Nga 1 Gushti 2014, si ndryshon paga për efekt kontributesh

anazapta

Paga minimale mujore pas 1 Gushtit 2014, jo më pak se 19 406 lekë. Po kështu paga maksimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, do të jetë të jetë 97 030 lekë
Ndryshimet e fundit ligjore të bëra për efektin e kontributeve kanë sjellë dhe një vlerësim të ri për pagën. Vendimi më i fundit i qeverisë, që bëhet aktiv në fillim të gushtit ka të përcaktuar një sërë ndryshimesh për pagën minimale. Kështu sipas vendimit të qeverisë që tashmë është publikuar dhe në fletoren zyrtare, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, duke nisur nga gushti 2014 do të jetë jo më pak se 19 406 (nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e gjashtë) lekë. Po kështu paga maksimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, duke nisur ga 1 gushti e në vazhdim, do të jetë të jetë 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë.

 

Sa do të jetë kontributi minimal mujor?

Shuma minimale mujore e kontributeve për të gjitha degët e sigurimit, duke filluar nga muaji tjetër do të jetë 5 415 (pesë mijë e katërqind pesëmbëdhjetë) lekë. Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarin dhe për pjesëtarët e familjes të patrajtuar me pagë, me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi, bëhet 3.4 për qind e dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 320 (një mijë e treqind e njëzet) lekë. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duhet të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23 për qind të pagës mujore minimale prej 19 406 (nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e gjashtë) lekësh, e barabartë me 4 463 ( katër mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë në muaj. Po kështu personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, duhet të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 4 070 (katër mijë e shtatëdhjetë) lekë, nga të cilat 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 1 320 (një mijë e treqind e njëzet) lekë për sigurime shëndetësore. Për personat mbi 18 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia e që nuk janë të punësuar diku tjetër, duhet të paguajnë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4 për qind e dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 320 (një mijë e treqind e njëzet) lekë në muaj.

 

Paga minimale për të vetëpunësuarit në bujqësi

Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi është 4 620 (katër mijë e gjashtëqind e njëzet) lekë. Të vetëpunësuarit në këtë kategori duhet të derdhin kontribut mujor për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4 për qind e dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të kontributeve të sigurimeve shëndetësore të të vetëpunësuarve në bujqësi, të barabartë me një vlerë 314 (treqind e katërmbëdhjetë) lekë në muaj. Ndërsa për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, duhet të deklarohet dhe të paguhet kontribut minimal mujor në shumën 4 070 (katër mijë e shtatëdhjetë) lekë, nga të cilat 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 1 320 (një mijë e treqind e njëzet) lekë për sigurime shëndetësore”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *