Rusia dëshiron të rivendos lidhjet dhe interesat gjeopolitike që ndau me Kubën dekada më parë dhe kjo është shfaqur në vizitën historike që Presidenti Putin sapo ka filluar në ishull. Presidenti rus do të takohet me vëllezërit Castro. “Është parashikuar një takim jozyrtar me Fidel. Ai është 87 vjeç, nuk ushtron detyra zyrtare të shtetit, apo të partisë, por ende vazhdon të jetë lideri i Revolucionit Kuban dhe vihet në dijeni për zhvillimin e ngjarjeve botërore. Ka mprehtësi mendore dhe natyrisht ka interes të madh të bisedojë me liderin tonë”, tha dje Yuri Ushakov, këshilltar i Putin. Vizita është paraprirë nga një vendim i marrë javën e kaluar nga Duma Ruse (Dhoma e Ulët) për t’i falur ishullit 90% të borxhit që zvarritej që nga ditët e Bashkimit Sovjetik. Shuma e falur është e barabartë me rreth 25.895 milionë euro (rreth 35,2 milionë dollarë). Dje në mëngjes, Putin ka miratuar ligjin. 10 % e mbetur e borxhit (3,520 milionë dollarë, gati 2,600 milion euro), Kuba duhet t’i paguajë gjatë dekadës së ardhshme në këste gjashtëmujore. Pagesa e parë do të bëhet më 25 tetor dhe e fundit më 25 prill 2024. Shumat do të depozitohen në një llogari të veçantë të Bankës Kombëtare të Kubës dhe Moska do t’i ri-investojë në ekonominë e ishullit. Kjo paraqet shumën më të madhe financiar të falur nga Rusia në cilësinë e trashëgimtares të ish Bashkimit Sovjetik.
Rënia e Bashkimit Sovjetik, goditje e rëndë për Kubën
Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 bëri që Kuba të humbiste papritur më shumë se 80 % të tregtisë së jashtme dhe që ishulli të vuante një mungesë të rëndë të ushqimeve dhe furnizimit të naftës. Distancimi mes dy vendeve zgjati për më shumë se dy dekada, deri në udhëtimin e presidentit të atëhershëm Dmitri Medvedev në Havanë në vitin 2008. Raul Castro vizitoi BRSS në 23 raste, por pas rënies së saj, nuk u paraqit më në Moskën plotësisht kapitaliste deri në vitin 2009. Investimi më i rëndësishëm që ndërmori ish-Bashkimi Sovjetik në Kubë ishte ndërtimi i centralit bërthamor Juraguá në krahinën e Cienfuegos, që filloi të ngrihej në gjysmën e parë të viteve ’80. Presidenti Fidel Kastro anuloi projektin gjatë vizitës zyrtare të Vladimir Putin në Kubë në dhjetor 2000. Putin njoftoi anulimin e këtij projekti gjatë një konference për shtyp, në të cilën Fidel Castro nuk mori pjesë. Sipas informacioneve, që nuk u konfirmuan kurrë zyrtarisht, Castro e konsideronte një rrezik potencial politik për Kubën socialiste që të ndante komandën e centralit të vetëm bërthamor në ishull me Rusinë kapitaliste. Gjatë vizitës së shkurtër të Putinit në Kubë u firmos një paketë prej 10 marrëveshjeve, ndër të tjera, bashkëpunimi në fushën e kulturës, industrisë, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor. Është parashikuar gjithashtu një marrëveshje dypalëshe me karakter logjistik për ankorimin dhe mirëmbajtjen e anijeve të marinës ruse në portin e Havanës. Kremlini njoftoi gjithashtu se Rusia, Kuba dhe një vend i tretë investitor, që nuk është identifikuar, do të marrin pjesë në ndërtimin e një aeroporti të ri ndërkombëtar në qytetin e San Antonio de los Banos, rreth 20 kilometra larg Havanës. Vizita e Presidentit rus në Kubë vjen në një kontekst të vështirë ndërkombëtar, në të cilin është ende i hapur konflikti më serioz me Perëndimin që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kriza në Ukrainë. Presidenti rus, do të udhëtojë më pas në Argjentinë dhe Brazil, ku do të marrë pjesë në Samitin e Fuqive në Zhvillim (BRICS). / O. Jaupi
