave kombëtarë.

Bllokimi i procesit të negociatave dhe mos hapja e kapitujve të tjerë legjislativë solli dhe ndërhyrjen në nivel evropian. Një sërë deklaratash të përfaqësuesve të lartë evropianë i bënin thirrje Sllovenisë për mos bllokim të procesit për shkak të çështjeve të pazgjidhura dypalëshe. Çështja më tej shkoi drejt një arbitrimi ndërkombëtar ku mori dhe një zgjidhje, e cila dhe sot e kësaj dite ende interpretohet nga të dy palët siç interpretohej edhe kuadri ligjor që ekzistonte para marrëveshjes.

Çështja e “Ljubljanska Bank” 

Por, historiku i bllokimit të negociatave ose aderimit të mëtejshëm shfaq edhe një tjetër fenomen, pasi në varësi të klimës së brendshme politike dhe ekonomike, ushtrohen presione ndaj fqinjëve për të mbyllur edhe probleme të ndryshme që kanë lidhje me çështje financiare, ose mbartin problematika financiare. Një prej tyre është edhe rasti i “ Bankës së Lubjanës”. Shpërbërja e ish Jugosllavisë u shoqërua edhe me shpërbërjen e sistemit të përbashkët bankar. Banka e Lubjanës në Slloveni, e cila kishte filialin e saj në Kroaci u deklarua e paaftë nga qeveria për të kryer pagesat, duke çuar në humbjen e kursimeve të klientëve të saj. Borxhi që Banka e Lubjanës i detyrohej klientëve të saj kroatë, vlerësohej në shumën prej 278 milionë euro. Kjo shumë arriti të merrej përsipër nga qeveria kroate, e cila arriti përgjatë vitit 1993 të likuidonte përmes dy bankave të saj, të gjithë ish-klientët e bankës së Lubjanës. Por, borxhi i likuiduar i marrë përsipër nga qeveria kroate i kërkohet shtetit slloven, i cili sigurisht që ndodhej në pamundësi për likuidimin e tij.

Presioni që vinte nga Sllovenia, ishte “fshirja” e këtij borxhi nga pala kroate në mënyrë që ajo të ratifikojë traktatin e pranimit të Kroacisë. Sigurisht që edhe kjo çështje arriti të gjente një zgjidhje të paktën në princip, duke bërë të mundur avancimin e mëtejshëm të Kroacisë drejt BE-së.

Por, përtej këtyre dy çështjeve që kishin një rëndësi të konsiderueshme në marrëdhëniet dypalëshe, ka pasur edhe çështje të tjera problematike, që sigurisht janë zgjidhur nëpërmjet bisedimeve, siç është edhe çështja e pronësisë së përbashkët të centralit bërthamor të Krsko në Slloveni, etj.

Përtej fenomenit bllokues Slloveni-Kroaci, shfaqen dhe raste të tjerë të ngjashëm, siç është bllokimi që Greqia i ka bërë Maqedonisë, mbi çështjen e emërtimit të saj. Ky bllokim po penalizon Maqedoninë prej disa vitesh dhe ky problem duket se do të zvarritet edhe më tej duke marrë parasysh problematikat përkatëse, që shoqërojnë politikat e brendshme të dy vendeve. Këto konflikte duke vlerësuar kompleksitetin, që mbart rajoni i Ballkanit sigurisht që edhe mund të gjenerojnë bllokime të mëtejshme. P.sh, ndonëse edhe Kroacia kaloi nëpërmjet eksperiencës së bllokimit përballë fqinjit të saj, nuk dihet ende se si ajo do të profilizohet më tej në qëndrimet e saj te ardhshme, në raste të tilla analoge si : përballë Serbisë (kufiri lindor në Danub), Malit të Zi (gadishulli i Prevlakës), apo edhe Bosnjë-Hercegovinës (fshati Klekë në bregdetin Adriatik), nëse marrim parasysh disa çështje kufiri ende të pazgjidhura mes palëve.

Eksperienca e bllokimeve shfaq një përqendrim të marrëdhënieve fqinjësore mbi konfliktet dhe çështjet e pazgjidhura apo qoftë dhe të pretenduara nga njëra palë. Këto çështje shndërrohen në mjete presioni, duke penalizuar vendet në rrugën e tyre drejt BE-së. Pavarësisht se këto çështje nuk kanë aspak lidhje me kriteret, që vendet duhet të plotësojnë për aderim, por thjesht lidhen me marrëdhënie dypalëshe, realiteti i shfaq si tejet funksionuese. Rasti Slloveni-Kroaci dhe Greqi-Maqedoni janë shembuj të këtij realiteti funksionues. Nga ana tjetër BE, shfaqet gjithashtu e dyzuar ndërmjet pafuqisë së saj reale institucionale për ndërhyrje dhe vullnetit apo mungesës së vullnetit të saj. Rasti i diplomacisë greke, që po bllokon Maqedoninë prej disa vitesh është një ilustrim i mungesës së vullnetit të saj real për ndërhyrje. Sigurisht që logjika i jep hapësirë argumentit për reflektim. Në kushtet aktuale në të cilat ndodhet shteti grek prej disa vitesh, toleranca evropiane ndaj bllokimit grek të perspektivës së zgjerimit evropian, drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, sigurisht që mbart edhe elementë absurditeti. Ndërhyrja diplomatike e Europës mund të frenojë këtë situatë, siç mund të parandalojë edhe të tjerat, që mund të gjenerohen në vijim, gjithmonë nëse vullneti i saj është gjithashtu konstant dhe i pandryshueshëm përballë perspektivës zgjeruese ballkanike./im.ta/

 

Share This Article