PAK para Kuvendit: Jemi kundër pr/ligjit, të na takojë Meta e deputetët

redaktor

Personat me Aftësi të Kufizuara shprehen kundër pr/ligjit për këtë kategori që pritet të miratojë Kuvendi. Përfaqësues të invalidëve nga të gjitha qytetet e vendit janë mbledhur sot para institucionit të Kuvendit dhe kërkojnë të takojnë kryeparlamentarin Meta si dhe deputetët, me qëllim që të mos e kalojë ligjin që, sipas tyre iu cënon të drejtat.

Kreu i Personave të Verbër, Sinan Tafaj ka deklaruar se, “Kërkojmë takim me Kryetarin e Kuvendit për pr/ligjin për invalidët Kërkojmë që pr/ligji të mos kalojë nesër në Parlament”, tha ai.

Personat me aftësi të kufizuar shprehen se “Nuk do largohemi nga Kuvendi, deri sa të takohemi me deputetët. Jemi kundër pr/ligjit që do të miratohet nesër”.

Projektligji
Sipas ligjit të mbërritur në datën 27 maj në Kuvend, organet publike të qeverisjes qendrore dhe vendore janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik, përfshirë marrjen dhe shqyrtimin e komenteve e të rekomandimeve të palëve apo grupeve të interesuara për t’i përdorur më pas në vendimmarrje”. Ndërsa neni 16 saktëson se, organizatat përkatëse jofitimprurëse që marrin pjesë në konsultim janë: organizatat që përfaqësohen në Këshillin Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar, organizatat e personave me aftësi të kufizuara dhe organizatat për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas KKPAK, organizatat e PAK dhe për PAK janë vendosur në nivele të barabarta, në kundërshtim me Konventën e OKB-së. Për këtë arsye, Këshilli kërkon një riformulim të këtij neni, në përputhje me Konventën e Personave me Aftësi të Kufizuar. Sipas tyre, e drejta e përfaqësimit duhet formuluar në këtë formë: “Personat me aftësi të kufizuar gëzojnë të drejtën të përfaqësohen në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre individualisht nëpërmjet të gjitha formave të përfaqësimit ligjor të njohura, si dhe nëpërmjet shoqatave kombëtare e lokale të krijuara nga vetë ata mbi bazën e llojit të aftësisë së kufizuar. Personat me aftësi të kufizuara mendore përfaqësohen nga shoqatat kombëtare dhe lokale e prindërve dhe e kujdestarëve të tyre ligjorë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *