Skënderbeu, kualifikimi ndaj Bates, jo i pamundur

anazapta

Duke parë paraqitjet e dobëta, në ndeshjet e para të raundit të dytë që dhuruan skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europa League dhe mundësitë pothuajse zero për kualifikim, Skënderbeu është i vetmi ekip që mund të mbajë lart flamurin e vendit tonë në kompeticionet kontinentale. Falë një grupi të konsoliduar futbollistësh që luajnë prej vitesh me njëri-tjetrin, por dhe barazimit 0-0 në sfidën e parë ndaj bjellorusëve të Bate Borisov, tifozët korçarë kanë më shumë se një arsye për të shpresuar. Ajo çka shton më shumë besimin se Skënderbeu ashtu si një vit më parë mund të kualifikohet sërish në turin e tretë paraeliminator të Champions League, është fakti se 5-herë kampionët e vendit sa herë që luajnë në Shqipëri transformohen duke dhuruar gjithmonë ndeshje të mira. Në dy sezonet e fundit në Europë, korçarët i kanë fituar të gjitha takimet që kanë luajtur në shtëpi. Statistikat mbeten statistika megjithatë edhe ato nuk duhen nënvlerësuar kur bëhet fjalë për kompeticione të tilla si Uefa Champions League.

Marshi pozitiv i Skënderbeut në Europë gjithmonë sa i përket ndeshjeve në Shqipëri, nisi në vitin 2012 kur skuadra në atë kohë e drejtuar nga çeku Stanislav Levi, mposhti 1-0 në Korçë hungarezët e Debrecenit. Një humbje 3-0 në sfidën e kthimit bëri që Skenderbeu të eliminohej, megjithatë kampionët e Shqipërisë u korrigjuan në 2013. Pasi barazuan 0-0 në Azerbaxhan ndaj Neftchi Bakut, fituan pas kohës shtesë 1-0 sfidën e kthimit në Korçë duke u kualifikuar për herë të parë në historinë e tyre në raundin e tretë paraeliminator të Uefa Champions League. Ecuria pozitive e skuadrës korçare përpara publikut të saj vijoi edhe në këtë fazë, ku Skënderbeu edhe pse kishte pësuar një humbje të rëndë në 90 minutat e para të luajtura në Kazakistan ndaj vendasve të Shakhter Karagandy, me shifrat 3-0. Korçarët arritën të triumfonin në ndeshjen e dytë në “Qemal Stafa” me rezultatin 3-2.

Forca në shtëpi u tregua dhe pas eliminimit në Champions nga kazakët, me formacionin e Mirel Josës që vijoi ecurinë në Europa Ligë, duke fituar në Tiranë 1-0 me Chernomorets Odesa. Rezultat që ishte i njëjtë me atë të takimit të vajtjes, por nga pika e bardhë penalltitë nuk i buzëqeshën “ujqërve të dëborës”, të cilët nuk arritën të sigurojnë një vend në fazën e grupeve të Europa League. Gjithsesi në këto dy sezonet e fundit, Skënderbeu ka arritur ti fitojë të katërta ndeshjet europiane në shtëpi dhe këtë herë ndaj Bates, fitorja, pavarësisht se në çfarë shifrash është rezultati që do t’i garantonte kampionëve përballjen me shumë gjasa me Debrecenin në raundin tjetër. Një fitore që e parë nga statistikat nuk duket dhe aq e pamundur.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *