Specializohen rreth 6400 profesionistë të kujdesit parësor.
Ministria e Shëndetësisë ka nisur gjatë kësaj jave kursin e parë për trajnerë, me mjekë e punonjës të kujdesit parësor. Në këtë kurs 5-ditor, me në qendër zbatimin e Paketës së Kontrollit Bazë Falas të Popullatës, janë përfshirë përfaqësues nga rrethet e Lezhës, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Kukësit, ndërkohë që, në 29 korrik-02 gusht, do të vijojë në qarqet e Korçës dhe Fierit.
Prezent ka qenë ditën e sotme edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i cili duke theksuar rëndësinë e Paketës, e ka cilësuar atë si një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë në 4 vitet e ardhshme.
“Është elementi i parë real drejt mbulimit universal dhe është ndoshta edhe përpjekja serioze për të patur një qasje të re për të vendosur në qendër të sistemit qytetarin, që ende nuk është pacient: të shëndetshmin, që ende nuk është diagnostikuar si i sëmurë”- është shprehur ndër të tjera Ministri Beqaj.
Numri total i trajnerëve do të jetë 100, ndërsa raporti mes mjekëve dhe infermierëve sipas çdo qarku do të reflektojë numrin e personelit mjekësor, duke përjashtuar këtu personelin mjekësor specialistik që shërben në kujdesin e shërbimit parësor.
Paketa e Kontrollit Bazë Falas së Popullatës, miratuar pak kohë më parë nga qeveria shqiptare, do të synojë kontrollin e disa sëmundjeve kronike që më shumë prekin grup-moshën 45-65 vjeç. Ndër egzaminimet kryesore do të jenë, vlerësimet për depresionin dhe stresin; ekzaminime për diabetin tipi 2 dhe hipertensionin arterial; sëmundjet kardiovaskulare të zemrës dhe EKG-së, etj./A.V
