Një 29-vjeçar ka humbur jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike teksa vadiste tokën. Ngjarja ndodhi në fshatin Kukur në Gramsh kur Mariglen Shuli gjeti vdekjen pasi ka rënë në kontakt me telat e korentit që shtriheshin në tokë pas rrëzimit të shtyllës elektrike. Sipas familjarëve të viktimës, shtylla kishte disa ditë e rrëzuar por askush nuk kishte ndërhyrë për ta rregulluar. “Vëllai im ishte duke vaditur në kopësht. Teli ishte në tokë, dhe ai ka rënë në kontakt me të duke gjetur vdekjen. Telat kanë qenë të rrëzuar që para 4-6 ditësh dhe janë vënë në dijeni të gjithë të elektrikut. Këtu nuk ka ardhur njeri, shtylla ka qenë e rrëzuar në mes të lagjes” u shpreh vëllai i viktimës. Ka qenë e kotë ndërhyrja e familjarëve për t’i shpëtuar jetën 29-vjeçarit pasi ai ka ndërruar jetë brenda pak sekondash. Policia e njoftuar për ngjarjen bëri këqyrjen e provave ndërsa nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
