Rafa Benitez i ka të qarta idetë. Vetëm një ditë pasi Napoli i tij nisi përgatitjet për sezonin e ri, trajneri spanjoll u shfaq në një konferencë për shtyp ku foli për skuadrën dhe objektivat e saj të ardhshëm.
“Do të jetë një Napoli akoma edhe më shumë kompetitiv. Dëshirojmë të ndërtojmë një skuadër të fortë që të zgjasë për shumë vite. Si do të ndryshojë ekipi në krahasim me sezonin e shkuar? Unë mendoj se të gjitha skuadrat nga viti në vit kërkojnë të përmirësohen akoma më shumë. Pas një viti në Napoli unë e di shumë mirë se ku ka nevojë skuadra për t’u përmirësuar. Objektivat? Tashmë kemi më shumë eksperiencë dhe të gjithë futbollistët e njohin më mirë ambientin. Dëshirojmë të fitojmë duke luajtur mirë dhe në ekuilibër. Juventusi vazhdon të mbetet shumë i fortë por ne këtë sezon do të synojmë titullin kampion”.
Shumë skuadra kanë shfaqur interes për t’i shkëputur të kaltërve Gonzalo Higuain dhe Jose Maria Callejon por sipas Benitez nëse Napoli dëshiron të fitojë duhet patjetër të mbajë në ekip lojtarët e tij më të mirë. “ Në asnjë mënyrë nuk duhet të shesim ata lloj futbollistësh që mund të përmirësohen edhe më shumë në të ardhmen. Kam folur me presidentin De Laurentiis dhe i kam shpjeguar atij se Higuain e Callejon mund të japin akoma më shumë për këtë skuadër kështu duhet të qëndrojnë te Napoli”.
Sa përket blerjes më të re të Napolit, sulmuesit spanjoll Michu, Benitez tha se ish lojtari i Swansea mund të shënojë 10 apo më shumë gola gjatë një sezoni. Ish trajneri i Chelseat shtoi se Michut i duhet vetëm të përshtatet me skuadrën për të dhënë më të mirën e tij.
