Obama: Largim për fëmijët emigrantë të pashoqëruar

editor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka deklaruar se, fëmijët që do të hyjnë ilegalisht dhe nuk do të jenë të paisur me dokumente, do të rikthehen automatikisht në vendin e tyre të origjinës. Deklarata ëhtë bërë gjatë një takimi të zhvilluar  me presidentët e Amerikës Qëndrore, përkatësisht të Guatemalës, Hondurasit dhe El Salvadorit.

Kthimi i këtij diskutimi ka ardhur si pasojë e situatës gjithnjë e më të rënduar në kufirin jugor të SHBA-ës, sidomos më shtimin e numrit të të miturve pa asnjë lloj dokumentacioni dhe motiv qëndrimi në Amerikë. Gjatë takimit Obama ka vlerësuar homologët e tij për përpjekjet e vazhdueshme brenda kombeve të tyre, por njëkohësisht ka tërhequr vëmendjen në rritjen e nivelit të punës përsa i përket ndalimit të këtij fenomeni, si dhe për të lehtësuar kushtet që këta fëmijë të mos lëvizin të pashoqëruar nga prindërit e tyre. Një tjetër shqetësim ka qenë edhe ai i rrezikut që një udhëtim i tillë mund të përbëjë për të miturit, dhe pikërisht për këtë Presidenti Obama u ka kërkuar homologëve të tij rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes tyre. Aktualisht administrata e presidentit Obama i ka kërkuar kongresit një fond prej 3.7 miliardë dollarë, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë së kufijve.

Nga ana tjetër, Presidenti i Guatemalas, Oto Perez Molina u tregua gjithashtu i shqetësuar nga situata aktuale dhe ka bërë thirrje për evidentimin e arsyeve që sjellin në një fenomen të tillë. Sipas tij, varfëria ektreme dhe mungesa për punësim detyron këta fëmijë të udhëtojnë vetëm, ndërkohë që premtoi marrjen e masave në lidhje me përmirësimin e cilësisë së jetesës në vendin e tij.

Të dhënat e publikuara në pikat kufitare të SHBA-së kanë përcaktuar se, mbi 57 mijë fëmijë të pashoqëruar janë ndaluar në kufirin jugor, pjesa më e madhe së cilëve vinin nga Salvadori, Guatemala apo Hondurasi.  Mësohet gjithashtu se, bandat kriminale, varfëria ektreme, por edhe fjalët për përfitime juridike dhe ligjore për fëmijët, kanë ndikuar në fluksin gjithnjë në rritje.

Aktualisht në SHBA po merret në shqyrtim ligji i vitit 2008-të, i cili u jep te drejtën fëmijëve të pashoqëruar që hyjnë brenda kufijve amerikanë, t’u nënshtrohen  një seance të veçantë dëgjimore për azil, duke parandaluar largimin e tyre të menjëhershëm nga vendi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *