Qeveria beson se rritja ekonomike për 2014-ën do të jetë më e lartë nga parashikimet e fillimvitit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, thotë se pas dy viteve të vështira ekonomia ka filluar të ringrihet. “Shifra e rritjes ekonomike për 3-mujorin e parë prej 1,65 për qind, megjithëse është modeste, tregon një trend pozitiv që Shqipëria në fund të vitit i ka të gjitha mundësitë që të kapë një rritje ekonomike prej 2,5 për qind. Mos harroni që vijmë nga një bazë tejet e ulët e vitit të kaluar, ku rritja ekonomike ishte më e ulëta”, deklaron Ministri Ahmetaj. Sipas tij, rigjallërimi i ekonomisë konfirmohet nga një sërë treguesish në gjysmën e parë të vitit, si shitjet me pakicë dhe importet, të cilat sipas INSTAT janë rritur respektivisht me 5,7 dhe 8,7 për qind. “Ka filluar të konsolidohet rritja e konsumit që është pjesë tejet e rëndësishme e xhiros ekonomike dhe rritjes ekonomike. Kjo reflektohet menjëherë dhe në rritjen e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, rritje që është e bazuar në xhiron ekonomike dhe jo në nivelin e taksave. Pra është rritje e të ardhurave e bazuar në rritjen e aktivitetit ekonomik”, shton Ahmetaj. Sipas tij, inkurajuese janë dhe ritmet e rritjes së eksporteve, të cilat po udhëhiqen nga industria e fasonit dhe produktet bujqësore.
