Eksplozivi duket se ka dalë sheshit në Shqipëri. Megjithëse policia ka kryer dhjetëra operacione kundër trafikimit dhe përdorimit të lëndëve plasëse gjatë gjashtë muajve të fundit pas valës së madhe të atentateve me bomba të telekomanduara, përsëri kontigjente kriminale tentojnë aktivitetin e paligjshëm. Pas goditjes së grupit të 3 ushtarëve profesionistë me pagesë të Repartit 1010 të Vaut të Dejës, që blinin eksploziv C4 nga Mali i Zi, i montonin si bomba me celular dhe më pas i shisnin për atentate në Shqipëri dhe Greqi me 2 mijë euro, dje është goditur një tjetër bazë trafikimi. Mëse 60 kallëpe tritoli janë gjetur në Tropojë, pranë kufirit me Kosovën. Konkretisht, sasia e tritolit është gjetur pranë fshatit Shipshan dhe dyshohet se është lënë aty nga grupi kriminal që do i trafikonte, edhe nga frika e prezencës së Policisë Kufitare dhe agjentëve të fshehtë.
Mësohet se policia ka nisur hetimet për gjetjen e poseduesve të tritolit dhe po ‘kreh’ zonën për gjetjen e armatimeve të tjera të fshehura në kufi. “Në kufirin Kosovë-Shqipëri, 1 kilometër brenda territorit të vendit tonë, janë gjetur dhe sekuestruar nga ekspertët e policisë se kufirit dhe migracionit 60 kallëpe tritoli, të futura në një thes”, thanë burime zyrtare nga Policia e Shtetit. Kurse informacione nga policia e Bajram Currit dhe e Kukësit, thonë se thesi me kallëpet e lëndës plasëse të tritolit është gjetur në fshatin Shipshan të Tropojës së Vjetër, një kilometër në afërsi të kufirit. Me të konstatuar thesin, ekspertët e policisë kanë nisur kontrollin e të gjithë zonës, pasi dyshohet se mund të ketë edhe kallëpe të tjera të kësaj lënde plasëse. Vetëm pak ditë më parë, në kufirin Kosovë-Shqipëri, u gjetën dhe sekuestruan disa armë e municione luftarake, të cilat ishin fshehur në një pyll.
Paraprakisht dyshohet se lënda plasëse trafikohej përtej kufirit shqiptar, me destinacion Kosovën, tek grupet kriminale. Por po mblidhet informacion për pjesëtarët e grupit kriminal të përfshirë në trafik dhe rrethana të tjera të hetimit në lidhje me këtë trafik. Edhe herë të tjera policia ka goditur grupe që trafikonin armatime të lehta dhe të rënda drejt Kosovës. Në fillim të këtij viti u zbulua një organizatë, në përbërje të të cilës edhe 3 efektivë policie në Kukës dhe Tiranë, që mblidhnin armatimet në Gramsh dhe Tiranë dhe më pas i trafikonin nëpërmjet Morinës në drejtim të Kosovës me çmime të ndryshme.
Goditja më e fundit ishte të martën, kur Policia e Shtetit dhe e Durrësit, nëpërmjet një agjenti të infiltruar, arrestuan 3 ushtarë profesionistë me pagesë nga Lezha, që shërbenin në Vaun e Dejës, që u kapën me 7 bomba C4 me celular të përgatitura për t’i shitur në Shqipëri dhe Greqi me qëllim atentatet për të shkaktuar panik dhe terror, apo eleminime fizike biznesmenësh. Hetohet nëse të dyshuarit kanë shitur bomba në atentatet e fundit të ndodhura në Shqipëri, të paktën 10 të telekomanduara, në të cilat dy përfunduan me vdekje dhe të tjerat me plagosje të rënda.
