Një lajm i bujshëm vjen nga Franca. Antonio Conte është vetëm një hap larg Paris Saint-Germain. Me sa duket përfaqësuesit e teknikut puljez kanë gjetur akordin me klubin e sheikëve dhe lajmërimi zyrtar pritet të vijë shumë shpejt. Në bazë të zhvillimit të papritur qëndron besimi i pakët që drejtuesit e klubit parisien kanë në drejtim të trajnerit aktual Laurent Blanc pavarësisht titullit të sapofituar në Ligue 1. Për sulmin vendimtar ndaj Champions League me më shumë mundësi për të arritur suksesin, pronarët e PSG kanë vendosur t’i besojnë pikërisht Contes që vetëm pak ditë më parë u “divorcua” nga Juventus.
Trajneri italian nga ana e tij gjithmonë e kishte deklaruar se nuk kishte si synim që të bënte një periudhë pushimi, dhe hipoteza e marrjes së drejtimit të Kombëtares Italiane, nuk është ajo idealja për të që ka dëshirë të punojë në fushë çdo ditë. Kontaktet e para të Contes me futbollin francez datojnë në pranverën e shkuar, kur një përfaqësues i tij foli në Versajë me një emisar të Monacos që në atë kohë interesohej për të zëvendësuar Ranierin që kishte dalë jashtë luftës për titullin. Monaco më pas vendosi të angazhonte portugezin Leonardo Jardim, por me sa duket Franca ishte në fatin e Antonio Contes.
