Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka mbledhur ditën e sotme strukturat lokale të saj me qëllim prezantimin e komponentëve dhe proçesit të ngritjes së institucionit të porsakrijuar. Në këtë aktivitet ka qenë present edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili gjatë fjalës së tij ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së këtij inspektoriati në një bashkëpunim të ndërsjelltë me struktura të tjera inspektuese, si edhe me përfaqësuesit e pushtetit vendor.
Ministri ka kërkuar gatishmëri të lartë sidomos gjatë sezonit turistik, me qëllim mbajtjen pastër të të gjitha plazheve publikë për sigurimin e cilësisë së shërbimit dhe ruajtjes së shëndetit të popullsisë. Beqaj ka kërkuar njëkohësisht edhe rritjen e rolit garantues së inspektoriatit me qëllim nxitjen e profesionalitetit në fushën e shëndetësisë dhe jo vetëm.
“Inspektimi i institucioneve publike dhe jo-publike shëndetësore, të cilat deri më sot, kanë qenë jashë këtij kontrolli, do të jetë fokusi kryesor i Inspektoratit, në mënyrë që të garantojmë dhënien e një shërbimi cilësor dhe të kontrollueshëm, në themel të të cilit, qëndrojnë dijet e mirëfillta dhe të çertifikuara shkencore”- ka theksuar ndër të tjera MInistri i Shëndetësisë, Beqaj.
Ne takim janë diskutuar ndër të tjera edhe çështje që lidhen me rolin e zyrës së Inspektorit Shtetëror Shëndetësor dhe raporti i tij me strukturat lokale të shëndetit publik në fazën tranzitore deri në ngritjen e plotë të Degëve Rajonale të ISHSH-së, si dhe u raportua dhe u diskutuan masat e deritanishme të trupave inspektuese, si dhe për misionin, bazën ligjore, strukturën dhe organizimin e punës edhe gjatë periudhës së katër-mujorit të tretë të vitit 2014-të./A.V
