Ndër projektvendimet e miratuara edhe Shpallja e Papa Françeskut si Qytetar Nderi
Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka marrë disa vendime në lidhje me vizitën e ardhshme të Papa Françeskut në Shqipëri. Në unanimitet të plotë të gjithë këshilltarët, kanë dhënë votën e tyre “pro” mbi restaurimin e sheshit “Nënë Tereza”, si dhe shpalljen “Qytetar Nderi” të Papa Franceskut.
“I shërben qytetit, është në respekt të Nënë Terezës dhe në respekt të vizitës së Papa Françeskut. Jam dakord të japim votën pro për këtë projektvendim”- raporton Agjencia e Lajmeve Balkanweb, duke cituar përfaqësuesin e së djathës, Kosovrasti.
Ndërkohë që, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo e ka cilësuar ditën e vizitën e Papa Françeskut si të një rëndësie të veçantë. Sipas tij, sytë e gjithë botës do të jenë të drejtuara nga Tirana dhe pikërisht për këtë fakt, projektvendimi për restaurimin e sheshit “Nënë Tereza” u paraqit në kohë rekord.
Lajmin për vizitën e tij në Shqipëri e ka bërë publike vetë Papa Françesku në një prej predikimeve në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, qershorin e kaluar. Ai ka pranuar kështu ftesën e peshkopëve dhe autoriteteve shqiptare, duke deklaruar prezencën e tij në Tiranë në 21 shtatorin e ardhshëm./A.V
