Çfarë po ndodh me shqiptarët në Maqedoni…

anazapta

Rruga kryesore e Tetovës, më tej, selia e BDI-së, partisë shqiptare që është pjesë e pushtetit dhe disa dhjetëra kilometra më larg, sheshi para godinës së Kuvendit të Komunës së çairit, në Shkup, i ngjajnë të gjitha së bashku, një vendi, ku disa orë më parë janë zhvilluar përplasje të egra, mes demonstruesve, ende jo të shumtë në numër, por ekspresivë dhe forcave policore, mes të cilave është krejt e mundur të ketë ndodhur edhe ndonjë i nacionalitetit shqiptar, megjithëse nuk dua ta besoj këtë. Xhamat e thyer, gjërat që kanë mbetur në rrugë e sheshe, më pas pamjet që vijnë të përleshjeve sporadike dhe njerëzit që marshojnë, duke u ngjitur vala e protestave që nga një rrugë kryesore e Tetovës dhe deri tek rrugët e Gostivarit, Dibrës, Kumanovës, Strugës, me një përhapje gjithnjë e më të gjerë gjeografike, por gjithnjë në trojet e banuara me shumicë shqiptare. Kishim shumë kohë pa i parë këto pamje dhe njëkohësisht kishim shumë mote që nuk kishte pasur përplasje mes një shumice parlamentare të ngjitur në pushtet, e cila pasi kishte bërë denoncimin kishte qëndruar në heshtje dhe zemërimit të shpërthyer të një mase njerëzore, që megjithëse ende nuk e di askush se ku e ka qendrën e saj, të gjithë e dinë se ku është shkaku i shpërthimit të saj.

Çfarë po ngjet në viset shqiptare në Maqedoni, cili është shkaku i këtij shpërthimi zemërak të paralajmëruar, i cili në mos një ditë, në një kohë të ardhshme, është pritur të shpërthente?

Ana e dukshme e saj është dënimi me burgim të përjetshëm i 6 shqiptarëve etnikë në rastin e njohur “Mostra”, që është vërtet një ngjarje monstruoze, por që pas saj nuk dihet ende se kush fshihet. Shqiptarët janë të bindur se është një formë dënimi nacional, janë të prirur të besojnë në pafajësinë e njerëzve të tyre, kjo sepse kjo ka ndodhur edhe më herët, kur dënimet dragoniane nuk janë dhënë për vrasësit apo fajtorët e vërtetë, por është sajuar një çështje e mjerueshme, për të shpallur fajtorë të pafaj. Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti e shumicës shqiptare, u bashkua me mendimin e përgjithshëm se është fjala për dënime të sajuara, por duke qenë pjesë qeverisëse dhe për më tepër, duke pasur në krye të Ministrisë së Drejtësisë njeriun e tyre, kanë mendimin se kjo gjë duhet zgjidhur ligjërisht, përmes hallkave të shtetit, mendim të cilin, së bashku me të, e ndajnë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, që ishin të pranishëm në seancat gjyqësore. Partia Demokratike Shqiptare, e drejtuar nga Mendu Thaçi, shkoi edhe më tej, ajo rriti shkallën e denoncimit të gjykimit, por edhe mbështet aktualisht lëvizjen revoltë, duke hedhur njëkohësisht dy gurë në lojën e politikës: mbështetjen e revoltës, por edhe thirrjen për bindjen ndaj ligjit, çka në këtë rast, e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Sidoqoftë gjërat po lëvizin, njëkohësisht me demonstruesit, e nganjëherë edhe para tyre, por ndërsa rritet pjesa e revoltës, rritet po ashtu edhe tensionimi i pushtetit, pjesa maqedonase, e cila, si duket, jo vetëm e ka pritur këtë revoltim, por edhe e ka nxitur atë.
Fillesa e gjithë asaj që po ndodh në Maqedoni është në zyrat e shefit të qeverisë, Gruevskit. Njeriu që e bëri linjë zyrtare nacionalizmin në pushtet, prej shumë kohësh po luan një lojë të rëndë me ndjenjat e më shumë se një të tretës së popullsisë së vendit të tij. Duke përdorur njëkohësisht dinakërinë greke, pasi është i prejardhur nga vise greke dhe pabesinë maqedonase, që është bërë motiv shtetëror që nga marrëveshja e njohur e Ohrit, shefi i qeverisë, me mendim të qartë, veshi petkun nacionalist dhe e shpalli atë moto të jetës së tij politike. Asnjëherë më parë, në këto rajone, nuk është shfaqur një lider politik e shtetëror, i cili, tepër hollësisht, bashkon në një njeriun që shfaqet si i barabartë me të tjerët dhe njëkohësisht shpall vendin e tij si kërthizën e botës, duke bërë denoncimin e padenjë dhe të pavërtetë të pjesës tjetër banuese e shtetformuese të vendit ku sundon. Loja e rëndë e Gruevskit fillon që me pengimin e hapur të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila tashmë, duhet pranuar, është e tejkaluar dhe koha është për një moment më të avancuar; në dënimet e sajuara të një shumice shqiptare, sidomos që ishin të lidhur vetë ato ose njerëzit e tyre me lëvizjen çlirimtare; në ngritjen e një grupimi nacionalist rrugaçëror pranë vetes, me synimin për të shkallmuar gjithçka që nuk i dukej maqedonase dhe duke abuzuar me durimin e shqiptarëve. Disa herë rradhazi shefi i qeverisë ka synuar për të krijuar një gjendje të tillë, amorfe, shpërthyese, revoltë e pa drejtuar, e cila mund të denigrohej lehtësisht dhe po ashtu, edhe mund të denoncohej lehtësisht. I mbështetur nga përçarja politike e shqiptarëve që banojnë atje, ku lufta për pushtet dhe të mirat e pushtetit kanë errësuar ndjenjën kombëtare, ku përmes bashkimit Demokratik për Integrim nuk gjeti elementin shpërthyes, çka edhe kishte qenë i bindur; i gatshëm të bëhej partner me cilindo që do të sillte një gjendje shpërthyese, ku mbështetja themelore do të vinte nga qarqe të dyshimta brenda grupimit të Mendu Thaçit; i gëzuar që nuk funksionoi për shumë kohë Këshilli koordinues i partive Politike Shqiptare, Gruevski shpalli linjën e tij nacionaliste jo si qëllim, por si mbulesë e aktit të tij politik antishqiptar, i shtrirë në gjithë vitet e qeverisjes së tij. Provokimet e grupimit të skifterëve pranë tij u bënë tepër të shpeshta, ai po hidhte në lojë gjithnjë e më shumë sajesat e tij politike, qielli i politikës po vishej ngutshëm me mbartjet e sotme, por shpërthimi do të vinte, po ashtu, nga një ngjarje e ngritur dukshëm për të qenë pjesë e sulmit ndaj nacionalitetit shqiptar.

Të shpallur si njerëz pa një alternativë të qartë, shumë të rinj shqiptarë, nga të gjitha viset shqiptare nën Maqedoni, e shikonin gjithë këtë që po ndodhte si një akt bandit ndaj etnisë që i takonin, e njëkohësisht edhe ndaj të ardhmes së tyre. Ajo që ishte premtuar nuk po ndodhte, avancimi ishte i ngadaltë, megjithëse arritjet politike herë pas here ishin të ndjeshme, ose dukeshin të ndjeshme, shumë komuna tani qeveriseshin nga shqiptarët, por jehona e nacionalizmit shtetëror maqedonas vinte gjithnjë e më e fuqishme, deri sa dukej se do të rrëmbente gjithçka. Në të gjithë këto vite, banditë maqedonas, të veshur me pushtet ose nën hijen e pushtetit, çka ishte e njëjta gjë, dilnin nëpër rrugë, rrihnin bashkëmoshatarët e tyre, zaptonin vendet ku ishte kujtesa historike shqiptare, plaçkitnin, grabisnin, plagosnin shqiptarë të zakonshëm, por kurrë nuk bëheshin lëndë e organeve të drejtësisë. Ndërkohë, për akte shumë më të lehta, jepeshin e vazhdojnë të jepen, dënime dragoniane për shqiptarët.

Gruevskit i duheshin edhe shfaqje të tjera nacionaliste maqedonase dhe njëkohësisht denigrime të mëtejshme të paraqitjes politike e shtetformuese të shqiptarëve. Në shtetin maqedon, nën vëzhgimin e pushtetit maqedon, në duart e të cilit kanë qenë gjithnjë organet e specializuara të shërbimit sekret, të Ministrisë së Brendshme dhe shpeshherë me vetë financimin e këtij shteti përmes rrugëve të tërthorta, po rritej lëvizja vehabiste e salafiste, po bëhej hapur predikimi radikal, por kjo nuk e trazonte shtetin. Njeriu që ishte zemëruar me perëndimin që nuk i hapte dyert, Gruevski, që shfaqej si një njeri i besimit të fortë ortodoks, por që kishën e kishte pranë vetes si një mjet besnik, që lëshonte herë pas here gjamet e tij për mos pranimin në NATO, etj, nuk e ka për gjë të thithë financimin arab, ngado që të mundet dhe me këto para, të bëjë edhe përmendore qindra milionë euroshe për një të kaluar e cila nuk është e tij. Dhe të gjithë revoltën që po ndodh, shefi i qeverisë po përpiqet ta shesë pranë institucioneve ndërkombëtare si një rrjedhojë e lëvizjeve radikale islame, bashkuar me një nacionalizëm primitiv të rebeluar, që së bashku janë vënë në shërbim të vrasësve dhe për të fshehur krimin.

Për shumë vite shqiptarët u bënë pjesë e durimit, i cili, edhe ashtu e ka një kufi. Ata shpërthyen tani, sepse tani e menduan se është koha e duhur, kur gjashtë pjesëtarë të nacionalitetit të tyre, pa shkaqe serioze të shpallura bindshëm, dënohen me burgim të përjetshëm, por gjithkush duhet të jetë i bindur se, edhe por të mos ndodhnin këto dënime, përsëri gjërat do të shpërthenin, sepse gjithçka ishte mbarsur për të pasur një shpërthim të tillë.

Në shqiptarët në Maqedoni po ndodhin fillesa që mund të kthehen në tragjike, nëse askush nuk u del për zot. Kjo nuk ka të bëjë aspak me mungesën e Arben Xhaferit, si shkruante miku im i vjetër, Sadri Ramabaja, njohës i shkëlqyer i zhvillimeve rajonale. Largimi i Arben Xhaferit nga Këshilli i Përbashkët Koordinues i Partive Politike Shqiptare, pas presionit të Mendu Thaçit, qenia e tij pjesë e qeverisë në ditët e luftës së ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe mos largimi nga ajo, mbështetja e kësaj lufte nga poltroni qeveritar ku ishte partia e tij, janë ndër fillesat e rënda të ndarjes shqiptare dhe kjo ndarje është gjëmë më e rëndë se sa moskuptimi i sotëm i një revolte të natyrshme qytetare.

Koha nuk është për të hedhur dorashkat dhe për t’i vënë fitilin e tritolit politik njëra-tjetrës, si ndodh rëndom me partitë politike shqiptare. Gjashtë të dënuar përjetësisht presin drejtësi, këtë e ka për detyrë ta ndjekë me të gjithë vullnetin e saj partia bashkëqeverisëse, që për më tepër është edhe drejtuese e Ministrisë së Drejtësisë; por nëse do të lihet gjithçka në dorën e spontanitetit, askush nuk do të çuditej nesër nëse e sotmja do të na duket si gjë e zakonshme. Nacionalizmi maqedon, shtetëror dhe i bashkërenduar, është në delirin e tij, sepse kërkon të përfitojë në dhimbjen kombëtare të shqiptarëve; mendimi politik shqiptar duhet të jetë unik, deri sa gjërat të marrin nga e mbara.
Rrugë tjetër nuk ka.

 

Share This Article
7 Comments
  • artikull informativ dhe interesant per situaten e shqiptareve ne Maqedoni. Nje pjese e madhe e bashkepatrioteve tane po vuajne per nje kohe te gjate e duket se problemet e tyre jane lene ne harrese. Meritojne mbeshtetje me aktive si dhe simpatine tone.

  • smudet shqipétari pa i fut hundet gjithkund!!!!shikoni punen dhe hallet tuaja o popull
    ,se politika çka ti teket pér ta bére,do ta béje!!!!!

  • Popullata shqiptare ne Maqedoni eshte lene ne meshire te shovenisteve sllavomaqedon.Lideret politik shqiptar Ali Ahmeti dhe Mendu Thaqi ,jane krijesa te instaluara me dinakeri nga ish UDB dhe sherbimi informativ maqedon dhe te ndihmuar nga miqete e tyre.BDI e A.Ahmetit eshte bere nje qerdhe e mbushur plote me UDB ashe ose te aferm te tyre,PDSH eshte e mbushur perveq me UDB edhe me njrez te krimit te organizuar….dhe reagon ashper ndaj cdo atdhetari …Shqiptaret jane ne pozite me te veshtire se ne kohen e Jugosllavis nese krahasohet zhvillimi ekonomik,arsimi i shkaterruar,lulzimi i islamit politik,shperngulja masive e te rinjeve shqiptareve etj etj qe behen me nenshkrimin e shqipefolesve te BDI te cilet qendrojne ne qeveri dhe ja mundesojne qeverisjen Gruevskit.Dalja e BDI nga qeveria do te jete edhe renja e Gruevskit,pse valle nuk e bene kete BDI e A.Ahmetit?ku opozita maqedone nuk merr pjese as ne parlament.Gruevskin albanofobin me te madhe ne Maq.e mbajne ne pushtet pikerishte partire shqiptare BDI dhe PDSH.Shqiptaret me spari duhet te pastrojne radhet e veta.

  • I nderuari Bedri,si shkrimtare dhe njohes i mire i rrethaneve gjithshqiptare duhet te jeshe me trasparence dhe me kritik ndaj mikut tende te ngushte, Ali Ahmetit.Deshtimi i keshillit ndodhi jo pershkak Menduh Thacit por pershkak se dikujt nuk i konvenonte te ndodhe bashkimi i shqiptarve.Ata te shtetit dhe te paguarit e tyre gjinden gjitheandej.Hudhja e bombes para zyres te pdsh dhe mosmarreveshjet ne krahun luftarak ,ndezi tritolin.Ne Bdi u afruan njerez jo meritore ,njerez te cilet familjaret e tyre ose vet kan qene ose jane te paguar nga shteti .Kta lloj individ gjinden ne cdo cep te shoqris shqiptare.Disa individ ne bdi dhe ne partite tjera kan per zot dhe respekt vetem lekun dhe jo kombin.Individi qe dikur tha:kush do te mesoje shqip le te shkoje ne shqipri ,ketu eshte maqedonia.Protestuesit nuk kan ndal vetem se jane burgos 6 individ por kan ndaj sepse jane burgosur te gjithe dhe partite shqiptare por ata ende nuk e kan kuptuar se jane ne burg,Te mbrohen me barigada te hekurta dhe polici nga sovrani eshte me keq se burgu.Hap i gabuar i bdi.s strategji e cila do ti kushtoj shume bdi.s ne zgjedhjet e ardhshme sikurse 21 janari i kushtoj Saliut.Nga viti 2002 shume raste te tipit monstra ka ndodhure qe ende sot e ksaj dite nuk jane zgjedhure.Faji per mos zgjithje nuk qendron vetem tek bdi-ja por tek na te gjithe,tek shoqria shqiptare e cila mendon se cdo pune duhet ta zgjedhe i zgjedhuri i tyre qe eshte nji gabimi i madhe i te kuptuarit te gjerave.Sa po u zgjua sovrani nga gjumi ,menjiher reagimi i partis ne qeveri(bdi.ja) sikurse dikure qe reagonin dashakeqte e kombit,jane te manipuluar nga forcat e erta antishqiptare.

  • rama meta ;;;duhet ti dali per mbrojtje shqiptarve ;; nje ambasador duhet te shkoje ne maqendonie dhe te flase me katunaret e shtetit serbe se po tallen me shqiptaret dhe rama i mbylle veshet ;;;duhet bere presion ;;; se perndryshe maqendonasit do vrasin vellezerit tane ;;;

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *