Pas shkeljeve të rënda të konstatuara nga auditi i kryer, nëpërmjet një urdhri të nxjerrë dy ditë më parë Rektori i Universitetit të Mjekësisë Ali Refatllari ka kërkuar pezullimin nga detyra të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë Bajram Hysa. Shkresa për pezullimin tashmë i është dërguar edhe Ministrisë së arsimit e cila do të marrë dhe vendimin për shkarkimin e tij. Shkak i këtij urdhri janë bërë shkeljet e shumta të vërejtura nga auditi jo vetëm sa i takon problemeve administrativ, por edhe një dëmi të madh financiar që i është shkaktuar fakultetit, dëm i cili kalon vlerën e mbi 55 milion lekëve. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Dita”, Rektori i Universitetit të Mjekësisë shpjegon se për shkak të shkeljeve të rënda të konstatuara në raportin final të auditit është nxjerrë urdhri në të cilin i kërkohet Ministrisë së Arsimit pezullimi dhe shkarkimi nga detyra i dekanit Hysa. “Krahas problemeve të shumta administrative auditi ka konstatuar edhe një dëm të madh ekonomik shkaktuar buxhetit të fakultetit që kap vlerën e 55.365.479 lekëve. Auditi i brendshëm ka nisur që në muajin janar, kohë në të cilën rektorati drejtohej nga ish-rektorja Jera Kruja. Ndërkohë që ka vijuar edhe pas ardhjes time në këtë detyrë (14 Mars). Aktualisht urdhri i është përcjellë Ministrisë së Arsimit, që në bazë të ligjit të arsimit të lartë është edhe institucioni përgjegjës për shkarkimin dhe komandimin e një tjetër autoriteti drejtues në postin e dekanit të fakultetit”, shprehet Refatllari. Gjatë auditit (kontrollit) probleme të shumta janë hapur edhe nga specialistja e financës, e cila nuk ka vënë në dispozicion të grupit të kontrollit dokumentet e kërkuara, pengesa për të cilat është vepruar me pushimin e saj nga puna. Ndërkohë që urdhri për pezullimin nga detyra është cilësuar si i padrejtë dhe i jashtëligjshëm nga vetë dekani Bajram Hysa, i cili shprehet se do ta ndjekë këtë çështje më tej në rrugë gjyqësore. Konkretisht në urdhrin për pezullimin e dekanit Hysa, saktësohet se : “Duke u bazuar në shkeljet e rënda të Ligjit të Nr.9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Neni 50, Pika 1,2 dhe 3, Neni 81, Statutit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Nenet 65 deri 75, Ligjin Nr.9720 datë 23.04.2007 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar, Neni 7.Po ashtu mbështetur në Ligjin Nr.10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin“, Neni 11 e në vijim, Neni 16, pika b, Neni 20, Udhëzimin Nr.30, datë 27.12.2011 ”Për menaxhimin e aktiveve të njësive të sektorit publik”, të Ministrisë Financave, Pika 5, Kreu II e në vijim, Kreu III, Pika 69, Kreu IV, Pika 73,74 dhe 81, VKM Nr.529, datë 8.6.2011“Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurive shtetërore”, si dhe duke marrë parasysh dëmin ekonomik, shkaktuar buxhetit të Fakultetit të Mjekësisë në vlerën monetare prej 55.365.479. Si pasojë e shkeljeve të sipërcituara, urdhëroj pezullimin nga detyra për Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë Profesor Bajram HYSA”, citohet në urdhrin e marrë nga rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës.
…Në raportin e përgatitur nga audituesit thuhet se : “U bë auditimi i dokumentacionit të bankës të vënë në dispozicion të auditit nga ku u konstatua mangësi dhe shkelje. Duke verifikuar dokumentacionet bashkëngjitur shkresës u konfirmua zyrtarisht mungesa e këtij dokumentacioni si dhe dokumentacionit justifikues për të cilat janë bërë pagesat”.
…“Grupi i auditimit do t’i trajtojë si shpenzime në fakt, dhe si shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik shumën 55.369.635 lekë. Pasi është vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 10296 datë 08.07.2010 për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin neni 12 pika dh), duke mos dokumentuar të gjitha transaksionet financiare dhe të tjera si dhe duke mos garantuar gjurmën e auditimit për të gjithë proceset që ndodhin në njësi. Në kundërshtim me Udhëzimi nr. 2 datë 6.02.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit neni 152, neni 154 dhe 157, ku përgjegjësi direkte mban specialistja e financës e cila ka mbuluar detyrën e nëpunësit zbatues Mimoza Hysolli dhe Bajram Hysa dekan i fakultetit ku ngarkohet me përgjegjësinë e titullarit të Fakultetit dhe nën përgjegjësinë e nënpunësit autorizues i cili ka mbuluar dhe detyrat funksionale të kancelarit…”

Çështja nuk është kaq e thjeshtë megjithëse unë jam vezhgues i jashtëm? Bajram hysa ka akuzuar rektoratin gati 2 vjet para e ne vazhdim për shperdorime kolosale kurse rektorati i ka derguar kontrollin financiar!? Akuzat e bajramit kanë qenë disa herë nëpermjet medias publike. Nuk besoj nga shumë informaciòne se bajrami është i korruptuar ? Tung!
ketu ne Sevre po diskutojme per te vendosur nje etalon te korrupsionit dhe na kane propozuar kete kreaturen nga Shqiperia……