Në romanin e I. Kadaresë nuk ka kurrfarë mjegulle, gjithsesi libri po rrethohet me mjegull, e cila, sa vjen e dendësohet. Edhe pse me raste të kujton tymëset për efekte skenike. “Shtëpia plot dritë dhe telashe.”-kështu fillon romani “Mjegullat e Tiranës”. I tillë ishte kryeqyteti, e tillë Shqipëria dhe vetë shkrimtari, së bashku me ne të tjerët. Por, dritën e shtojmë nga vetja dhe kusuret na i shkaktonin të tjerët: pa e ditur se nga ku, dhe pa e ditur se nga kush.
Gjithë këtë polemikë e shkaktojnë dy personazhe: Bardhyli i I. Kadaresë dhe Luani i N. Jorgaqit. Ndryshe nga historitë e dueleve për një Helenë, apo i Nik Petës e Pal Golemit për një Marë, zënka shkaktohet nga dy personazhe për një autor, i cili pranon për djalë fëmijën e tij “të paligjshëm” duke shpërfillur birësimin e mikut të tij, si “të padëshirueshëm”. Një konflikt nga më të rrallët në historinë e letrave shqip, i cili me gjasa do të vazhdojë gjatë, pasi autori nuk shijon dot lavdi pa e trazuar shoqërinë dhe pa hyrë në konflikte të panevojshme. Pasi autori, sikurse dhe personazhi i tij Bardhyli, shquhen për snobizëm cinik dhe xanxën e të qenit modern. Pohimi është i tij. (Sipas një dëshmitari të kohës, kur partizanët çliruan Tiranën, dhe vinin vërdallë nëpër kryeqytet shfaqnin shenja nervozizmi. Ngaqë ishin mësuar me luftë, donin luftë. Kur i nisën për të luftuar në Veri, u lehtësuan.)
Zemërimi i Kadaresë dhe revolta e Jorgaqit kanë të njëjtin shkak: “Një letrar i kohës, dashamirës dhe i njohur i shkrimtarit, (Shihni raportet: Nasho 27 vjeç cilësohet letrar , pra: gradën tetar, ndërsa Ismaili 20 vjeçar e quan veten shkrimtar, pra: gjeneral. Jemi ende në fillimet e krijimtarisë. F.R) shkroi dhe botoi një histori dashurie, e ngjashme me atë që përshkruhet dhe tek “Mjegullat e Tiranës”. Ndryshimi tjetër, ai thelbësori, ai fatali, ishte se, ndërsa njëri nga tekstet i përkiste realizmit socialist, tjetri, imi, s’kishte të bënte me të.” E thënë ndryshe:”…shikoni si udhëtojnë bashkë, i mbari me të prapin!” (“Hija” I.Kadare) Atë çka kishte ndjerë dikur, ia bën prezent lexuesit të sotëm, kur dëshmimtar okular duhet të ishte lexuesi i djeshëm, i cili ende reagon me nostalgji për novelën e rinisë së tij. Kur pritej një mirënjohje Kadareja, aq shumë i interesuar për botimin e saj dhe, kur ajo botohet dhe pritet mirë, Ismaili mjaftohet me një buzëqeshje të lehtë, pa entuziazëm. Mos kjo sjellje e rezervuar, parathotë pakënaqësinë e shfaqur pas gjysmëshekulli? Kjo pakënaqësi e N. Jorgaqit për mungesë entuziazmi, i kthehet Kadaresë si argument: për një qëndrim koherent të tij. Nëse historia e dashurisë është harruar, me ndarjen e heronjve, tani ngjarjet zhvillohen në një terren traktatesh letrare, me ndarje miqsh. Miku i hershëm damkoset në krahun e kundërtë, si përfaqësues i së keqes, zgjyrës së socrealizmit. Shtrohet pyetja: a meriton N. Jorgaqi këtë ndëshkim, të quhet autor i një libri pa fytyrë? Atëherë, na duhet të largojmë mjegullën e stisur, për të nxjerrë fytyrën e vërtetë të protagonistëve, qofshin personazhe, autorë, dashamirës, kundërshtarë, etj.
Sikur s`shkon që në kohën e fotografisë bardhezi, t`i ankohesh tjetrit: pse s`të ka nxjerrë me ngjyra? Dhe në kohën e ngjyrës ta bësh me faj, për realitetin gri? Tashmë me Kadarenë nuk matet kush, por, duke i parë të tjerët nga lartësia e famës, nuk i lejohet t`i trajtojë si njollë. Për të mos thënë njollë turpi. Të identifikohesh me realizmin socialist N. Jorgaqin, pavarësisht se ai nuk i bishtnon, është njësoj si të ngatërrosh retë e bardhë me ato të zezat, apo tymin e zi me atë të bardhë në zgjedhjen e Papës. E themi qysh në fillim: letërsia që shkroi Kadareja nuk ka të bëjë fare me realizmin socialist, le të magazinojnë sa të duan kundërshtarët e tij: poezi, fragmente proze, thënie për ta akuzuar si shërbëtor të regjimit. Tek e fundit ai ka bërë shërbime ekselente dhe jo banale. Gjithë këtë reagim anti, e ka shkaktuar fakti se, Kadareja, nuk ka gjetur shembullin e përshtatshëm për ta bërë shembull. Është njësoj, si burgosja e gjyqtarit shkrimtar Dhimitër Pojanaku si “delja e zezë” e korrupsionit, kur Gjin Gjoni, e sfidon drejtësinë më karshillëqe engledisëse, sa për t`u patur zili. Nëse të qëllon të martohesh me kostumin e tjetrit, nuk ke pse i zemërohesh, kur sheh fotot pas shumë vitesh dhe, të ankohesh se s`paska qenë në modë!
Natyrshëm lind pyetja: kush është Bardhyli i pakënaqur prej rivalit të tij letrar Luanit? Mëkati i Mimozës apo pafajsia e Emës?
Shihni Bardhylin se sa i ngjashëm është me Kadarenë, ndërsa Luani s`i afrohet gjëkundi:
“Kur Bardhyli doli për herë të parë në rrugë, qytetarët e N. kthenin kokën me kuriozitetin e natyrshëm të provincialëve, kur shohin ndonjë të riardhur nga kryeqyteti. (I riardhuri shpall shkëputjen nga sivëllezërit e tij provincial. Kryeqyteti e ka ndryshuar aq shumë, sa është bërë tjetër njeri. F.R) Aq më i madh bëhet ky kuriozitet, kur i riardhuri është vendas dhe kur vjen pak i ndryshuar. (Dallimi i parë i ndryshimit është veshja, moda. F.R) Pardesyja e Bardhylit, pantallonat pak të ngushta, shalli i ndezur, tërhiqnin vëmendjen e kalimtarëve sidomos të të rinjve, bile nja dy a tre në sheshin e qytetit, u hëngrën pak për numrin e pantallonave të tij. E vërteta është se tani ai njihej shumë dhe njerëzve u dukej pak i jashtëzakonshëm. (Ishte autori i librave poetik: “Frymëzime djaloshare” dhe “Ëndërrime”. Pra, prozatori i panjohur mburret me famë e poetit, ndaj të cilit sot shkrimtari ka rezerva, pasi shfaq indoktrinim. Është pikërisht kjo zgjyrë që e irriton tek N. Jorgaqi. Unë të njoh për ëngjëllin e poezisë, ti paske qenë shejtani i prozës?! F. R) Bile disa ngurronin ta përshëndesnin, duke vuajtur nga fiksacioni se çdo njeri, sidomos çdo njeri i talentuar që vjen nga kryeqyteti, duhet të jetë patjetër mendjemadh. (Pra, paragjykohet si poet i talentuar. Sikurse ishte viktimë e paragjykimeve fetare të familjes së Emës. F. R) Vetë jeta pak e ngushtë e ushqente atë meskinitetin e zakonshëm karakteristik, njëfarë druajtje nga gjërat e bukura, të pastra dhe të guximshme. (E tillë ishte dhe Ema para tij: e brishtë, kurajoze, e bukur, por e pamjaftueshme për ëndërrat e tij. F. R) Për ta njeriu i talentuar ishte diçka që i trembte, sepse nuk ecte në normat e caktuara të jetës, por bënte diçka të jashtëzakonshme, dhe provincialëve të ngushtë gjërat e jashtëzakonshme u godisnin nervat dhe u prishnin qetësinë.” Sipas tij, të jashtëzakonshmen e bën: talenti, moda. Në fakt është protagonizmi i atij, që i ka këto dhunti dhe i ushtron. Në modë mund të ketë dhe me estravagant. Të talentuar në art dhe gjetkë mund të ketë plot, por, menjanohen apo i nxjerrin nga rreshti me përdhunë. Ose tërhiqen, siç bëri Lasgushi. Në kohën që flitet, protagonizmi i Kadaresë është si poet. Pas këtij poeti lajthitëm të gjithë, duke përfshirë dhe Nashon. Tani na del, se s`paska qenë ai që njihnim ne. Se i vërteti nuk është tek heroi lirik, por tek personazhi i prozës, Bardhyli. Kjo duhet pranuar si zhgënjim, stisje apo duhet ta kthejmë historinë nga e para? Siç shihet çështja ha të diskutuar.
Në përfytyrimin tonë Kadareja do të mbetet përherë: promovues i së resë, deri tek zgjatja e favoriteve. Edhe Luani i N. Jorgaqit vjen nga provinca, nga një familje e varfër fshatare, të cilit, një kryeqytetase ia përbuz dashurinë. Ai merr keqardhjen e lexuesit, pasi dashuria iu refuzua nga një kryeqytetase meskine. “Dashuria jote, për fat të keq, dështoi dhe ti e përjetove shumë rëndë…”, tani autori keqardhjen ia drejton Kadaresë. Ndërsa në roman del e kundërta: është Bardhyli që e flijon dashurinë e Emës për hir të artit. Fillimisht donte të thyente rezistencën e saj dhe, pastaj të mundte dëshirën e vet. Është ajo që vuan mungesën e tij, ajo që e puth, ndërsa Bardhyli ka një qëllim: ta bëjë ndarjen më të bukur nga koha e të qenit bashkë. “Ai e ndjente se duhej të donte më tepër dhe nuk mundëte… Dikush mund të thosh se kjo ishte në kundërshtim me natyrën e tij prej artisti të talentuar….Por unë jam i talentuar. Ndoshta më do për këtë!” Talenti bëhet shkak që provincialë ta urrejnë dhe po talenti, që Ema ta dojë. Edhe këtu mburrjen ia jep poezia, sepse ajo e ka bërë të famshëm. Deliri i përzierë me erotizëm, nuk para lë shije të mirë.
Por, Bardhyli, problemin nuk e ka me Luanin e N. Jorgaqit, por me heroin lirik të poezive të vetë Ismailit në librat poetik “Frymëzime djaloshare” dhe “Ëndërrime”, siç e thamë dhe më parë: ishte shkaku kryesor pse Ema duhej ta donte dhe provincialët e urrenin. Kur merr t`i krahasosh, ata s`ngjajnë gjëkundi mes tyre. Pa dashur ky kthehet në një problem për ne: se kë të marrim për të vërtetë: poetin axhami apo prozatorin e formuar, që të dredhë në tel? Njësoj si të krahasosh një rritës zogjsh me një konstruktor avionësh. Pra, e njëjta moshë shfaqet me dy standarde. Na del që poeti të jetë i kuq dhe prozatori: i zi, duke u shfaqur në imagjinatën tonë, kuq e zi. Mbase gjen vend proverbi i vjetër: “Pas çdo heroi fshihet një tradhtar”. Pra, heroi tek lirika dhe tradhtari tek proza. Rojet besnike të Kara Mahmut Pashës, teksa e shoqëronin në kishën e Raguzës, tërhoqën vëmendjen e vendasve: duke bërë kryqin si të krishterë, si dhe duke hequr këpucët në hyrje të kishës si myslimanë. Me sa duket është në natyrën tonë t`i bëjmë të dyja, por, I. Kadareja, si mjeshtër i dritëhijeve, kontrastit, humorit të zi, thotë: “Ti Nasho merr të kuqen, le të më mbetet mua e zeza.” Në një kohë që i hynte në punë, nga e kuqja ai nxori përfitime më shumë se kushdo tjetër, tani që ajo është kthyer në mallkim, ia rras mikut të tij, me kollajllëkun më të madh.
Polemika e beftë midis Nasho Jorgaqit me Ismail Kadarenë, ndoshta një zbrazje inatesh të vjetra, nuk ka si të mos na sjellë në mend, pasazhe nga libri i Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”, duke qenë njëherësh dhe një shembull se si nuk falet lëndimi. Më shumë se kushdo tjetër është ajo që ia ka hequr shenjtërinë të shoqit, duke u përputhur me idenë e Çarl Çaplinit se njerëzit ideal e kanë vendin në muze. Nuk ka përdhosje më të keqe për shenjtorët, të cilët vijnë nga fusha e artit, se sa shpallja e tyre të paprekshëm, pavarësisht se Kadareja e quan shkrimtarin lehtësisht të goditshim. Njësoj si të kërkosh asfiksimin e tyre. Përmes debateve, polemikave kthehen në vëmendjen e publikut dhe shtohet njohja për ta, duke u shfaqur në jetë, në dritë të vërtetë. Tek e fundit, Kadareja provokon opinionin letrar që, të legjitimoi fëmijën e tij të paligjshëm.
Ismail Kadareja “Po vinte përballë meje, bashkë me tim kushëri, shkrimtarin Nasho Jorgaqi. Mu duk po aq i zbehtë në fytyrë, sa ç`e kisha përfytyruar në ëndrrat e mija.” I tillë është dhe portreti i Bardhylit tek “Mjegullat e Tiranës”. Edhe pse i urren sentimentalizmat, përngjason me një romantik: i zbehtë dhe i hequr. Si një rast i paqtë ky, për të kuptuar se, Kadareja, s`është asnjëherë ai që duket. Afërmendsh, duke u marrë gjatë me fshehjen e vetes, përherë në strehën e ambiguitetit, si e vetmja mënyrë për t`ia dalë mbanë, ndodh që me raste kjo mani t`i kthehet në ves. Fshehja me gjasa të kthehet në bumerang, sepse nxit kureshtjen dhe, dihet mania e shqiptarëve, që, s`të lënë gjë pa rrëmuar. Kështu që historitë e vjetra kthehen nga e para dhe, ti je i detyruar t`i jetosh për së dyti.
T`i hedhësh dorashkën tjetrit dhe të habitesh pse ai të del në bejleg, është një pretendim absurd, siç po rreken të bëjnë ca të vilanosur pas shkrimtarit të madh, i cili, e provokoi vetë këtë zallahi, ndoshta i nginjur prej famës. Pse Akili duhej të zemërohej aq shumë me Agamemnonin, sa të tërhiqej dhe nga lufta, sikurse bëri dhe Lekë Dukagjini, për një dava robinje? Shkak është lëndimi. Heshtja e N. Jorgaqit, së paku, do të merrej për paburrëri. Dua ta besoj se lëndimi është bërë pa dashje. Por, në moment më kujtohet një detaj nga një autokritikë e Kadaresë, fill pas autodafesë për Pashallarët e Kuq: “Arma dhe kur shkreh pa dashje, të vret.” Se si sillet ai me njerëzit që e duan, mjafton të shohësh se si sillet Bardhyli me Emën. Në vend të dashurisë ai kërkon adhurim prej asaj, aq sa kur ta flijojë, ajo të ndjehet me mision të përmbushur, sikurse Rozafa. Libri i H. Kadaresë e dëshmon më së mirë këtë. Ja si shihet Bardhyli në sytë e Emës: “I dukej i paarritshëm, sepse i dukej i pakuptueshëm. Ai do vetëm veten e tij dhe artin.” Dhe ja si shihet Kadareja nga Helena: “Tani s`e fshihte se s`i kishte pëlqyer fare që isha e tillë, (e virgjër). Madje, m`u duk se i ra pak respekti.” F. 48.
Shkrimtari e nxori personazhin e tij, pikërisht tani, duke e vënë përballë një personazhi tjetër, por në fakt, Bardhyli zgjoi një interes tjetër, ndoshta i pallogaritur prej tij: karshillëkun ndaj vetë autorit. Bardhyli iu refuzua publikut për një kohë të gjatë, sepse ashiqare siç është ai, pra, Kadareja i vërteti, ai për të cilin dyshonte regjimi, që, Razi Brahimi me shokë s`rreshti së denoncuari, edhe ne së bashku me autorin s`reshtëm së marri në mbrojtje, ishte si të shkoje me këmbët e tua në burg. Por, një mik i afërt i tij, i thotë hapur: s`ke qenë i tillë! Miqtë mbrojnë pikërisht, atë çka kanë mbrojtur për gjithë jetën Ismailin novator, por, jo nga pozita e armikut.
Kadareja do të gabonte nëse do ta mendonte veten, si i vetëm trim në luftë, pavarësisht se talenti ta imponon vetminë. Nuk mund t`i mëshojë vetëm njërit krah, të atij se si e kanë luftuar, por dhe se si e kanë mbrojtur. Dihet tashmë: ai kishte kundër kryeministrin e krisur që të bënte gjëmën. Ishte pikërisht ai, që i tmerroi shkrimtarët dhe artistët, që, heroin pozitiv të pasqyronin pa të meta. Por, miqësia me të birin e tij, i cili, arrin gjer atje sa ta spiunojë të atin para shkrimtarit, është e jashtëzakonshme. Lotët e Marjetës, nuses së Bashkimit, që s`do të vente më tek Kadarenjtë janë më të pikëllueshme nga ato të Emës për Bardhylin. S`ka si të mos bëjë përshtypje: nëse byroistët trajtohen si flamë, bijtë e tyre si lajmëtarë lirie? Dhe u gjet Nasho Jorgaqi të kthehet në “dele e zezë” e realizmit socialist?! Kadareja mbijetoi për shkak të frymës, i manifestuar prej rinisë, i mjaft intelektualëve, miqve e shokëve, të njohur e të panjohur, shumë prej të cilëve u degdisën burgjeve dhe internimeve, duke larë dhe gjynahet e tij. Kur profesor Nasho i thotë: “Është e drejta jote, sigurisht, që në vitet e pleqërisë, t’i tregosh publikut të sotëm mendimet dhe qëndrimet antisocialiste apo antikomuniste që paske mbajtur e shprehur në fushën e letërsisë qysh në rininë tënde; një e drejtë që ti e ke ushtruar jo rrallë në dekadat e tranzicionit… këtë punë e ke bërë dhe e bën me pasion e zell të veçantë, herë-herë me mllef e gjithë idhtësi… por e kaluara as blihet dhe as shitet“ Atëherë ne, mbrojtësit e flaktë të tij, mos duhet t`i japim të drejtë Razi Brahimit, i përmendur me përbuzje prej shkrimtarit si kritiku C.V, i cili, kundrejt bindjeve e akuzonte pikërisht për këto mendësira të fshehura? Ne i hidheshim në fyt atij dhe kujtdo, që vinte në dyshim vlerat ideore të Kadaresë, të cilat, i kapërcenin kufizimet e kokëtrashëve. Se çfarë na bashkonte me Kadarenë po e shpreh me këtë perceptim të shkrimtares Ayn Rand nga libri “Revolta e Atlasit”: «Kishte rrokur vegimin e një bote tjetër dhe e dinte që ajo diku ekzistonte. Duhej të priste… që të arrinte atë botë». Kishte raste, që na dukej sikur e jetonim këtë botë të vagëlluar, kur jeta në vend liberalizohej dhe, shpesh na duhej të prisnim, pavarësisht se ata që na izoluan tek e shkuara po na mbajnë peng dhe tek e sotmja. Mjafton që Kadareja ekzistonte ne e përligjnim praninë e vegimit të kësaj bote, që dallonte nga ajo e kryeministrit të krisur, që e donte heroin pozitiv pa të meta. Ndjehemi të tradhtuar prej tij, nëse këtë botë të vagëlluar, ku Ismail Kadarenë e merrnin bash për udhërrëfyes, ai të na e lyejë me të kuqe, thjeshtë për kapriço, apo larje hesapesh me ata që i prishin qejfin! Sa do të fyhej Fausti nëse gjithë të drejtat do t`i mbeteshin Mefistofelit! Për ironi të fatit pikërisht kritikut të vet, Kadareja i ka shitur dhe armën, që, kishte blerë në Moskë. Si t`i thoshte: “Na, vrit veten tani me këtë, se regjimi që ti mbron me kaq zjarr, e qorrollepsa. Ai u bë me mua për të zezën tuaj!” Ne e donim suksesin e tij se e llogarisnim dhe si fitoren tonë. Tani kjo armë s`po merret vesh se kundër kujt po qëllon?! Me sa duket jeta në Shqipëri nuk ka shfaqje tjetër, veçse atë të paradoksit, ku, çuditërisht, kontribuojmë të gjithë.
Polemika e Jorgaqit me Kadarenë rreh gjetkë dhe jo atje, ku ndizen debate të kota. Sikundër i gjithë fisi i Helenës, pjesë e të cilit është dhe Nashua, përherë ka qenë kontestues ndaj të pabërave të dhëndrrit të tyre. Ja si shprehet Helena: “…ungji im, shfletonte herë pas here librin “Shekulli im”, që s`e lëshonte nga dora, për të gjetur aty sipas tij, vargjet imorale të Is. Me vete kishte sjellë edhe një numër të gazetës letrare, ku një kritik i njohur, gjithashtu, e gishte goditur rëndë.” Ashtu siç merrej fisi, merrej dhe shteti. Ja çfarë i shkruan Kadareja një reviste franceze: ”Meqenëse sa herë që shkruaja diçka, gjëja e parë që më shkonte ndër mend përpara botimit ishte interpretimi që do t’i bënte shteti, domethënë zyrat e partisë komuniste dhe të policisë së fshehtë, ky refleks më ka mbetur ende.” Pra, gjithandej me laps në dorë duke e kontrolluar dhe përgjuar. Megjithatë, ua krodhi! A nuk të habit kjo?! Mirë atyre, por ai del se na e paska hedhur dhe neve, siç po ankohet dhe miku i tij i vjetër. Por, fakti që ai kalkulon kur shkruan, dëshmon se në shkrimet e tij ka përllogaritje, që, do të thotë se ndërgjegjësimi e asaj çka shkruan është i një niveli të lartë. Pra, nëse je i shenjuar prej tij, është menduar gjatë për dëmin që të sjellë. Autoçensura paska funksionuar në mënyra perfekte. Atëherë duhet të pranojmë se dëmet më të mëdha atij, ia ka sjellë autoçensura se sa çensura. Zor se besohet kjo. Shkrimtari shpesh është viktimë e frymëzimit të tij, i cili i merr mendjen dhe, s`ndalet para askujt për t`u zbrasur.
Gjithsesi akuzat e N. Jorgaqit nuk mund të kalohen lehtë, pasi ai hedh dyshime, që me raste kalojnë në bindje se Kadareja merret me retushimin e veprës së tij, duke modeluar veten. Pra, revizionohet. Nëse do të përdornim gjuhën juridike: merret me prishjen e provave. Rastësisht të kujtohet koha e fëmijërisë, kur e burgosën gjoja për falsifikim monedhash. Botuesi ka hedhur idenë e ekspertizës. Kadarenë e zë shpesh fati i personazheve. Kujtoni ekspertizën për virgjërinë e personazhes së tij, Marianës tek “Natë me hënë”. Gjithsesi opinioni pret përgjigje, në respekt të shkrimtarit të madh.
Më shumë se kushdo tjetër, profesor Nasho duhet ta dijë, se cili ka qenë qëndrimi zyrtar i I. Kadaresë për personazhin pozitiv. Sipas Kadaresë, pikëpamjet skematike për heroin pozitiv, me teorinë famëkeqe të mungesës së konfliktit ose e konfliktit jo midis së mirës me të keqen, por midis së mirës dhe më të mirës, ndonëse paraqiten me një petk revolucionar, ishin veçse shfaqje të një lloj dekadentizmi. Sipas tij ky lloj mediokriteti kërkon të bëjë ligjin në art. Një nga përpjekjet për ta arritur këtë sundim është vendosja në poste të larta të përfaqësuesve të vet, pretenciozë e megallomanë, të cilët imponojnë shijet e tyre, në emër të një letërsie zyrtare. Për t’i kthyer shkrimtarët nga militantë të kohës në lolo të dikurshëm të oborreve feudale. Ai shprehet gjithashtu se Realizmi Socialist i ka të gjithë regjistrat, teknikat dhe ngjyrimet për të bërë një art të madh.
Ndërsa lexon letrën e hapur të N. Jorgaqit, beson se emërtimi i vjetër “letër e hapur”, është përdorur enkas prej tij për t`mos iu trembur etiketimit. Ja që një shkrimtar dogmatik që punonte në aparatin e KQPPSH e bëri problem botimin e novelës, duke e kthyer në karton. A s`është i njëjti zyrtar për të cilin ankohet dhe Kadareja? Pse gjynahet e dhunuesit duhet të paguajë shkrimtari N. Jorgaqi? Nëse ti mbahesh për hero, apo dëshmor, mos e përbuz fatin tim prej viktime.
S`ka pikën e dyshimit, sa herë që Kadareja fliste për realizmin socialist, kishte parasysh atë çka shkruante vetë, dhe ajo që shkruante ai, ishte larg parimeve, skemave dhe shablloneve të kësaj metode shterp, që më shumë rrinte si zbukurim dekorativ. Duhet pranuar që nuk ishte i vetëm, në shpërthimin e kornizave. Fama e tij e kthen në nul këtë diskutim, pasi fytyrën një letërsie ia japin veprat e suksesshme. Emërtimi i saj, nuk ka më pikën e rëndësisë. A e udhëhoqe ti këtë letërsi? Pse ajo duhet të ketë nam të keq, kur ti arrite të bëhesh i famshëm? Letërsia zyrtare duke kaluar në plan të dytë, siç ndodh në të gjitha letërsitë, nuk të takon ty të tregosh se sa poshtë qëndrojnë të tjerët. Ata që përfitojnë nga kjo polemikë, janë mbeturinat e regjimit komunist, të cilat duan që në dështimin e tyre: të përfshijnë dhe letërsinë e artet. Sepse fama e saj ua bën dhe më të rëndë rrëzimin.
“-Ju pëlqen të shikoni filma të xhiruara prej meje?”-e pyet Ismaili Helenën, në takimin e tyre të parë. (Filloi nga filmat dhe xhirimet ky!-mund t`i shkojë nëpër mend lexuesit. Ishte shqiptari i parë që kishte sjellë nga jashtë një kinoaparat. Vazhdimisht do të shquhej si i herës së parë, novator, pavarësisht se sot e kësaj dite shkruan si njëherë e një kohë, me stilet. Ndoshta dhe me stilograf.) -Ky është numri i telefonit tim. Më merrni ndonjë ditë. Dy numrat e parë janë viti i vdekjes së Stalinit…” Serioziteti i tij shpesh të gënjen, pasi falsiteti atje shfaqet me doza të mëdha. Kur e sheh të përulet para një autoriteti, mos kujto se po e adhuron. Kur gjunjëzohet para një femre, mos kujto se po e nderon. Kur ai fut thumba, s`ka pse t`i ekzagjerojmë sikur janë gozhdë trari!
“-Më pëlqen shumë.”-iu përgjigj ajo. Ndërsa kushëriri u vërejt nga mënyra e pacipë e ftesës për në shtëpi, që miku i tij i bëri kushërirës. Kadareja shkon dhe më tej, me briskun që mbante në xhep, pret një pjesë të bishtalecës së saj. Ja që bishtrat do dalin shumë vite më vonë.
Tirana e tavernave dhe e muzikës xhaz, e të rinjve me pardesyra me shumë rripa dhe e pantallonave sipas modës, që, ironizojnë regjimin dhe, mbi të gjitha bëjnë një jetë erotike allafrënga, për nga atmosfera, nuk dallohen kushedi se çfarë nga Tirana e sotme. Kujt t`ia bëjmë komplimentin regjimit apo autorit? A i ngjan Bardhyli rrobës që nxirret nga sënduku për t`u kthyer në modë? Gjithsesi ai duket më i avancuar nga të rinjtë e sotëm, edhe pse vjen nga kohëra të mbyllura me qepen. Kjo aq sa të habit, të vë dhe në dyshime. Dhe kur dyshimet vijnë prej bashkohësit dhe mikut të rinisë, çështja kthehet në problem.
Ballafaqimi i dytë i këtij romani djaloshar, ndoshta dhe më i vështiri: ishte brenda famës së shkrimtarit. A mund ta bënte me turp atë, duke e botuar në një kohë që ka arritur majat e famës?! Për hir të së vërtetës, asaj kënaqësie që merr duke e lexuar këtë roman, do ta ndërroje me disa të tillë të shkruar nga Ismaili në kohë të ndryshme. Nuk shihet ai hop që ndodhi tek poezia, nga “Ëndërrimet” tek “Shekulli im”. Shumë habi që merr prej Kadaresë kanë nevojë të shpjegohen, ndoshta jo prej tij, sikurse ndodh rëndom. Ja një prej këtyre:
“Ja ai qytet i madh u duk përsëri në breg të detit. Me siguri Hamburgu. Aeroplani fluturon për në jug. Gjithmonë në jug, drejt qendrës së Evropës. Pastaj…drejt atdheut.” Këto pak rreshta janë marrë nga shënimet e udhëtimit të Ismail Kadaresë “Një verë në Finlandë”, botuar në vitin 1962. Udhëtimi i tij i parë në vendet e Evropës Perëndimore. Shihni tri pikat e retiçencës, e vetmja në të gjithë shkrimin. Mund të mos e kishte vënë, por ai lë shenja me vetëdije. Është e kalkuluar. Në to fshihet një tjetër realitet i kundërt me atë që pasqyrohet në shënimin e udhëtimit, me entuziazëm, vlerësime të larta për komunizmin, Enver Hoxhën, regjimin socialist. Për të shuar kuriozitetin tuaj, po i referohem librit të H. Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”. Ajo flet hollësisht për një plan arratisje të Ismail Kadaresë, ndodhur pikërisht aty, ku shkrimtari e kalon me tri pikat e heshtjes. Duke na dhënë dëshminë më të bukur, se si mund të lexohet midis rreshtave të tij, por, ajo dhe më e çuditshmja: si mund të krijohet një atmosferë entiuziaste nga një shpirt që njëherësh lëngon?! Si mund të mburresh me një atdhe, kur ke bërë plan të arratisesh?! Kish kohë që e thurte këtë plan, të cilin ia kishte treguar mikut të tij, poetit Dhori Qiriazi, i cili, e kishte dhe vetë në plan ta bënte këtë gjë. Do të shfrytëzonte rastin e pjesëmarrjes në një Festival Botëror Rinor në Finlandë. Arratisjen do ta bënte në Pragë. Duke ngacmuar dy vajza çeke, së bashku me regjisorin Viktor Gjika dhe piktorin Vilson Kilica, ato marrin vesh se ishin shqiptar dhe bërtasin në një gojë: “Lum si ju që u bëtë vend kapitalist!” Të shpëtoje prej rusëve, sipas tyre ishte njësoj si t`i përkisje botës Perëndimore. Edhe pse nuk u arratis më 1962, ai do ta bënte shumë vite më vonë më 1989. Gjithsesi ai përherë do të akuzohej nga kritika se arratisej nga tema aktuale. Hajde gjeje se kush është Ismail Kadareja i vërtetë, ai që entuziazmohet nga një udhëtim jashtë shtetit, ku i gëzohet prestigjit të vendit të tij, apo ai tjetri i fshehuri, që tentoi të arratisej? Si të mos habitesh, kur në shënimin e udhëtimit nuk gjen shenja mërzie, ankthi, zbehje ndjenje, veçse entuziazëm dhe krenari për socializmin, atdheun e lumtur? Ai të bën ta duash, atë që mund ta braktisë në çastin më të parë. Ndoshta këtu shfaqet dhe mëkati i tij më i madh: duajeni atë që unë e përbuz!
Se ç`është Ismail Kadareja në fakt, e ka thënë bukur në një nga librat e tij, ndaj ne s`kemi ç`t`i heqim dhe t`i shtojmë: “Unë jam shkelësi i kufirit dhe mbrojtësi i tij.” Kjo mëdyshje shprehet dhe më shqyerëse në këtë pasazh nga romani “Hija”: “…nuk e kuptoja dot se në cilën jetë kishte mbetur trupi im, në të këtejshmen apo në të atjeshmen.” Dhe tek “Ftesë në studio” mëdyshja bëhet dhe më komplekse: “Si është e mundur që ndonëse dua të them të vërtetën, ato që flas kanë të bëjnë aq pak për të?”
Meqë ne, s`kemi rënë dakordse kush e meriton të quhet disident, po i referohem Kunderës, disidentit të njohur çek, se si sillet ai me fenomene të ngjashme:
“Kur flisja me çekët, një vit apo dy pas fundit të komunizmit, dëgjoja në diskutimet e çdo njeriu këtë formë të bërë ritual, këtë parathënie të detyruar të të gjithëve në kujtime, apo diskutime: “pas këtyre 40 viteve të tmerreve nën komunizëm, ose 40 vite të mënxyrta, dhe veçanërisht: 40 vite të humbura”. Vështroja bashkëbiseduesit. Ata s`kanë pasur as forcën të emigronin, as të burgoseshin, as t`i flaknin nga puna, zaten as t`i shikonin vëngër; të gjithë kanë jetuar jetën e tyre në vendin e tyre, në punët e tyre, kanë pasur pushimet e tyre, miqësitë e tyre, dashuritë e tyre: përmes shprehjes “40 vite të tmerrshme”, ata e shndërronin jetën në një aspekt thjesht politik.” Pikërisht prej kësaj vuajmë dhe ne, që jetën e zakonshme e politizojmë. Qahemi tek tjetri për çka, të tjerë kanë tentuar të na bëjnë pis.
“Ju jeni komunist, zoti Kundera?/-Jo, jam një romancier./-Jeni disidet?/-Jo, jam një romancier./-Jeni i majtë, apo i djathtë?-As njëra, as tjetra. Jam një romancier.” M. Kundera “Testamente të tradhtuara” F.168
Tek romani “Hija” zihet me gojë kjo sjellje: “falja fisnikërisht e fyerjeve”. Nëse kjo u drejtohet të gjithëve, atëherë oratori duhet të tregohet dhe xhentelmen. Meqë vazhdoj të pretendoj se e njoh Kadarenë, ai ndjesën e jep lehtë, ndërsa pendesën e ka gati të pamundur. Letra e hapur e profesor N. Jorgaqit të lë përshtypjen se një “sojli” po i shkruan një “sojsëzi”. Ja që i nderuar profesor, në fund fare, sikurse dhe bëni ju në letrën tuaj, titulli i fisnikërisë i mbetet atij, shkrimtarit të madh, që ne, jemi mësuar ta adhurojmë dhe, duke mos na dashur. “Edhe Bardhylin e kishin kritikuar njëherë për një tendencë modernizmi, por atij s’i mbushej mendja.” Nuk iu mbush atëherë për tendencat moderniste, besoj se tani e ka mbledhur mendjen top për to. Dhe diku tjetër shprehet:”Dëshira për t’u bërë i lavdishëm fillimisht iu shfaq me rrobën e blertë ushtarake. Të bëhej gjeneral i famshëm.” Ata që nuk e honepsën për gjithë jetën letërsinë e tij ishin pikërisht ushtarakët. Kjo ndodhte ngaqë nuk e lexonin. Kush e lexonte bëhej me të. Dhe këta ishim ne. Atëherë pëlqeheshim, tani pse shkaktojmë nervozizëm? “Ai e nuhaste lehtë sinqeritetin, sikurse nuk gabohej nga gjërat artificiale.” Shpresojmë që kjo veti e Bardhylit, të funksionojë dhe në këtë polemikë, shkaku i së cilës bëhet ai vetë.
