Nëse shifrat e maturës shtetërore shokuan për sa i përket numrit të ngelësve, nuk mungojnë ata që gjatë gjithë jetës së tyre kanë marrë vetëm… dhjeta me yll. Nuk janë aq shumë sa ka ngelës, por janë aq sa mund të frymëzojnë shumë të rinj të tjerë të ecin në gjurmët e dijes. Një javë më parë, kryeministri i vendit, Edi Rama, organizoi një pritje të posaçme për maturantët e shkëlqyer në Parkun e Pallatit e Brigadave. Atë mbrëmje ndau me ta ndryshimet që do të bëhen në reformën e arsimit të lartë, por edhe pranoi problemet e mëdha që ka sot ky sektor në vend. “Që të jetosh në klasat, në korridoret, oborret që ju keni jetuar gjithë këto vite, derisa morët maturën shkëlqyeshëm dhe të marrësh vetëm 10-ta, do të thotë vërtet që të bësh diçka heroike”- tha Edi Rama.
Sot kemi ftuar në “Dita” tre nga maturantët e shkëlqyer të Tiranës për të mësuar më shumë nga ata për veten dhe të ardhmen që ëndërrojnë. Janë të qartë në gjerat që duan, të rrjedhshëm dhe konkret. Nuk i kanë arritur thjeshtë rezultatet, por kanë patur dhe kanë një pasion për dijen. Këtë të fundit e konsiderojnë si pasurinë më të çmuar të njeriut.
Auloni, Brikena dhe Karola janë nxënës të dhjetave, ata nuk njohin shifër tjetër në regjistrat e vlerësimit.
Më dëshirë pranuan të bëhen personazh të “Ditës”, për të treguar arritjet e tyre deri më tani, por edhe për të ndarë me të tjerët sekretin e të qenit ekselent. Nuk janë nga ata që mund të mendoni në momentin e parë, ata që qëndrojnë vetëm mbi libra, janë djem dhe vajza të angazhuar edhe në jetën sociale e publike, kanë hobet dhe pasionet e tyre dhe ajo që kërkojnë është se duan të lënë gjurmë. I janë mirënjohës çdo kujt që i ka ndihmuar gjatë këtyre viteve dhe premtojnë të tjerë ‘yje’ në të ardhmen.
E dimë të gjithë, jo çdo kush mund të jetë nxënës i dhjetës, por me pak këmbëngulje mund të jesh një nxënës i mirë. Çdo kush nga ne duhet të ndihet krenar për ta, pasi, janë pasuri kombëtare…
Aulon Kuqi
Një kitarist që do të studioi shkenca kompjuterike

Auloni merret me shumë gjëra njëherësh. Përveçse është nxënës i shkëlqyer në të gjitha lëndët ai është një kitarist i zoti. Ka marr pjesë edhe në festivale. Është gjithashtu një sportist i mirë. Sporti i tij i preferuar është Kung-Fu. Aktualisht është në gradën e 7 te brezi jeshil në Chin-Woo Kung-Fu northern shaolin style. Kuqi është angazhuar edhe në opera, gjatë vitit të tretë ka përfaqësuar shkollën në konkursin e Tiranës, ku mbante rolin kryesor të Mek Thikes të operës “Opera për tre groshë”. Për studimet e larta e ka ndarë mendjen, do i vazhdoj për shkenca kompjuterike në Gjermani. 18-vjeçari na ka folur pa më shumë për veten:
“Unë kam lindur në Bologna, Itali. Prindërit e mi ishin emigrantë në atë kohë dhe donin që emri im të kishte lidhje me vendlindjen, kështu që më quajtën Aulon në nder të qytetit të Vlorës. Ata janë të dy vlonjat, lindur dhe rritur aty. Unë u diplomova nga Instituti Harry Fultz me profilin Elektronik. Është e vështirë t’i përmbledh këto vite në disa rreshta, por ajo që dua të them është që këto kanë qenë vite vendimtare për formimin e personalitetit dhe mendimit tim. Për këtë falënderoj jashtë mase shkollën dhe nxënësit e mrekullueshëm të saj. Vështirësi hasem këtë vit sepse aplikuam për jashtë shtetit. Kishim shumë mungesa informacioni, por ja dolëm si unë dhe tre shoqet e mia të klasës. Studimet e larta do i vazhdoj për Computer Science në Jacobs University, Bremen, Gjermani. Ëndrra ime është që të mblidhemi si brez pas studimeve për të ndihmuar veten dhe vendin tonë. Sigurisht kjo arrihet vetëm me punë. Nga ana tjetër, kam 8 vjet që merrem me muzikë. Nisa kitarën klasike në klasë të 6, dhe pastaj kalova tek elektrikja. Kam marrë pjesë vazhdimisht nëpër evente muzikore ku gjysmë finalja e Këngës Magjike 2011 është më e madhja. Përveç muzikës, kam qenë i angazhuar në shumë aktivitete sportive. Deri tani sporti më i preferuar dhe ai që kam ushtruar më shumë është Kung-Fu. Momentalisht jam grada e 7 brezi jeshil në Chin-Woo Kung-Fu northern shaolin style. Përveç muzikës kam aktruar në disa performanca dhe gjatë vitit tim të tretë përfaqësova shkollën në konkursin e Tiranës, ku mbaja rolin kryesor të Mek Thikes të operës “Opera për tre groshë””.
Brikena Kaziu
Vajza nga Laçi që shkëlqeu në Kolegjin Turk në Tiranë

Brikena është vajzë kolegji. Ka lindur në qytetin e Laçit. Nuk e pati të thjeshtë që të binte në sy dhe të dallonte nga të tjerët në Kolegjin Turk kur nisi gjimnazin, megjithatë, ia doli që të jetë sot një ndër maturantet më të mira në Tiranë. Është e tërhequr nga inxhinierit dhe duket se kjo do të jetë e ardhmja e saj. Ende nuk ka vendosur nëse do të studio në Shqipëri apo jashtë, por ky vendim do të merret punë ditësh. Detajet e këtyre viteve Brikena i tregon në këtë rrëfim për “Ditën”:
“Unë quhem Brikena Kaziu. Jam lindur në qytetin e Laçit ku dhe kam kaluar 6 vitet e para të jetës sime. Me pas u shpërngula në Vorë ku kreva shkollën 9-vjeçare. Në momentin që duhej të vendosja se ç’duhet të beja me shkollën e mesme, prindërit e mi, me shumë sakrifica vendosën që do të ishte më mirë ta ndiqja arsimin e mesëm në Kolegjin Turk “Mehmet Akif Vajza” (në Tiranë ). Ishte kjo një zgjedhje për të cilën nuk do të pendohem kurrë, një eksperiencë mjaft e vështirë dhe shumë e bukur; pikë së pari ishte e vështirë të jetoje larg familjes plus presionin që kishe për të dalluar midis shumë nxënëseve të mira nga e gjithë Shqipëria. Aty e kuptova se çdo të thoshte konkurrencë, vullnet dhe sakrificë. E pavarësisht tre viteve pune të lodhshme ndihem shumë e lumtur që më në fund po shoh frytet e kësaj pune, rezultatet e larta në mësime si një fillim i mbarë i arsimit të lartë universitar. Për këtë stad të ri të jetës sime studentore kam shumë ëndrra dhe aspirime. Duke qenë se gjithmonë më kanë tërhequr lëndët shkencore, zgjedhja e degës për profesionin tim të ardhshëm orientohet më tepër drejt inxhinierive (kam fituar bursë në një universitet privatë nga provimi hyrës për degën Inxhinieri elektronike dhe telekomunikacioni), po duke shpresuar dhe aktualisht në pritje të një përgjigjeje për fitimin e një universiteti jashtë vendit (në Itali) mendoj se dega e ekonomisë do të ishte ajo e duhura. Mendoj se në të ardhmen me të njëjtën punë dhe vullnet që kam pasur gjatë këtyre viteve do të arrij të përfundoj me sukses shkollën e lartë dhe hallkat e tjera të arsimit pasuniversitar. Dua dhe shpresoj me gjithë zemër të bëhem dikush për veten, për familjen time, por mbi të gjitha për vendin tim. Ky vend ka nevojë për ne po aq sa ne kemi nevojë për të. Atëherë kur ky moment do të vijë do ta ndiej me të vërtetë shpërblimin e punës sime, atëherë kur të jem e aftë për veten time dhe për shoqërinë që më rrethon”.
Karola Refati
Në “Ismail Qemali” mësoi shkëlqyer kulturën dhe gjuhën italiane

Karola është maturante e gjimnazit “Ismail Qemali”. Ndryshe nga dy nxënësit e tjerë, ajo ka studiuar në seksionin dygjuhësh italian, kjo e ka bërë që sot të jetë një njohëse shumë e mirë e gjuhës dhe kulturës italiane. Të ardhmen e saj e projekton në bashkëpunim me të huajt dhe studimet e larta i ka menduar për informatike-ekonomike. Në këtë bisedë me “Ditën”, dëshiron që të jetë një emër i mirë jo vetëm për veten, por edhe për vendin.
“Jam lindur në Tiranë. Kam studiuar në shkollën e mesme e përgjithshme “Ismail Qemali” në seksionin dygjuhësh italian. Vështirësia ka qenë e dyfishte, sepse përveç të tjerash 50% e lëndëve, të tilla si matematika, fizika, biologjia, historia, letërsia italiane, historia e artit, kanë qenë në gjuhën italiane dhe krahas studimit të koncepteve shkencore, duhej të impenjohesha në përgatitjen e tyre në gjuhën italiane. Këto 3 vite kanë qenë një eksperiencë e dobishme për mua, sepse krahas studimit shkencor, kam arritur të përvetësoj në maksimum gjuhën dhe kulturën italiane, pasi klasa jonë ka punuar në çdo lëndë me 2 mësuese, një shqiptare dhe një italiane. Puna e pa ndalur më shtyhu të vazhdoja deri këtu ku jam. Ambicia dhe këmbëngulja janë armët më të forta që një student duhet të ketë për të arritur më të mirën. Pasioni dhe kureshtja për të ditur akoma më shumë, janë burimi një pune të palodhur. Dëshiroj që studimet e larta t’i vazhdoj për informatike-ekonomike. Dua që në të ardhme të jem pjesë e botës kompjuterike dhe të jap kontributin tim në këtë fushë. Ambiciet e mia janë të shumta. Specializimin ta bëj jashtë vendit për të përvetësuar akoma më mirë njohuritë shkencore. Dua që ta ngre lart emrin tim, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij, jo vetëm në fushën ku do të studioj dhe do të ngre karrierë në të ardhmen, por dhe në fusha të tjera si për shembull në aktivitete të ndryshme për të rinjtë, organizime dhe bashkëpunime me partnere të huaj në shërbim të vendit dhe shoqërisë shqiptare. Dëshiroj gjithashtu që të krijoj programe kompjuterike në shërbim të ekonomisë dhe jo të jem thjesht një e punësuar në këtë fushë. Krahas kësaj do më pëlqenin të kisha bashkëpunime me të huaj qe mund te ndihmonim se bashku vendin tone në këtë sektor.
Ajo që unë do vlerësoja më shumë në gjithë arritjen time deri tani, është pasioni dhe këmbëngulja. Të mësuarit dhe të diturit është një ndër gjerat që sjell gjithmonë përfitime”.

Shume shkrim interesant. duhet edhe zerat qytetar ne media, se na lodhi politika
Dhe keta maturante te shkelqyer ne shtator do ikin te gjithe jashte Shqiperise 🙂
Shume artikull interesante dhe komplimente autorit per temen qe trajtoi duke i dhene hapsire edhe lajmeve qe meritojne te publikohen sepse keta te rinj jane e ardhmja e Shqiperise. Personalisht njoh Aulonin, eshte i mrekullueshme dhe shume me teper se sa ai prezantoi vetveten, eshte nje djale i ri me plot pasione dhe mbi te gjitha me deshire dhe vullnet te provoj gjithshka. Do te me pelqente shume sikur perfaqesiesit e Shtetti pervecse nje mbremje ne Pallatin e Brigadave tu ofronin ketyre studeneve edhe nje mbeshtetje praktike ne rrugen e veshtire te shkollimit te larte, por si gjithnje ketu Shteti hesht……promovon nga te gjitha anet dhe kanalet mediatike kete event por nuk ben asgje per te mbeshtetur keta nxenes ekselent, por i le vetem…… Urime Aulonit dhe te gjithe nxenesve te tjere, Zoti qofte me juve!
Shume artikull interesante dhe komplimente autorit per temen qe trajtoi duke i dhene hapsire edhe lajmeve qe meritojne te publikohen sepse keta te rinj jane e ardhmja e Shqiperise. Personalisht njoh Aulonin, eshte i mrekullueshme dhe shume me teper se sa ai prezantoi vetveten, eshte nje djale i ri me plot pasione dhe mbi te gjitha me deshire dhe vullnet te provoj gjithshka. Do te me pelqente shume sikur perfaqesiesit e Shtetti pervecse nje mbremje ne Pallatin e Brigadave tu ofronin ketyre studeneve edhe nje mbeshtetje praktike ne rrugen e veshtire te shkollimit te larte, por si gjithnje ketu Shteti hesht……promovon nga te gjitha anet dhe kanalet mediatike kete event por nuk ben asgje per te mbeshtetur keta nxenes ekselent, por i le vetem….. Urime Aulonit dhe te gjithe nxenesve te tjere, Zoti qofte me juve!
Faleminderit qe na jepni shembuj te mire. Tek e fundit ka edhe element qe meriojne te kene sukses. Bravo cuna dhe goca
Ja, ndaj e kam qejf gazetarin se ndonjehere mund te lexoje edhe ndonje artikull te tille. Kishte nje jave qe thuhej, i takoje Rama, i takoje Rama, por askush nuk po na prezantonte ndonjerin prej tyre… Faleminderit Entela qe na kujton se ka element te mire ne shkolla dhe qe meritojne vemendje
Arsimimi dhe edukimi i mire jane celsat e suksesit te nje kombi per te ecur perpara. Shume shpejt pjesa me e madhe e te rinjve shqiptare do e kuptojne qe trafiqet, vjedhja dhe mashtrimi jane rruget me te gabuara per t’u bere me para’.
Tregu i punes do ndryshoje nje dite dhe do nxjerr ne pah gjithe ata specialiste, puna e te cileve do paguhet ne menyre figurative me ar.
Suksese ketyre te rinjve. Ju lumte per vullnetin, zgjuarsine dhe deshiren per t’u bere dikushi ne jete me pune te ndershme.
Bravo Entela Resuli, shume teme interesante, informative dhe frymezuese!
Karola vajze e brekullueshmeeeee.