Formula e llogaritjes së pikëve për të fituar universitetin

anazapta

Vetëm maturantët që kanë marrë nota kaluese në të gjitha provimet e maturës 2014, kanë të drejtë që të vijojnë garën për të ndjekur studimet e larta në një nga universitetet publike të vendit, gjatë vitit të ri akademik. Autoritet e arsimit bëjnë me dije se tashmë formulari A2, me të cilin maturantët do të çelin garën për pranimet në universitete është gati, dhe brenda pak ditësh do të bëhet publik edhe kalendari i plotësimit të tij online. Sikundër ka ndodhur edhe në vitet e shkuara, maturantët kanë në dispozicion sërish 10 mundësi përzgjedhjeje për të fituar një të drejtë studimi në shkollat e larta publike. Ekspertët e maturës sqarojnë se në këtë fazë maturantët duhet të jenë të kujdesshëm duke vënë të parat në listë ato programe universitare që janë të ngjashme me lëndët që maturanti ka dhënë si provime me zgjedhje. Kjo me qëllim që vlera e koeficientit që do të përfshihet në formulën e llogaritjes së rezultatit final të mos jetë më i ulët. “Për të fituar të drejtën e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të Shqipërisë, çdo maturant apo kandidat që kërkon të vazhdojë studimet e larta, duhet detyrimisht të plotësojë formularin A2, online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të

Provimeve gjatë këtyre ditëve. Çdo maturant ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi”, sqarohet në guidën e aplikimit për maturantët. Duke qenë se notat e provimeve tashmë janë publike, po ashtu edhe koeficientet e përcaktuar për çdo lëndë me zgjedhje dhe llojin e shkollës së mesme, nëpërmjet formulës zyrtare të detajuar nga MAS, maturanti mund të përllogarisë vetë rezultatin final me të cilin do të garojë për të vijuar studimet e larta. Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar formulën konkrete se si llogariten pikët për universitetin. Ndryshe nga një vit më parë, pikët e mesatares gjatë 2014 kanë më shumë rëndësi në rezultatin final (rreth 26 Për qind), ndërsa ato të lëndëve me zgjedhje më pak duke zbritur në 17 për qind. Po sipas ekspertëve të maturës, gjatë llogaritjes së pikëve maturantët duhet të shikojnë më vëmendje edhe koeficientet që secili nga fakultetet ka përcaktuar për llojin e lëndës me zgjedhje. Në varësi të programit të përzgjedhur ndryshon edhe koeficienti, e për pasojë edhe rezultati final për secilën nga preferencat që maturanti zgjedh nuk do të jetë i njëjtë. Formula e llogaritjes së pikëve për universitetin do të jetë e ndryshme për ato degë që krahas rezultateve të maturës do të zhvillojnë edhe testime speciale. Konkretisht bëhet fjalë kryesisht për degët e arteve dhe sporteve, për të cilat peshën vendimtare në përzgjedhjen e fituesve do ta kenë rezultatet konkrete që maturantët do të marrin në testimet speciale që do të zhvillohen pas disa javësh.

 

Libri i transparencës

Pas plotësimi të formularit A2 nga të gjithë maturantët në vend, AKP do të detajojë edhe pikët që maturanti siguron për secilën degë dhe i shpall ato para se të bëjë renditjen finale të fituesve. Rezultatet konkrete shpallen në Librin e Transparencës, i cili paraqet “ID” e maturantit, dhe pikët e grumbulluara për çdo program studimi të përzgjedhur në formularin A2. Libri i transparencës do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Libri i transparencës i vjen në ndihmë çdo maturanti apo kandidati për të verifikuar rezultatet e tij në Maturë,si dhe pikët e grumbulluara për programet e studimit të përzgjedhura në formularin A2. Për çdo parregullsi te vërejtur ai duhet të plotësoje formularin përkatës për korrektimin e tyre. Ky formular plotësohet nga maturanti dhe dorëzohet në shkollë në afatet e përcaktuara. Vetëm pasi të jetë mbyllur kjo procedurë do të shpallen fituesit në secilin program studimor.

 

Shpallja e fituesve

Shpallja e fituesve dhe regjistrimet në universitete do të bëhen me udhëzim të posaçëm të nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Përzgjedhja e fituesve bëhet sipas parimit Meritë-Preferencë. Maturanti shpallet fitues në preference më të lartë të grupit të preferencave, ku ai ka tejkaluar pikët e fituesit te fundit. Listat e fituesve do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ndryshe nga një vit më parë nuk do të ketë më disa raunde fituesish. Gjithçka do të mbyllet me një raund, çka do të thotë se të gjitha vendet që do të mbeten bosh pas mbylljes së regjistrimeve paraprake do të plotësohen me zbritjen e vijës së fituesve. Për çdo degë vija e fituesve do të s’postohet me aq vende sa është edhe numri i vendeve të mbetura bosh. Heqja e formularit A3 lë pa studime të larta në publik shumë prej maturantëve që kanë rezultuar mbetës në sezonin e parë të provimeve të maturës. Në maturat e shkuara mbetësit kishin të drejtë të konkurronin për shkollën e lartë pasi kishin marrë provimet në sezonin e vjeshtës. Alternativë kjo që nuk do të zhvillohet më. Studimet në privat, apo studimet e ciklit part-time do të jenë e vetmja mundësi për këta maturantë, që të mos humbasin një vit në pritje deri në realizimin e maturës së ardhshme.

 

Reduktohen kuotat e pranimeve

Degët e mbipopulluara do të kenë më pak kuota pranimesh. Ndonëse nuk janë bërë ende publike kuotat zyrtare të pranimeve në universitete për vitin e ri akademik 2014-2015, autoritetet e arsimit bëjnë me dije se do të ketë një reduktim të konsiderueshëm të pranimeve, ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara. Kjo pasi shtimi i pranimeve ka shtuar nivelin e papunësisë duke qenë se degët më të kërkuara nuk kanë dhe shumë hapësira në tregun e punës. Rritje të kuotave parashikohet të kenë ato degë për të cilat tregu i punës ka më shumë hapësira. Prej disa javësh universitetet kanë depozituar në Ministrinë e Arsimit propozimet konkrete lidhur me hapësirat e mundshme për pranimet e reja. Ministria pritet të përcjellë për në Qeveri projektvendimin me kuotat e pranimeve, e cila do të bëjë edhe miratimin e tyre për çdo program studimor.

 

Formula e llogaritjes së pikëve për të vijuar universitetin

Llogaritja e shumës -S- të pikëve të maturantëve apo kandidatëve,të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, bëhet me formulën:

S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5

-M janë pikët e mesatares së shkollës së mesme që maturanti ka kryer.

-D1 dhe D2 janë notat që maturanti ka marrë në dy provimet e detyruara, Letërsi dhe Gjuhë Shqipe” dhe Matematikë”.

-Z1 dhe Z2 janë notat që maturanti ka marrë në dy provimet me zgjedhje.

-K është koeficienti I shkollës së mesme që maturanti ka kryer .

-F1 dhe F2 janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (fakultetet )

– Në formulë maturanti duhet të vendosë notën e përshkallëzuar të marrë në provim dhe jo notën e plotë, pasi vetëm kështu mund të nxjerrë rezultatin konkret.

– Shifra 26 tregon se mesatarja zë 26 për qind të rëndësisë në llogaritjen e rezultatit final, pra i janë shtuar pikët mesatares. Ndërsa provimet me zgjedhje kanë 17 për qind të rëndësisë në llogaritjen e rezultatit final.

-Koeficientet ndryshojnë në varësi të degës që maturanti përzgjedh

– Për degët me konkurs do të përdoret një tjetër formulë llogaritje, dhe rezultat final do të varet nga pikët që maturanti do të grumbullojë gjatë zhvillimit të konkurseve, për të cilat pritet edhe shpallja e rregullores përkatëse nga fakultetet, lidhur me procedurën se si do të zhvillohen.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *